Ashtu siç gazeta “SOT” e ka paralajmëruar, Gazment Bardhi u rikthye dje pas gati 2 vitesh në selinë blu, të cilën e cilësonte “vend krimi”, pasi u pushtua me dhunë nga ithtarët e “Foltores” në 8 janar të vitit 2022, mirëpo ketë herë jo më në krah të Lulzim Bashës, por si bashkëpunëtor i kundërshtarit më të madh politik të tij brenda Partisë Demorkatike, Sali Berishës. Me logon e PD së Rithemeluar pas vetes kërkoi t’i jepej fund konfliktit, po nga e njëjta sallë nga ku dikur akuzonte Sali Berishën se po çonte drejt përçarjes demokratët, Gazment Bardhi “gëlltit” akuzat për kreun e Rithemelimit, të cilin madje e pranoi zyrtarisht si “tutor” të tij. “Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet çdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”, mësohet të ketë thënë dje Bardhi. Pra “renegati” i Lulzim Bashës, Gazment Bardhi me grupin e tij përmes këtij vendimi forcuan rreshtat anti-amerikane të Sali Berishës. Thënë troç, Rithemelimi i Berishës konfirmoi bashkimin zyrtar me “mbetjet” e Lulzim Bashës (grupin e Bardhit).
Detajet
Ndërkohë mbledhja e djeshme përbashkët me deputetët mbështetës të tij dhe ata të Sali Berishës me të cilët, pikërisht për të shmangur selinë, prej thuajse tre muajsh bëheshin në Kryesinë e Kuvendit, u mbyll brenda 1 orë e gjysmë, me porosinë që të gjithë të zbresin në bazë për të punuar bashkë për protestën e 20 shkurtit e më tej zgjedhjet e 2025, moment ky që e bashkon edhe më shumë grupin Bardhi me Rithemelimin. Kthimin në selinë që tashmë zotërohet nga Rithemelimi, Gazment Bardhi nuk e pati vetëm për mbledhjen e përbashkët të deputetëve. Po ashtu për herë të parë, ai iu bashkua një strukture që njeh Sali Berishën kryetar, Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, që Bardhi më parë nuk e ka njohur. Gjatë kësaj mbledhje, deputeti Bujar Leskaj ka propozuar gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura se Gazment Bardhi duhet të bëhet nënkryetar i Rithemelimit, pa votim. Me marrjen pjesë në strukturat e ngritura nga Rithemelimi, Bardhi rreshtohet kështu krah Berishës edhe në aksionin jashtë parlamentit, sërish duke lënë pikëpyetjen nëse e njeh kryetar apo jo.
Bardhi: Jo më konflikt, bashkimi i PD, rruga e vetme
Nga ana tjetër, gazeta “SOT” mësoi se në mbledhjen e drejtuar nga Bardhi u diskutua për protestën e thirrur më 20 shkurt dhe i është bërë thirrje secilit deputet për të punuar në zonën ku është zgjedhur në mënyrë që të mobilizojnë qytetarët. Ndërsa sa i takon rikthimit në selinë e PD-së dhe bashkimit me Rithemelimin, Bardhi u shpreh se përpjekjet për një bashkim të tillë janë bërë prej rreth një viti nga disa deputetë brenda grupit parlamentar. “Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte, ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit. Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti sëbashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike”, deklaroi deputeti. Ndërkaq në deklaratën e dhënë për mediat deputeti Bardhir, ripërsëriti se bashkimi është e vetmja mënyrë për të rikthyer shpresën e shqiptarëve në mënyrë që ta shohin PD-në si alternativë qeverisëse. “Bashkimi është forcë dhe jo dobësi. Bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale. Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre. Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet çdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”, nënvizoi Bardhi.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se të hënën që shkoi Gazmend Bardhi iu bashkua për herë të parë protestës poshtë shtëpisë së Berishës, dhe la të kuptuar se nuk do të jetë hera e fundit. Nuk dha dot përgjigje të drejtpërdrejtë nëse me këtë veprim, njëjtë si miliantët poshtë ballkonit të Berishës, e njeh atë kryetar, por tha se i bashkon ideali kundër regjimit të Ramës. I çuditshëm ky bashkim me protestuesit e Rithemelimit ishte për faktin se erdhi menjëherë pas takimit në SHBA me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe dërguarin për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Papritur Bardhi e gjeti veten për herë të parë në protestën poshtë shtëpisë së Sali Berishës, të shpallur non grata dhe në masë arresti për aferën e privatizimit të sport klubit Partizani.