Në Tiranë, veprimtarë dhe organizata që mbrojnë lirinë e shtypit pohuan dje se gjendja e medias shqiptare po përkeqësohet në vazhdimësi, ndërsa siguria e gazetarëve po cenohet shpesh nga kërcënime dhe presione për shkak të punës. Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor ka raportuar 10 raste ku është cënuar siguria e gazetarëve, punonjësve të medias dhe mediave në 4 muajt e parë të këtij viti, dhe 24 raste gjatë vitit të kaluar, ndërsa paditë gjyqësore ndaj gazetarëve në vitin 2023 u dyfishuan. Blerjana Bino, përfaqësuesja e Qendrës Scidev, e cila bën kërkime dhe raportime pranë Rrjetit për Gazetarë të Sigurtë, thotë për “Zërin e Amerikës” (VOA), se në Shqipëri janë bërë shqetësim i madh gjuha denigruese kundër gazetarëve, fjalimet kundër mediave, sulmet ndaj gazetareve gra, si dhe rritja e padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe punonjës të medias, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023. Një tryezë e gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, drejtësisë dhe diplomatë perëndimorë u zhvillua sot për të diskutuar mbi pasigurinë e gazetarëve në Shqipëri, ku siç u theksua aty, presionet i shtyjnë ata drejt vet-censurës dhe shtytjes për të mbrojtur interesat e pronarit më shumë se sa kodin e gazetarisë. Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, thotë për “Zërin e Amerikës” se gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet në vazhdimësi, siç u theksua edhe në Raportin vjetor të organizatës Reporterë pa Kufij. Ajo thotë se tani është koha që zyrtarët dhe politikanët në pushtet të zbatojnë ligjet, standardet që ekzistojnë në direktivat europiane për sigurinë dhe lirinë e shtypit, duke nisur me një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, krahas një dialogu më të madh me organizatat e shoqërisë civile. Në këtë tryezë me median, ligjvënës dhe përfaqësues të ministrive që mbulojnë çështje të sigurisë, prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha se ky institucion po e rrit transparencën e vet përballë medias, po i nxit prokurorët të nisin hetime proaktive kur mësojnë për dhunë e kërcënime ndaj mediave, po shton punën dhe angazhimin për sigurinë e gazetarëve, duke i ftuar ata që të denoncojnë rastet e tyre me fakte sa më shpejt në mënyrë që të nisin hetimet, dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë për të forcuar mbrojtjen e tyre. Nga ana tjetër përfaqësuesja e rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, Kristina Voko, shprehu shqetësim për faktin që tani po sulmohen vazhdimisht sidomos gazetarët që po raportojnë mbi proceset e e rëndësishme hetimore të hapura nga SPAK-u, ndaj gazetarëve që raportojnë mbi zhvillimet në parlament, si dhe ngritjen e komisionit kundër disinformimit. Ajo theksoi që ndonëse në fillim kjo ide u mirëprit, si një ndihmë përballë sfidave të gazetarisë, por kjo ende nuk po shihet. Në tryezën mes gazetarëve, deputetëve, zyrtarëve dhe diplomatëve u theksua po ashtu se një shqetësim me rëndësi për gazetarët mbeten edhe kushtet e punës dhe siguria ekonomike e tyre. Në vitin 2022 u raportuan vetëm 6 raste në Inspektoriatin e Punës, kundrejt 26 rasteve që u raportuan në 2023, pa harruar që shumë raste e sulme nuk raportohen, por ato sjellin kufizimin e vazhdueshëm të hapësirës për gazetari në shërbim të interesit të publikut.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë