Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin e bërë nga Izet Haxhia, i cili akuzohet për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari. Mësohet se seanca për rekursin e Haxhias do të mbahet më 23 Maj. Izet Haxhia ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, është shpallur fajtor për vrasjen e pishtarit të demokracisë Azem Hajdari, më 12 shtator 1998. Haxhia ka bërë rekurs për vendimin e dhënë me 21 vite burg për vrasjen e politikanit Azem Hajdari. Togat e zeza e kanë shpallur fajtor Izet Haxhinë për akuzën “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe duke qenë se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë lihet në fuqi, ish-truproja do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Ish-truproja e Sali Berishës pretendon se është i pafajshëm. Edhe më parë, Izet Haxhia është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit, por ai nuk e ka pranuar akuzën dhe kërkoi rigjykim me pretendimin se zotëronte prova të reja. Kujtojmë se, në vitin 2006 Izet Haxhia u arrestua në Turqi, ndërsa në maj të vitit 2020 ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Gazeta “SOT” ka kontaktuar me avokatin e tij, Idajet Beqiri, i cili ka thënë se ish-truproja i Berishës është i pafajshëm. “Izeti është i pafajshëm, nëse drejtësia nuk vihet në vend, arbitrariteti dhe padrejtësitë në këtë vend do të vazhdojnë gjatë”, shprehet avokati.
Detajet për vrasjen e Azem Hajdarit
Avokati ka cituar një rrëfim të Izet Haxhisë, i cili ka thënë se Azem Hajdari i ka kërkuar ndihmë që të vrasë Sali Berishën. “Problemi ishte që ishte një frymë që thoshin se Saliu ia mori partinë Azem Hajdarit. Saliu ishte futur nga Ramiz Alia që t’ja merrte partinë Azem Hjadarit dhe ia mori, e dyta që është më e rëndësishmja ka qenë se me skemat piramidale dhe me rënien e shtetit Azem Hajdari u gjallërua brenda PD me synimin e vetëm që t’ja merrte partinë. Në 97 flas. Do t’ja merrte partinë. Ai e përpunonte, e fliste dhe me të tjerë. Madje Hajdari i ka kërkuar ndihmë Izet Haxhisë që çfarë do të bëjmë, të vrasim Sali Berishën. Ta vrasim ta zbresim nga kali. Është e vërtetë. Nuk flas kot. Ai është në burg dhe mund ta mohojë. Në 97. Izet Haxhia i ka thënë në radhë të parë jam tropojan i kam dhënë besën se do ta mbroj por t’i e ke gabim doktori po të jep goxha. Po të afron dhe do kesh pozitë të mirë. Qetësohu në këtë drejtim. Se si e ka marrë vesh doktori më pas dhe se çfarë ka ndodhur kjo është histori tjetër”, tha Beqiri. Nga ana tjetër, avokati zbardh dhe 23 provat që ish-truproja disponon për krimet e Berishës
23 akuzat e Izet Haxhisë kundër Berishës
1) Ngjarjet tragjike të 2 Prillit 1991. 2) Vrasjet në shkollën e Bashkuar. 3) Ngritjen, bekimin, manipulimin, e firmave Piramidale e përvetësimin e miliardave nëpërmjet përdorimit të pushtetit politik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar. 4) Manipulimit dhe vjedhjes së votave në çdo votim të radhës, nëpërmjet blerjeve favoreve fiksimit. disinformimit dhe nxitjes së anarkisë dhe kaosit. 5) Djegia e gazetës “Koha Jonë” dhe vënie tritol në shtëpinë e gazetares Zenpe Luka. 6) Organizator dhe shtytës i funksionimit të linjës së tritolit, sa herë që i është dashur të destabilizojë situatat politike, juridike, ekonomike, shoqërore e sociale në vend. 7) Ai është përgjegjës për vjedhjen e floririt në Kërrabë, aktin e dytë e përfundoi Ilir Meta. 8) Vrasja e zhdukja pa lënë gjurmë nëpërmjet marionetës së tij Ilir Kumbaro, e atdhetarit Remzi Hoxha. 9) Hapja e depove të armatim-municioneve, dhe përgatitja e paramilitarëve në dajt në Tiranë e gjetkë për të sulmuar përfaqësuesit në jugun e vendit. Nxjerrja e urdhrave përkatës për operacione ushtarake ndëshkuese në jug të vendit, duke planizuar edhe bombardim edhe përdorim të lëndëve helmuese-luftarake edhe këputje të nyejve të transportit, si ura, mbikalime, përdorimin e njerëzve të infiltruar. 10) Veprimet anti kushtetuese, u finalizuan me këtë rast duke vendosur në krye të operacioneve shfarosëse anti kombëtare, shefin e shërbimit sekret, po aq bashkëpërgjegjës në këto krime, Bashkim Gazidede. 11) Ai është përgjegjës gjithashtu për një sërë vrasjesh tragjike në rrethin e Tropojës. Gjithçka filloi, veç më parë, me vrasjen në Qafë Luzh, ku mbeti i vrarë Shkëlqim Haklaj. 12) Ai është përgjegjës dhe duhet të përgjigjet e të japë shpjegime edhe për vrasjen e Ilir Koshtunicës, të UÇKS. 13) Ai ideoi dhe më kërkoi të bombardoja Ambasadën Amerikane. 14) Ai është përgjegjës penalisht edhe për planifikimin djallëzor, të vrasjes të Skënder Gjinushit, të Zabit Brokës, të Arben Imamit, Shaban Memisë. 15) Ai është përgjegjës penalisht për porosinë e përdorimin e çdo lloj mjeti, si telekomandë snajper, çipa me telekomandë, e tjerë për të zhdukur çdo gjë që u takonte dhe kishte lidhje me Haklajt. 16) Ai është përgjegjës penalisht, për veprimet dhe përpjekjet e tij, intrigante për të na asgjësuar ne të tre vëllezërve, mua, Izet Haxhia, Ismet Haxhia dhe Isamedin Haxhia. 17) Ai është përgjegjës penalisht personalisht për kurthin dhe eliminimin e Azem Hajdarit. 18) Ai është arkitekti i grushtit të shtetit të 14- Shtatorit. Dhe kthimin e selisë së PD-së në një fortesë militare dhe të rrezikshme për ndarje kombëtare. 19) Ai është përgjegjës penalisht për atë çfarë ndodhi në supermarketin “VEFA”. 20) Ai duhet të përgjigjet penalisht për zhdukjen e miliona lekëve shqiptare, si dhe krejtësisht edhe të valutës nga banka shtetërore e Shkodrës, për të cilat ekzistojnë shifra reale dhe janë justifikuar me fjalët u “vodhën” shtrohet pyetja nga kush ?!. 21) Ai mban përgjegjësi penalisht, gjithashtu pas nxjerrjes nga mënga, “AS-in” Leka Zogu, të cilin e nisi drejt “pushtetit” dhe që u mbyll me disa viktima të pafajshme. 22) Ai mban përgjegjësi penalisht gjithashtu, edhe për instrumentalizimin e situatës nëpërmjet bashkëpunimit me marionetën e vetë Bujar Bukoshi. 23) E fundit, ai mban përgjegjësi penale për porosinë e vrasjes time në mërgim duke vënë në dispozicion 1,000,000 euro. Sikur të mos i mjaftonte intriga e akuza e montuar prej tij për t’më faturuar një krim që kurrë se kam kryer.