Ministri i Drejtësisë dhe kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Eduard Halimi, ka qenë në fshatrat Qerekë e Bubq, respektivisht në Komunën e Niklës dhe Komunën e Bubqit. Para banorëve të këtyre zonave, ai prezantoi edhe kandidatin demokrat të zonës së Fushë-Krujës, Vullnet Topalli, duke e cilësuar atë një zgjedhje të shkëlqyer të Partisë Demokratike për të përfaqësuar denjësisht banorët e zonës. Eduard Halimi, i cili kryeson listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, tha se qeverisja e Partisë Demokratike vjen në këto zgjedhje me arritje dhe investime të prekshme, por, mbi të gjitha, me premtime të mbajtura në investime në rrugë dhe shkolla. “Në Fushë-Krujë, ne do të kemi rezultat blu, sepse ju do të votoni djalin tuaj, i cili do të jetë zëri juaj në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Eduard Halimi. Ministri i Drejtësisë u premtoi fermerëve të zonës heqjen e TVSH-së për inputet dhe subvencionimin me lekë në dorë për të stimuluar prodhimin vendas. “Sali Berisha do të ulë taksat e makinerive për punën bujqësore në mënyrë që të mbështeten produktet vendase. Kjo do të thotë të kalben produktet bujqësore të vendit dhe të favorizohet prodhimi i huaj”, tha Halimi. Ai shtoi se Partia Demokratike ka një program të qartë për zhvillimin rural dhe se mandati i ardhshëm do të jetë një mbështetje për fermerët dhe prodhimin vendas. Duke ju drejtuar banorëve të Qerekës, Eduard Halimi tha se kur përbuz investimet në rrugë, Rama duhet të kuptojë që është duke shkelur në rrugët që i ka ndërtuar qeverisja Berisha. “Ai nuk mund të thotë se të rinjtë shqiptarë janë analfabetë sepse ai nuk mund të hedhë poshtë mundin e tyre në marrjen e diplomës, pasi diplomat e të rinjve shqiptarë janë të shenjta,” shtoi ai. Nga Qereka, Eduard Halimi akuzoi Ramën se ai nuk ka një plan për pronat. Duke ironizuar deklaratën e kreut të Partisë Socialiste se ai do të ngrejë një agjenci pranë Kryeministrisë për zgjidhjen e problemit të pronës, Eduard Halimi tha se Rama tregon vetëm përralla nga autobusi, porse në të vërtetë problemi i pronës do të zgjidhet në vitin e parë të mandatit të tretë të Partisë Demokratike me dhënien e tapive të pakontestueshme në regjistrin elektronik të pronës.