Ilir Paja, një eksponent i përfolur për krimet në Itali, i njohur me pseudonimin ‘Ufo’ dhe i dënuar me 23 vite burg, pasi akuzohet për disa vepra të rënda penale nga gjykatat italiane, ka vendosur të kallëzojë në SPAK me ndihmën e përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Idajet Beqiri, Ulsi Manjën, ministër Drejtësie, Zotin Endrit Bimi, Prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, zotin Gerd Hoxha, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë dhe zotin Sokol Binaj, gjyqtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Tiranë. Në kallëzimin penal që e disponon gazeta “SOT”, kërkohet kryerja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme ndaj këtyre personave për kryerjen e veprave penale të rënda, si “Tortura”, parashikuar nga neni 86 i Kodit Penal; “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal; “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal.
Detajet nga kallëzimi
Para SPAK janë paraqitur sipas avokatit Idajet Beqiri, fakte, dokumente, vendime gjyqësore me të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat sipas tij duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer, të përfshirë në veprime të rënda të paligjshme, dhe që kanë sjellë pasoja shumë të rënda ndaj shtetasit Ilir Paja. Sipas kallëzimit, “nga nëntori 2022 e deri më sot, Paja po mbahet në burg pa ligj, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.” Idajet Beqiri ka renditur faktet dhe pretendon se për këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe për këtë barbarizëm ligjor duhen të merren masa. Avokati thotë se Paja e ka vuajtur plotësisht, kokërr më kokërr të gjithë burgun për veprat penale të kryera, tani sipas tij emrat që janë çuar në SPAK, kanë vendosur që Paja ta vuajë edhe një herë nga e para të njëjtin dënim për të njëjtat vepra penale.
Skandali
Sipas kallëzimit thuhet se: “Ministria e Drejtësisë e RSH dhe Prokuroria e Përgjithshme e RSH, nëse Republika e Italisë nuk i njeh dhe nuk i merr aspak në konsideratë vendimet gjyqësore penale të Gjykatave shqiptare, dhe as që i përfill dënimet e kryera në burgjet shqiptare, nuk duhet t’i jepte rrugë përmes shkresës Nr. 1679/1 prot. OTH, date 05.03.2008 kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Italisë për procedimin penal Nr. 34416, e vitit 2006 R.G.N.R, por t’i bënte të ditur që të kërkonin ekstradimin e shtetasit Ilir Paja me qëllim që ai të gjykohej dhe të dënohej në Itali, ku të vuante edhe dënimin, por jo që pasi vuan dënimin me burg në Shqipëri për të njëjtat vepra penale, për të njëjtat fakte duke vepruar Gjykata e Krimeve të Rënda qind për qind sa kërkonin autoritetet Italiane në letër porosinë e dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ky shtetas shqiptar të vuaj rishtas edhe një burgim tjetër të rënda prej 25 vjet burg, për shkak se vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe vuajtja e dënimeve me burg në burgjet e Shqipërisë nuk njihen nga Republika e Italisë. Në vendimin nr. 47/2021, date 24.11.2021 te Gjykatës së Asizit Milano, të cilin në kundërligjshmëri të plotë e ka njohur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me Vendimin e saj nr. 370 Akti, datë 28.03.2023, pranohet fakti se në datën 06.07.2019 i gjykuari Ilir Paja e ka vuajtur të plotë dënimin e dhënë me burgim prej Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë. Në këtë vendim të Italisë arsyetohet se në rastin objekt gjykimi për shtetasin shqiptar Ilir Paja nuk e merr në konsideratë parimin “Ne bis in idem”, në radhë të parë sepse ky parim zbatohet vetëm në kuadrin e vendeve të BE, dhe Shqipëria nuk është anëtare e BE; e dyta sepse në bazë të nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Italisë dhe nenit 11 të Kodit Penal Italian “Nuk përjashtohet rinovimi i vendimit në Itali për të njëjtin fakt”.
Çfarë thonë Gjykatat Italiane
Nga ana tjetër në kallëzim thuhet se në vendimin e Gjykatës Italiane theksohet se: “…ekuilibri ndërmjet interesit të shtetit dhe të mbrojtjes së individit do të jetë në favor të së parës, domethënë në favor të interesit të shtetit, kur vjen fjala për parimin “Ne bis in idem” të një shtetasi të huaj… Në kushte të tilla, kur Italia, nëse bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, shikon interesin e shtetit të vet, jo të shtetasit shqiptar, kur bëhet fjalë për zbatimin e parimit të gjësë së gjykuar, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatat e Shqipërisë, ndërmjet interesit të shtetit italian dhe mbrojtjes së interesave të ligjshme të shtetasit shqiptar, i cili e ka vuajtur një herë dënimin për të njëjtat fakte dhe vepra penale, duhet të mbroj interesin e shtetasit të vet, i cili nuk duhet të vuaj 50 vjet burg, një herë nga Gjykata e Shqipërisë, dhe herën tjetër nga Gjykata Italiane, e cila nuk i njeh as vendimet gjyqësore të formës së prerë të Shqipërisë, as burgjet e Shqipërisë ku vuhen dënimet! Edhe sikur shtetasi Ilir Paja të kishte kryer të njëjtat vepra penale ndaj personave të tjerë, do ishte bërë bashkimi i dënimeve dhe maksimalja e dënimit në bashkim të dënimeve do të ishte 25 vjet burg, pasi ky ishte dënimi maksimal me burgim në kohën që është gjykuar dhe dënuar ky shtetas, dhe kurrën e kurrës nuk është 50 vjet burg sa kanë urdhëruar të treja shkallët e gjykimit kundër këtij shtetasi. Sa më sipër vlerësoj dhe ju kërkojmë të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen veprimet e domosdoshme hetimore ndaj të kallëzuarëve, Hulusi Manja, Ministër i Drejtësis, Endrit Bimi, Prokuror në Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Gerd Hoxha, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Sokol Binaj,Gjyqtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Tiranë, të cilët kanë konsumuar veprat penale të rënda, “Tortura”, parashikuar nga neni 86 i Kodit Penal; “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal; “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal”, mbyllet kallëzimi penal.