Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj rrezikon të arrestohet. SPAK po thellon hetimet ndaj tij në dosje të tjera. Mësohet se janë sekuestruar dokumente të rëndësishme në zyrën e tij. Madje prokurorët i kanë shtrirë hetimet deri në Poloni për trasnferta të dyshimta parash. Detajet nga kjo dosje i ka dhënë edhe gazetarja Klodiana Lala. Sipas saj, ka një hetim të ri ndaj Beqajt për abuzimet me fondet e agjencisë SASPAC që ai drejtonte. “Zhvillime të qenësishme dhe rëndësishme për ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u duk sikur shpëtoi përfundimisht nga Koncesioni i Sterilizimit, por ka një hetim të ri për abuzimet me fondet e agjencisë SASPAC që ai drejtonte. SASPAC është agjencia që koordinonte ndihmat, apo fondet e huaja që vinin nga jashtë vendit dhe që ka dyshime të forta sipas SPAK, jo vetëm për abuzime, por edhe lidhje klienteliste me kompani farmaceutike, por edhe për fshehjen e pasurisë. Kontrolli duket se ka lidhje me dyshimet se Beqaj ka favorizuar kompaninë e ‘Delta Pharma’, duke ndryshuar kriteret e një tenderi, duke lejuar futjen e barnave të pacertifikuara në vend gjatë kohës që ishte ministër i Shëndetësisë. Kontrollet janë zhvilluar edhe tek kompanitë “Avicena” dhe farmacitë “Ditë Natë” të cilat janë pjesë e kompanisë “Delta Pharma”. Po ashtu po kryen kontrolle edhe mbi dosjen e “Check Up”.
Dosjet që janë gjetur në zyrën e tij
Gazetarja Lala ka thënë se në zyrën e Beqajt janë gjetur dosje, që nuk kishin të bënin fare me SASPAC. “Hetimet në këtë drejtim janë duke ecur në mënyrë të vrullshme, por ka pasur të dhëna të reja dhe kam informacione se në zyrën e SASPAC në zyrën e Beqajt janë gjetur dosje, që nuk kishin të bënin fare me SASPAC, por dosje që kishin të bënin me kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Shëndetësisë. Unë e pyeta Z. Beqaj përse i mbante ato dosje në zyrën e tij dhe ai tha se “janë dosjet të mia”, por nuk dha shpjegime se pse ato dosje që duhet të ishin në arkivën e ministrisë së Shëndetësisë janë në zyrën e tij. Në këtë aspekt janë duke u parë shumë dosje, jo vetëm të kohës që ka drejtuar SASPAC, por edhe kur drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, lidhjet klienteliste, favorizimet me kompanitë të ndryshme dhe mënyrën si kanë devijuar paratë dhe hetimi ka shkuar deri në Poloni, aty ku mendohet se janë transferuar para dhe po priten detaje prej andej”, tha Lala. Kujtojmë se ish-ministri i Shëndetësisë ka mohuar pak më parë që të ketë lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij për fshehje pasurie me anë të lidhjeve me kompaninë farmaceutike ‘Delta Pharma’. Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë interes financiar sa i takon sipërmarrjeve farmaceutike gjatë kohës që ka qenë ministër. “Së pari SASPAC nuk menaxhon fondet e huaja, nuk bën tendera, koordinon financimet e huaja për qeverinë. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty. Ata që erdhën e bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate në procesin e një hetimi që bëhet ndaj një personi tjetër”, tha Beqaj.
Beqaj paraqitet sërish në SPAK
Nga ana tjetër, Beqaj vazhdon të japë llogari para SPAK, ashtu sikurse është i caktuar më herët në masën e sigurisë. Hetimet ndaj tij vazhdojnë, pasi emri i Beqajt lakohet në të gjitha dosjet e hapura për koncesionet e shëndetësisë. Më i rrezikuar është tek Sterilizimi. Teksa u paraqit dje në prokurori, ai u pyet nga mediat lidhur me një deklaratë të bërë prej tij javë më parë, ku kërkonte zgjerim të hetimeve për dosjen e Sterilizimit, e cila mund t’i “hajë kokën”. I pyetur se me këtë deklaratë, nënkuptohet hetimin e Ogerta Manastirliut, që në atë kohë mbante postin e drejtueses së Qendrës Spitalore Universitare, Beqaj përsërit deklaratën duke kërkuar shpjegim pse kjo qendër nuk u vu në punë për tre vite.