Analisti i njohur Ilir Demalia ka akuzuar gazetarët shqiptarë, Arian Çani, Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, Andi Bushati, Çim Peka, Alfred Lela si të lidhur me grekët. Pronarët e tyre sipas tij, janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta. “Malagat e Greqisë”, e nis titullin e shkrimit Demalia në rrjetin e tij social “Facebook”. Ai thotë se këta gazetarë po bëjnë politikë pro-greke hapur në mediat shqiptare. “Malagat e Greqisë! Arian Çani, Armand Shkullaku, spiun i Sigurimi (Boxhurja), Fevzi faqezi (Korani), nipi shokut Hisni, shoku Andi Bushati, “garipi” i Hasit, Qim Peka, Qerosi katuneve të Krujës Alfred Lela, e plot të tjerë, janë plehra që “lulëzojnë” në plehun mediatik shqiptar, se nuk ka shtet dhe nuk ka popull, por laparakarizëm shqiptar. Nuk ka shtet, që bëjnë pallë këto plehra që bëjnë politikë pro-greke hapur në mediat shqiptare, se si këta janë mediat dhe pronarët e mediave dhe pronarët tyre Berisha-Meta. Ptu farë e fëlliqet! Vigani Veriut At Fishta, ka shkrue: Për me shkrue Zotni, n’gazeta, duhet shkruesi t’jet ma parë, njeri i ndershëm e atdhetar, e mandej të këtë dije, e kërkujtë mos ti ketë qenë AFIJE”, thotë Demalia.
Mbrojtja ndaj Belerit
Reagimi i Demaliajt erdhi pasi këta gazetarë komentuan lajmin se Greqia ka vendosur kandidimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri si eurodeputet nga partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ishte gazetari Andi Bushati, i cili tha se kjo lëvizje e grekëve është që ti tregojë evropianëve se çfarë reforme kemi financuar ne në një provincë si Shqipëria dhe të shikojnë si po tallemi ne me atë që vazhdojmë ta quajmë drejtësia e re shqiptare. “Kemi një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në 30 vjet, pra një i zgjedhur i Shqipërisë propozohet për të qenë deputet i Parlamentit Europian. Ky vendim është plotë dritë dhe hije. Nga burgu, Fredi Beleri ka dhënë disa intervista dhe ka thënë që mua ma ofruan daljen nga burgu në qoftë se hiqja dorë nga Bashkia e Himarës. Tani ka pranuar të heqë dorë nga Bashkia e Himarës për të shkuar atje? Fakti që Fredi Beleri në zgjedhjet europiane mund të bëhet deputet atje, mundet që automatikisht ta heqi atë nga Bashkia e Himares dhe i bie që e gjithë beteja e Bashkisë së Himarës pëson një tërheqje. Në Shqipëri mandati i kryebashkiakut është i papërputhshëm me asnjë mandat tjetër, s’bën dot asnjë punë. E para është kjo. E dyta i jep Greqisë një lloj hije që e ka përdorur atë politikisht në Shqipëri. Nëse po e përdor Belerin sot për fushatën e zgjedhjeve europiane, i jep të gjithë gojë atyre që thonë ‘Kali i Trojës’ i Athinës në Himarë etj. Thash anët negative në fillim. Nga ana tjetër, dihet që Beleri ka sportin e Athinës dhe aq më tepër të Neodemokracisë. Në qoftë se këta njerëz janë të bindur se procesi ndaj Belerit ka qenë një farsë, një nga turpet e palaçove të drejtësisë së re shqiptare, atëherë një kalkulim politik për ta çuar dosjen e drejtësisë tonë të re në Parlamentin Europian përmes Belerit do ishte një lëvizje me kosto të lartë për palaçollëqet që bëjnë ‘gjkko-rat’ e ‘spakistat’ këtu. Në qoftë se qëllimi i Athinës është që ej o europian shikoni se çfarë reforme kemi financuar ne në një provincë si Shqipëria dhe shikoni si po tallemi ne me atë që vazhdojmë ta quajmë drejtësia e re shqiptare, kjo mund të jetë një lëvizje politike”, u shpreh Bushati ndër të tjera.
Berisha dhe Meta në mbrojtje të Fredi Belerit
Gjithashtu Meta e Berisha gjithë këtë kohë kanë mbrojtur Fredi Belerin. Madje ish-presidenti kërkoi që ta takonte në burg. Meta është shprehur së fundmi se djali i Petro Belerit, kandidati fitues Fredi Beleri u rrëmbye nga banda në pushtet, me qëllim grabitjen e pronave të himariotëve. “Himara do ja tregojë vendin edhe nga burgu, regjimit të pengmarrësve dhe do t’ua tregojnë gjithmonë siç ja u ka treguar osmanëve njëherë e një kohë dhe siç ja u ka të gjithë pushtuesve dhe zaptuesve”, ka thënë Meta pak ditë më parë.