Kohët e fundit, ish-presidenti Ilir Meta është zhdukur plotësisht nga qarkullimi. Në një dalje për media para disa javësh, vetë kreu i Partisë së Lirisë konfirmoi se aktualisht po vuan nga disa çështje shëndetësore. “Unë për hir të së vërtetës gjatë këtyre 3 javëve për arsye personale të disa çështjeve të shëndetit, nuk kam qenë i angazhuar publikisht, aq sa edhe ju jeni shqetësuar”, tha Meta. Duke marrë parasysh deklarimet e tij në publik, dyshohet se Meta këtë situatë mund ta përdorë si kartën e tij të fundit për t’i shpëtuar procedimit penal dhe prangave për dosjet e tij më të nxehta, lobimi dhe CEZ-DIA, të cilat janë gati të shpërthejnë në SPAK. Për të marrë mbase një masë sigurie më të butë, Meta do të shfrytëzojë hapësirat ligjore. Ashtu si Saimir Tahiri, i cili shfrytëzoi sëmundjen e gruas dhe mungesën e kujdestarisë së fëmijëve për t’u liruar nga burg. Në një shtet europian fëmijët do të merreshin nën kujdes nga institucionet, gruaja nga kujdesi shëndetësor dhe i dënuari do të vijonte të qëndronte në qeli për veprën penale të kryer, por kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë “mbyllet njëri sy” në Shqipëri. Të njëjtën taktikë përdori edhe Alqi Bllako, duke u liruar përkohësisht nga burg pasi nuk kishte kush kujdesej për fëmijët e tij. Ndërkohë Lefter Koka dhe Lefter Alla, përdorën sëmundjen e tyre për të dalë sa më shpejt nga burgu. Ish-kryebashkiakun e Bulqizës e ka zënë zemra që kur mori vesh që për vjedhjet e kryera do të dënohej me burg. Ai ka kërkuar disa herë lirimin me kusht për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Vetëm qytetarët që riparojnë çatinë e shtëpisë, rilidhin dritat për t’u ngrohur në dimër apo adoleshentët që gënjehen duke shitur një cigare hashash nuk lirohen nga burg, ndërkohë që mund të vjedhësh me miliona euro nga taksat e shqiptarëve dhe drejtësia të shpërblen duke bërë burg nga shtëpia buzë deti apo në majë të kodrave.
Rasti i Ilir Metës
Në rastin e Ilir Metës, ndryshe nga Lefter Koka, apo Lefter Alla situata mund të jetë më e thjeshtë. Ai mund t’i ketë bërë letrat gati gjatë kësaj periudhe që ka qenë shumë i heshtur. Ato do t’i përdorë menjëherë kur SPAK të firmosë masën e sigurie arrest me burg për Ilir Metën, për çështjen CEZ-DIA, dosjen e lobimit dhe shërbimet estetike. Dosjen CEZ-DIA, për shkak të presionit të madh politik, e ka marrë vetë në dorë prokurori i hekurt dhe i pakompromis, Altin Dumani, njeriu i besuar i amerikanëve për t’i dhënë fund tranzicionit dhe kulturës së mosndëshkimit në Shqipëri. Nëse vërtetohet se paratë e aferës CEZ-DIA kanë përfunduar tek LSI dhe xhepat e Ilir Metës, ky i fundit pritet të akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi ka në duar dosjen e lobimit. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Qipro ka ardhur përgjigja zyrtare për letërporositë e SPAK-ut, ku konfirmohet se gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në SHBA, para këto që nuk u dihet burimi dhe që nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI. Meta mund të akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim formularësh. Arben Kraja ka në duar dosjen e shërbimeve estetike. Nga hetimet është provuar se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro për dobësim dhe shërbime të tjera estetike në Vjenë dhe San Marino. Shpenzimet nuk janë deklaruar në ILDKPKI. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund të akuzohen për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Të tre dosjet kanë faktuar lëvizjen e parave. Duke ditur provat e mbledhura dhe precedentin e vendosur, ku ish zyrtarë të lartë janë sot në burg vetëm për shpërdorim detyre, siç është Vangjush Dako, Ilir Meta mund të përdorë kartën e shëndetit për të shpëtuar nga prangat e SPAK.