Avokat i njohur, Idajet Beqiri ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokat Beqiri akuzon drejtpërdrejtë Ilir Metën se ka porositur disa vrasje, njëra prej të cilave është edhe eliminimi i vëllait të ish-deputetit Arben Ndoka. Sipas tij, kjo vrasje ndodhi për shkak se në konflikt u përfshi Monika Kryemadhi. “Kam thënë që ai është mbreti i këtyre krimeve që kanë kryer këto banditë. Sepse këto kanë vepruar për llogari të politikës, kështu që me të vërtetë janë arrestuar edhe në kuadrin e grupeve të strukturuara kriminale dhe të krimit të organizuar, këto 50 persona mjaft prej të cilëve janë në paraburgim në Shqipëri. Krimet që kanë bërë, porositë i kanë marrë nga politika. Lidhjet me politikën e kishin nga të dyja krahët, kam parasysh që kur ka ardhur problemi për krimet zgjedhore, këto kriminel kanë vepruar si për të majtën dhe për të djathtën, duke qenë të ndarë nga njëri-tjetri e duke u pozicionuar edhe ata politikisht. Përsa i përket krimeve të tjera, të cilat kanë qenë nga më të rëndat, si porositë e vrasjeve apo për të bërë korrupsion të vrasim apo edhe për hakmarrje primitive, të vrasim. Politika i ka thirrur në ndihmë dhe një nga kryesorët që ka qenë kryesor në këtë drejtim është Ilir Meta. I ka thirrur në ndihmë këto kriminelë dhe Ilir Meta nuk mund t’i shmanget dot urdhërimit të vrasjes së Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit, Arben Ndoka.
Provat
“E di gjithë Lezha konfliktin që pati Aleksandër Ndoka me gruan e Ilir Metës dhe nuk është hera e parë që jep urdhra të tillë Meta. Provat i di gjithë Lezha, e gjithë Shqipëria se çfarë ndodhi atje midis Monika Kryemadhit dhe Arben Ndokës dhe pse pikërisht pas asaj ngjarje çfarë premtimesh u bënë, si ndodhi dhe pse iku nga kjo jetë ky person. Sikurse është fakt i njohur botërisht tashmë dhe nuk ka nevojë për prova e stër prova, pavarësisht se si u hoqën, u kamuflua e u mundua të fshihej porositja e vrasjes nga Ilir Meta të Tom Doshit. Ajo është një akt që u konsumua dhe ngeli në tentativë. Por problemi është se SPAK tashmë me këto që ka të arrestuar, jam i bindur se do të ketë të penduar të drejtësisë. Këto do të zbulojnë dhe krime të tjera, porosi të tjera vrasjesh. Kam thënë edhe për tre tentativa vrasje që iu bënë atij personi me mbiemër Lepuri, s’po i them emrin. Edhe për këtë, mbreti i krimit nga Ilir Meta e morën porosinë, që tentuan tri herë dhe nuk e vranë dot këtë lepurin se ishte me këmbë lepuri, por edhe të tjerë me radhë. Këta të penduar janë i bindur që për hir të shpëtimit të kokës së tyre nga burgimi i përjetshëm, këto do t’i thonë të gjitha. Shqipëria do të tronditet fortë se kë kemi patur në krye dhe çfarë krimesh të rënda kanë bërë këta në kuadrin e organizatave kriminale dhe të korrupsionit të lartë shtetëror”, nënvizoi Beqiri për gazetën “SOT”.
Si u vra Aleksandër Ndoka?
Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, u vra më 9 dhjetor 2017. Babai i katër fëmijëve ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës që prej vitit 2015 dhe ishte pronar i një biznesi privat. Ai ndodhej duke parkuar makinën përpara shtëpisë, në lagjen “Nënë Tereza”, kur u ekzekutua me breshëri plumbash. Hetuesit thanë në atë kohë se autorët e këtij atentati kishin patur informacion të saktë mbi lëvizjet që kryente objektivi i tyre ose e kanë ndjekur atë. Rruga në afërsi të banesës është parë si vendi më i përshtatshëm, për shkak se është ngushtë dhe viktima nuk ka patur mundësi largimi. Sipas ekspertëve të kriminalistikës, Aleksandër Ndoka ka qenë duke kthyer makinën për të hyrë në banesë dhe është qëlluar teksa po ecte mbrapsht. 14 plumba u qëlluan ndaj tij dhe 9 prej tyre e kanë prekur në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dy ishin pistat kryesore që hetoi në atë kohë policia, ajo e konflikteve personale apo anëtarëve të tjerë të familjes Ndoka dhe ajo e vrasjes për shkak të detyrës.