Ish-presidenti Ilir Meta ka shpeshtuar sulmet me tona të ashpra deri në kërcënime ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar se po bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama kundër tij për të asgjësuar Partinë e Lirisë që ai e drejton dhe pluralizmin demokratik. Mesditën e djeshme kreu i PL, Ilir Meta ishte në konferencë me gazetarët kur kreu i SPAK, Altin Dumani përmes një reagimi për mediat mohoi të ketë takuar McGonigal dhe deklaratat e ish-presidentit bërë mbrëmjen e kësaj të hënë në një emision televiziv, i quajti vijim i akuzave të pabaza. “Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, deklaroi dje Dumani. Ndërkohë pikërisht në këtë moment Ilir Meta ngriti tonin dhe vijoi sulmin verbal ndaj kreut të SPAK duke e etiketuar “i papërgjegjshëm”, “delinkuent”, “njeri pa integritet që ka hyrë shumë thellë në lojërat politike të Edi Ramës”. Duke e etiketuar dhe si “karafil”. (Redaksionale: Njeri mendjelehtë) kreu i PL-së akuzoi Dumanin se po kryen të gjitha këto veprime në këmbim të postit si kryeministër. Madje Meta e etiketoi kreun e SPAK edhe si “kushëriri e Nuredin Dumanit”, killerit me pagesë, i cili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë duke treguar vrasjet. Ndryshe nga ky, tha Meta, Altin Dumani po bëhet “vrasës i pluralizmit”. “Nuredini vërtet ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë por ky karafil kujton se mund të bëhet vrasës i suksesshëm i pluralizmit në vend. Gjë që kërkon ta arrijë përmes. McGonigalëve apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Ka parë shumë Ilir Meta si ky kushëriri i Nuredinit. Ca prisni që kushëriri i Nuredinit ka takuar McGonigal, këtë prisni ju? Të thotë kushëriri i Nuredinit që ka vajtur në Fier disa herë te Kastriot Ismailit, i dënuar në atë kohë, duke iu lutur të bënte dëshmi kundër Ilir Metës, se mbronte GJK në mënyrë që ai të dilte nga burgu dhe ky që nisi procedimin kundër Ilir Metës, mbi bazën e një delinkuenti të dënuar nga gjykata për dhunë në familje”, deklaroi Meta.
Meta tregon “muskujt”
Më tej kreu i PL, Ilir Meta theksoi se nuk ka bërë asnjë kërcënim ndaj tij. Por në mbyllje të deklaratës, për Dumanin tha se duhet të ketë kujdes se nga do ikë nëse vazhdon me veprime mafioze, ndërsa shtoi se PL ka 300 mijë si Vojo Kushi. “S’kam bërë asnjë kërcënim, nuk jam nga ata që kërcënojnë aq më tepër drejtësinë. Unë jam këtu për të mbrojtur pluralizmin politik, i cili është gjymtuar për shkak të kapjes së drejtësisë. Unë kam qenë i vetëm në një parlament 100% të kapar, lidershipi i opozitës 100% i shitur, përveç doktorit. Në të gjitha betejat e mira Venecia, edhe pse në presione shumë të mëdha, shkeljet ishin aq flagrante sa vendosi në bazë të parimeve më të larta të demokracisë dhe mbajti krahun e presidentit që mbrojti kushtetutën. Të përdoret një institucion si SPAK për të marrë peng pluralizmin politik, ajo që ka ndodh me Berishën është përpjekje për të marrë peng PD, për të marrë peng PL. Këto nuk do ndodhin kurrë, kjo do jetë shumë e qartë. Do t’i japë fund pandëshkueshmërisë të shkojë t’i vërë hekurat Ramës. Ca ndrite në këto 3 vjet, arrestoi drejtorët që të shpëtosh kryebashkiakun, arreston drejtorët që të shpëtojë ministrat. Ta ka thënë vetë Ahmetaj kush është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. Ti s’ke fuqi t’i gjesh dhe s’të lënë t’i gjesh se je i kapur. Ky që thërret gazetarët dhe i thotë se do bëjë çudira kundër Ilir Metës, duhet të shkonte atje te rruga e Ersekës, bie rruga e re. Unë njeri nuk kërcënojmë por unë jam Ilir Meta o superbudallenj, o super tarallakë, kudo ku jeni në politikë e SPAK. Ai të ketë kujdes se do ku do ikë nëse vazhdon me veprime të paligjshme, mafioze”, u shpreh ai.
Reagon Manjani
Por akuzat e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani duket se nuk qëndrojnë. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, me partinë e Ilir Metës, ka nxjerrë zbuluar ish-kryetarin e tij të partisë, në lidhje me akuzat kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumani. Pas sulmeve të Metës ndaj Dumanit, Ylli Manjani në një reagim në rrjetet sociale, zbuloi dje se Altin Dumani nuk ka asnjë lidhje gjaku apo farefisnie me Nuredin Dumanin. Sipas tij janë dy fise të ndryshme nga krahina të ndryshme. “Edhe njëherë, kërkohet fokusi tek sistemi i dështuar dhe jo tek personat. Meqë ra fjala, Altin Dumani nuk ka asnjë lidhje gjaku apo farefisnie me Nuredin Dumanin. Janë dy fise të ndryshme nga krahina të ndryshme. Kot, sa për informacion dmth”, shkroi Manjani.
Çfarë ndodhi?
Ndërkohë kujtojmë që dy ditë më parë në panik të thellë nga burgu, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në një intervistë televizive se Kreu i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani është mbrojtës i pandëshkueshmërisë dhe se ka pasur takim sekret me McGonigal. Ai akuzoi Altin Dumanin se mburret se do të arrestojë Ilir Metën. “Hetimi i SPAK-ut tarallakut ka nisur në dhjetor të 2019, me prokuror Altin Dumanin, që bën si i fortë dhe mburret se do merret me Ilir Metën dhe se ka mbështetjen e amerikanëve. SPAK ka nisur hetim në dhjetor 2019 për CEZ. Sipas të dhënave të mia, pas takimeve të Dumanit me McGonigalin e Edi Ramës. Dhe pse ka nisur në 2019 për një çështje të mbyllur? Ka nisur që Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Ramës, që të mos kishte asnjë mendim pakice dhe të asgjësohej drejtësia”, tha Meta dy ditë më parë. Sakaq, Meta sulmoi SPAK dhe prokurorët: “SPAK është nën hetim nga unë. Unë jam një patriot shqiptar dhe SPAK një organizatë që kërkon mandat tjetër pasi ka marrë një mandat 9 vjeçar dhe pasi merr nga 7-8 mln rroga. Ka vite që shkatërron zgjedhjet në Shqipëri”, theksoi ai. Po ashtu, Meta e humbi fare, pasi kërkoi përballje me Altin Dumanin. “Ma sillni këtu Altin Dumanin. Do të frenojë Ilir Metën të sjellë pluralizmin. E duke kapur ndonjë laraskë lart e poshtë po tenton të marrë Partinë e Lirisë. I duhet Edi Ramës të marrë peng PL, siç mori peng PD dhe vulën. Ma sill këtu Altin Dumanin ta shohin shqiptarët. E akuzoj për veprimtari politike të qëllimtë. Ky person nuk ka kurajo t’i vërë Ramë hekurat për inceneratorët. Nuk ka kurajo t’ia vërë Veliajt hekurat. U jep pyetje gazetarëve të vetë që është Meta andej e këtej. Nuk kam asgjë për të më hetuar. Kam qenë zyrtari më korrekt i këtij shteti”, nënvizoi Meta i tensionuar.