Partia Demokratike zyrtare ka hedhur dje akuza të forta në adresë të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ndërkohë që ka shigjetuar edhe presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilët së bashku me kryeministrin Edi Rama i akuzon se kanë pazare me njëri-tjetrin. Ka qenë kreu i PD, Lulzim Basha, i cili ka folur dje në një konferencë për shtyp për ligjin që kalon pronat publike tek privati dhe që u miratua këtë të enjte në Kuvend me votat e mazhorancës, teksa e quajti këtë si një ligj të porositur nga oligarkët që duan të marrin pronat publike dhe një prej tyre që synojnë është Instituti Albanologjik i Tiranës. Sipas tij, kjo është një nga mijëra pronat që po synohet përmes këtij ligji. “Indiciet fillestare të marra përmes denoncimeve që vijnë në Partinë Demokratike, tregojnë se interesat e personave të shpallur non grata për arsye të krimit të organizuar dhe influencimit dhe korruptimit të zgjedhjeve, i kanë vënë sytë Institutit Albanologjik të Tiranës. Kjo është një nga mijëra pronat që bie nën këtë ligj dhe që po synohet përmes këtij ligji. Megjithatë ne, bashkë me departamentin Anti-Korrupsion, me departamentin tonë juridik po bëjmë analizën e plotë. E sigurt të jetë që në momentin e parë që të kemi diçka si me thënë është përtej dyshimit, këtë do ta bëjmë publike dhe do ta çojmë aty ku duhet çuar në SPAK”, deklaroi ai.
Paktet dhe kulisat
Më tej Basha e denoncoi ligjin si një përpjekje të radhës korruptive për grabitjen e pronave publike për përfitim të disa oligarkëve të qeverisë. “Miratimi i djeshëm me votë, njësoj si miratimi i amnistisë para disa javësh, vetëm sa nxjerr zbuluar se as Edi Rama dhe as qeveria e tij jo vetë, që nuk janë serioz, por nuk janë në gjendje të formulojnë asgjë që është e pakorruptuar. Larg prej kësaj, ata vazhdojnë dhe në këto muaj të fundit të mandatit të tyre qeverisës të zhvatin, të shpërdorojnë, të tjetërsojnë çdo pasuri publike dhe taksat e shqiptarëve. Ky është Edi Rama, kjo është e vërteta e luftës kundër korrupsionit të shpallura me tam tame disa javë më parë. Fakti është që asgjë nuk mundet dhe nuk do ta devijojë rrugën 11 vjeçare të korruptuar të kësaj qeverie, përveç nje përpjekje të përbashkët për ta larguar me votë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe një përpjekje të vazhdueshme për të çuar para drejtësisë dhe prapa hekurave aty ku askush s’ju bën dot derman, as Edi Rama, as oligarkët, këdo që abuzon me paratë dhe me pasuritë e shqiptarëve. Kjo është çështja kryesore ku doja të vendosja theksin dhe vëmendjen sot”, u shpreh ai.
Akuza ndaj Ramës-Berishës-Metës
Ndërkohë Basha thotë se ka diferencë mes trekëndëshin Rama-Berisha-Meta, pasi i qëndron si forcë politike një axhende reformuese. “Produkti i kësaj politike 34-vjeçare jeni dhe ju. Ajo që bën diferencë është qëndrimi dhe rekordet. Sot qëndrojmë me një axhendë reformuese për të lënë pas një politikë 34-vjeçare. Shqipëria vuan sot pasojat e një politike të personalizuar. Është personalizimi i gjithçkaje, i institucioneve shtetërore, debatit publik. Është kjo kulturë politike që e trajton Shqipërinë si çifligun e tyre. Në rekordin tim persona të PD qëndrojnë përpjekje të vazhdueshme për ta shkëputur Shqipërinë nga kjo politikë ciklike. Dy janë shtyllat transparenca dhe fundi i pandëshkueshmërisë. Kemi arritur të vendosim standarde që politika të jetë biznes. Kemi propozuar vettingun e politikanëve, heqjen e imunitetit të deputetëve. PD ka një koncept të konsoliduar ndryshe për vendin. Më diferencon mua me këdo që ka pasur përgjegjësi për këtë vend. Asnjë prej tyre nuk përbën më zgjidhje për Shqipërinë. Me hapat që kemi hedhur kemi treguar që jemi në shërbim të interesit publik”, tha Basha.
Lëvizjet e Metës
Sakaq, Basha komentoi edhe Metën duke thënë se bën si i djathtë dhe demokrat për ti marrë votat demokratëve dhe për t’ia çuar Edi Ramës. Duke u ndalur tek propozimet e tij për vettingun e politikanëve apo reformën zgjedhore i ka pasur vite më parë dhe jo kur u përça PD-ja. “Është e lehtë të arrish në konkluzione bazuar në fushë vështrimi subjektiv. Vettingun e politikanëve e kemi propozuar që në 2016. Kemi prej vitesh që propozojmë reformën zgjedhore. PD ka qëndruar koherente dhe nuk ka ndryshuar kurs, për ndërtimin e një shteti. Duhet të kemi votë në Kuvend për të ndryshuar. Gjithë synimi ynë është që sot shqiptarëve tu shpalosim një platformë të besueshme”, shprehet Basha. Së fundmi kryedemokrati dha një koment për megaoperacionin e SPAK në bashkëpunim me policinë e shteti në disa qytete të vendit. Operacioni është në vijim. Mbështesim pa rezervë të gjithë veprimet e BKH dhe SPAK. Krimi i organizuar është problem për vendin. Nuk do ishte në këto nivele nëse nuk do ishte në bashkëpunim me qeverinë. Është përgjegjësi politike dhe dhjetëfishimin e krimit të organizuar”, nënvizoi Basha.