Kryeministri Edi Rama ka pranuar ditën e djeshme skandalin e vjedhjes së fondeve të BE nga AZHBR. Në vizitën e tij në Kroaci, ai u shpreh se qeveria do të marrë masa për të riorganizuar administrimin e fondeve të BE dhe ka kërkuar mbështetje për procesin e negociatave, turizmin e sigurinë kibernetike. “Kemi kërkuar mbështetje direkte për procesin e negociatave dhe duam të përfitojmë sa më shumë mbështetje për turizmin, sigurinë kibernetike, ndihmën aktive në funksion të punësimit, si edhe për të trajtuar në mënyrë specifike raste, siç është rasti që ne kemi aktualisht lidhur me disa korrektime që do bëjmë në fushën e administrimit të fondeve të BE për bujqësinë, se një raste të ngjashëm ka pasur edhe Kroacia dhe na intereson të mësojmë për adresimin struktural që ka bërë qeveria e Kroacia”, tha Rama. Por kryeministri shqiptar edhe pse hoqi këtë paralele me Kroacinë, ai nuk përmendi arrestimet që bëri Zagrebi pasi u zbuluan abuzimet me fondet e BE. Prokuroria iu vendosi prangat ish-ministres së Kroacisë për Zhvillimin Rajonal dhe Fondet e Bashkimit Europian nga viti 2016 deri në vitin 2019 dhe disa bashkëpunëtorëve.
Sinjale për arrestime
Kjo deklaratë e kryeministrit Rama vjen pasi SPAK konfirmoi pak ditë më parë se ka nisur hetimet për skandalin me fondet e BE. Brukseli ndërpreu fondet IPARD, pra paratë që shkojnë për bujqësinë, pas dyshimeve se ka abuzime dhe korrupsion. Madje është bërë dhe një padi në SPAK lidhur me këtë çështje nga OLAF. Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me gazetarët ka konfirmuar se kanë nisur hetimet për këtë dosje. Pasi çështja u pushua për moskompetencë, ka një hetim të ri tha ai. “Hetimet për këtë dosje kanë nisur dhe janë në proces paraprak. Po verifikojmë nëse ka vepër penale apo jo”, ka thënë Dumani. Po a do të pësojë të njëjtin fat ish-ministrja Frida Krifca dhe bashkëpunëtorët e saj? Gazeta ka raportuar pak kohë më parë se si Frida Krifca çoi fondet e bujqësisë në qoka për deputetë, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Abuzimet e AZHBR i konstatoi në vitin 2019 dhe KLSH. Në raportin e tyre thuhej se në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, ish-drejtoresha Frida Krifca, ka bërë abuzime të shumta financiare në buxhetin administrativ e grande bujqësore të fermerëve. Në raport thuhet se Krifca ka përdorur 25% të fondit të grandeve bujqësore e blegtorale, për reklama mashtruese ndaj donatorevë e fermerëve. Shkelje e rëndë është mos-veprimi për 2 miliardë lekë të reja kredi të dhëna e të pashlyera, duke i cilësuar “humbje pa kthim”, kur bizneset janë aktive e me pasuri të shumta; ndërkohë që këto vlera nuk i kanë përdorur për biznese agro-bujqësore. Paçka se ligji e përcakton, që grandet jepen vetëm për fermerët, rezulton se 70% e vlerës është marrë nga biznesmenë ndërtimi e transportesh, madje dhe nga ndërtues kullash. KLSH ka konstatuar, se në gjykatë janë bërë 30 akt-padi për debitorët, mirëpo me urdhër të ish-drejtoreshës Frida Krifca sot Ministre Bujqësie, atyre u është kërkuar vetëm zgjidhja e kontratës dhe jo kthimi i milionave që u janë dhënë, ndërsa më pas AZHBR është tërhequr nga akt-paditë. Në raport, thuhet se në llogarinë e Agjencisë Zhvillimit Bujqësor Rual për vitet 2017-2018, mungojnë 2.1 milionë Euro interesa grandesh, për të cilat nuk ka dokumentacion.