Të papranueshme e konsideron ish-prokurori Shkëlqim Hajdari gjuhën e përdorur nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Hajdari u shpreh se Meta ka kryer veprën penale të fyerjes së gjyqtarit. Po ashtu, ish-prokurori Shkëlqim Hajdari paralajmëron arrestime politikanësh, pasi sipas tij, ka mbaruar afati i hetimeve të 6 dosjeve. Po ashtu, ai thekson se Prokuroria Speciale (SPAK) të ketë kujdes nga “diversanti” që mund të tronditë hetimet dhe të bëjë një rrëmujë të paparë.
-Zoti Hajdari, si e komentoni retorikën e ashpër që kreu i PL, Ilir Meta ka përdorur këto ditë ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, gjëja e parë që keni menduar kur e keni dëgjuar?
Këtë gjë e kam përjetuar në dy plane, në planin e parë e kam menduar që më shumë se kaq nuk mund të sulmohet SPAK-u dhe shumë mirë që u sulmua nga një ish-zyrtar i lartë, ish-President se kjo i shërbeu për mirë SPAK-ut. Ndërsa planin e dytë e kam përjetuar me shqetësim jo se do të ketë ndonjë efekt për të ndaluar punën profesionale të SPAK-ut, por flet jo një njeri i thjeshtë me emër dhe mbiemër por një ish-President, ish-kryeministër me 32-vite në politikë, i cili më këtë lloj gjuhe dhe nëse ka të drejtë për pretendimet e tij, kjo gjuhë është totalisht e papranueshme, jo të një politikani të kohës moderne por as të një politikani në kohën e monizmit, por të një zyrtari të zakonshëm i cili mendon se ndaj tij po bëhet një hetim i cili mund ta penalizojë dhe me pa të drejtë. Është gjuhë që më shumë se kaq nuk mund të sulmohet SPAK, kjo është maja.
-Dy citime të Metës: Altin Dumani është takuar me McGonigal, të cilën kreu i SPAK i ka mohuar dhe tjetra se: Dumani më ka sjellë njerëz në zyrë dhe më kanë kërcënuar largohu nga Shqipëria pasi do të arrestojmë, këto dy pika a duhet të faktohen si akuza?
Unë nuk përjashtoj ndonjë McGonigal që mund të jetë afër Altin Dumanit, por në informacionet që kam dhe aq sa e njoh Dumanin, Dumani nuk bën të tilla veprime absolutisht. Por nëse ka ndonjë McGonigal aty afër Dumanit, mund të bëj ndonjë lëvizje në emër të tij, punë mollësh e dardhësh, Dumani do ta zbulojë shumë shpejtë. Shpërthimi i Ilir Metës dhe zotit Sali Berisha tregon se nuk kanë më fuqi mbi sistemin e drejtësisë, pasi po të kishin fuqi nuk do kishin nevojë me bërtit.
-Ata thonë se po gjykohemi për gjëra të gabuara…
Ata nuk kanë më fuqi për ta devijuar dhe kërcënuar Dumanin, pasi nuk kanë kanale joshëse, kanale për t’i thënë se unë të kam dërguar prokuror në SPAK. Këto politikanë nuk i kanë dhe ky është lajm i mirë, pozitiv dhe tani ngelen mediat e televizionet të kërcënojnë.
-Ndodh kjo në vende të tjera, si veprohet në të tilla raste në gjykimin tuaj?
Politikanët tonë ia kalojnë edhe Trump-it me akuza ndaj sistemit të drejtësisë.
-Thuajse gjithmonë kur ka deklarata të Metës dhe politikanëve të tjerë, vijnë reagime nga SHBA në mbështetje të SPAK-ut, kaq e nevojshme është kur të gjithë e dinë që SPAK e ka mbështetjen e SHBA-ve?
E ka mbështetjen e SHBA-ve, dhe SHBA e BE janë brenda SPAK-ut pasi jemi shoqëri e hapur dhe në ndjekje penale. Ka këshilltarë, letër porosi që shkëmbejmë me Britaninë, me Francën, me Austrinë, shkëmbejmë teknikat e hetimit bashkohor. Ato dinë gjithçka për SPAK-un. Më shumë dinë partnerët ndërkombëtar profesional, jo politik dhe ato janë të lidhura me shtetet e tyre. Ato përderisa japin informacione, ato kanë informacionet e sakta që SPAK-u po punon.
-Më parë keni thënë se të gjithë po shqetësohen nga SPAK-u se priten arrestime dhe ndalime shumë të forta dhe dosje shumë të nxehta, vazhdoni të mendoni njësoj?
Kam thënë këtë, por jo duke iu mbështetur te arrestimet, pasi arrestimet nuk i quaj ndonjë sukses shumë i madh. Për mua e rëndësishme është të përfundojnë dosjet, të merren njerëz të pandehur nëse ka prova dhe të shkojnë në Gjykatë dhe të marrin fajësinë dhe më pas të marrin dënimin. Dosjet që SPAK ka në dorë do të kenë përfundime dhe dihet që përfundimet do të jenë o me dërgim në gjyq ose me pushim të çështjes kundër provave. Disa dosje po ecin mirë me prova dhe duket qartësisht se shumë shpejtë të kemi goditje të disa njerëzve. Do të jenë goditje tre dhe katër këndore sepse do ta nxirrnin SPAK-un përpara opinionit publik vërtetë në 365 gradë. Janë disa dosje ku politikanët e përfshirë në hetime ose vartësit e tyre shkëmbejnë akuza me njëri-tjetrin dhe SPAK-u do ta kalojë edhe këtë provë rrethimi. Iu sugjeroj ish-kolegëve të mi që të mprehin lapsin dhe sytë dhe të vazhdojnë vetëm të dëgjojnë dhe të mos flasin, të shohin provat dhe të jenë më vigjilent me njëri-tjetrin se mundet ndonjë pjesëtar të marr informacione për dosjet e SPAK-ut, mund të këtë ndonjë diversant duke nxjerr informacione nga aty dhe bën një rrëmujë të paparë, trondit hetimet, zgjon mllefe tek njerëzit që janë jashtë, krijon keqkuptime.
-Deklarata e Dumanit thotë se çfarë do të ndodh me ne pas 9 vitesh kur nuk është më në atë detyrë që është dhe kur ka marrë këto vendime që ka marrë, sa i kërcënuar duhet të ndihet, a jeton dot më në Shqipëri?
Kjo është një histori delikate sepse ka dy vendime profesionale, a do t’i kemi me mandate apo të përjetshëm. Nëse ti gjatë punës tënde si prokuror dhe si gjyqtar je i qetë dhe goditjet që u ke bërë njerëzve janë të drejta e të ndershme të bazuara në prova, të mos kenë frikë pasi fatin nuk e kanë të lidhur me njerëzit.
-Gjyqtari Agron Zhukri është përjashtuar nga sistemi gjyqësor dhe i drejtësisë, është shkarkuar nga vettingu ai i cili i dha vulën Partisë Demokratike të Sali Berishës. Vetingu po vijon me spastrimet?
Nuk kanë ngelur dhe shumë magjistra, gjyqtarë dhe prokurorë, me informacionet që disponoj në muajin korrik mbaron, 60-70 janë. Fundi i këtij viti e gjen procesin e vettingut dhe në nivelin e parë dhe në komisionin e Apelimit të mbaruar. Ka qenë një proces i fortë dhe i dhimbshëm, ka përmbushur misionin për të cilin u ndërtua. Janë djegur nga vetingu dhe njerëz të cilët kanë punuar dhe në Gjyqësor dhe në Prokurori pasi 90% janë djegur për komponentin e pasurisë. Një pjesë kanë qenë të pakujdesshëm, nuk kanë ditur se do iu kërkohet llogari për ndonjë banesë, për një udhëtim, për një lekë që e kanë marrë në dorë nga vëllai a motra e nuk e justifikon dot dhe është një numër i konsiderueshëm i gjyqtarëve dhe i prokurorëve për të cilët ndjej dhimbje.
-Ka qenë një epokë tjetër atëherë në Shqipëri, pasi me gjyqtarët dhe prokurorët e rinj do të ishte më e vështirë duke pasur kaq shumë shkallë dhe kontrolle vetingu që kalohen?
Pas 31-vitesh tre pushtetet bashkë me pushtetin e katërt, median, kanë reformuar sistemin Gjyqësor dhe për të mos përfunduar Republikë Prokurorësh, sepse një vend demokratik qoftë dhe elitat kur shkelin ligjin, rrezikojmë të shkojmë drejt asaj dhe nuk duhet të shkojmë.
-Vetingu po spastron shkallët e drejtësisë gjyqësore, SPAK-u e pastron dot politikën?
SPAK-u nuk është organi i vetëm që duhet të pastrojë politikën se ndryshe humbet misionin. SPAK-u të hapin veshët, të dëgjojnë mirë çfarë tha Dumani kur ishte para KLP-së, ka rënë numri i kallëzimeve që duhet të vijnë nga autoritetet ligj zbatuese, të reflektojnë. Të risin numrin e dosjeve të hetimit. Dumani ka thënë publikisht organeve ligj zbatuese të risin bashkëpunimin me SPAK-un por SPAK-u po bën detyrën e vetë. Ajo që kërkon SPAK të rritet efiçenca dhe të mbyllen e shpejtë të dosjeve ne duhet t’i shikojmë me precedencë. Pas 6-7 vitesh në Shqipëri do të bëhet Reforma Zgjedhore dhe e pushtetit politik, deri në Kushtetuese se përndryshe SPAK-u i pastron vetë me kosë dhe dalin disa njerëz normal. Të dalin me lista të hapura, votim elektronik, votimi i diasporës janë minimumi i demokracisë, të rregullojmë dhe votimin e presidentit, mënyrën si kontrollohet qeveria, të rregullojmë dhe referendumin, kjo është demokracia. Aktualisht janë në tryezë dhe po diskutohen.
-Por këto ndryshime nuk i do asnjëra nga palët?
Nuk i duan politikanët por i duan shqiptarët. Publiku shqiptar e ka në dorë duke mos iu dhënë votën. E duan publiku shqiptar, shumë shpejtë do ta dojë dhe faktori ndërkombëtar. Do kthehet vëmendja dhe për demokraci funksionale në Shqipëri. Do të bëhet vendi më i lulëzuar në Ballkan me një bashkëpunim absolut me SHBA duke ofruar garanci për stabilitetitin e Ballkanit dhe populli shqiptar nga ikja do të vijnë sërish.
-Në Shtator thatë se në tre muajt në vijim shoh se mund të ketë lëvizje dhe kjo është një ndjesi e imja, nuk kam informacion?
Absolutisht që po, ka mbaruar afati i hetimeve të 6 dosjeve që janë përfshirë njerëz të politikës dhe krimit të organizuar, këtë herë pa diskutim pranvera nuk erdhi vetëm.