Deputeti Gazment Bardhi rikthehet sërish “në krahët” e ish-kryeministrit Sali Berisha. Së fundmi, ai bëri një zgjedhje të qartë: u ul në gjunjë para Doktorit tek rrugica e famshme. Vendimin, Bardhi e mori menjëherë pasi u kthye nga vizita në Uashington. Kjo lëvizje ishte e papritur se para kësaj, Bardhi doli kundër Sali Berishës për akuzat ndaj Altin Dumanit se është i kapur nga Edi Rama, madje ai ngriti në “qiell” amerikanët, armiqtë e ish-kryeministrit demokrat. Bardhi bëri një kthesë të madhe dhe deklaroi hapur me gojën e tij se është krah Sali Berishës. Pasi i shkoi poshtë dritares, ai tha në një emision se i bindet vullnetit të shumicës së anëtarëve demokratë, për të zgjedhur si kreun e tyre, Sali Berishën. Për këtë lëvizje ka patur reagime të shumta. Ata kanë treguar dhe arsyet e fshehta që mund të kenë detyruar Bardhin të ulet në gjunjë para banesës së Berishës.
Prapaskenat e vizitës në Uashington
Një argument është se Bardhi nuk është pritur mirë në Uashington. Avokati i njohur Spartak Ngjela tha se “Uashingtoni ka deklaruar e SPAK-un e drejtojmë ne dhe Saliun e ka arrestuar SPAK. Ai është non-grata në Amerikë. Çfarë po ndodh? Nuk e di çfarë kanë biseduar në Amerikë, mbase e kanë dëbuar atje. Derisa vjen këtu dhe shkon te Saliu që është non-grata, mbase e kanë pritur ftohtë. Fakti është që Saliu është i arrestuar nga SPAK. SPAK drejtohet nga SHBA dhe BE. Saliu dhe dhëndri i tij janë arrestuar për korrupsion. Këta i thonë popullit “lironani ne”, ata nuk i shkojnë. Pse nuk i shkojnë? Sepse kanë kuptuar që kanë para të paligjshme”, tha ai. Të njëjtin mendim ka dhe ish-kreu i SHISH Fatos Klosi. “Amerikanët e kanë Shqipërinë të rëndësishme. Amerika qëllim kryesor ka të ketë një shtet të fortë jo të korruptuar. Bardhin e thirrën në takim se është faktor. Donin ti tregonin opinionin e tyre për situatën në Shqipëri. Me sa duket vajtja te rruga e lirisë lidhet me faktin se atij s’i ka pëlqyer ajo që i kanë thënë amerikanët”, u shpreh Klosi.
Plani për të marrë PD
Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe tha se Gazment Bardhi nuk ka qenë asnjëherë kundër Sali Berishës, duke iu referuar lëvizjes së deputetit, duke i shkuar poshtë ballkonit ish kryeministrit. Ai tha se plani përfundimtar që dështoi ishte marrja e PD. “Bardhi, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse u kthye atje nga ishte nisur. Bardhi nuk ka qenë asnjëherë kundër Berishës. Bardhi është një formacion deputetësh, nuk është një strukturë politike, pra është një grup deputetësh, të cilët Berisha i penetroi në krahun Bashës, me qëllim që ky grup deputetësh, të merrnin, të okuponin partinë e Bashës, ta bënin përsëri nën ombrellën e Berishës. Fakti që faktori Basha së bashku me përkrahësit e vet, arritën të përballonin këtë lloj agresioni, ishte skenar për të marrë partinë e Bashës. Nuk e mori një gjë të tillë. Po kthehen në origjinë, ata asnjëherë nuk kanë qenë kundër Berishës. Gjithmonë kanë qenë të Berishës, nëse sot i sheh me Berishën, nuk është një gjë e re, nëse trumbetohet me të madhe bashkimi, nuk është bashkim se nuk ka pasur ndarje. Ka pasur një skenar, por nuk ka pasur ndarje”, theksoi ai. Edhe analisti Skënder Minxhozi thotë se Bardhi u shtir sikur nuk është me Berishën. “Gazmend Bardhi shtiret sikur me Berishën nuk e lidh asgjë përveç tymit e pirgut të karrigeve në Kuvend, duke shitur majtas-djathtas lavde boshe për amerikanët dhe drejtësinë e re. Oratoria e tij shkon drejt Rrugës së Elbasanit, por sjelljet e tij shkojnë drejt Rrugicës së Berishës. Ashtu si ai vetë, kur zbriti me celular në dorë poshtë dritares së Berishës, duket tentuar të hiqet sikur kishte qëlluar aty rastësisht e nuk po i dëgjonte piskamat e Berishës kundër Dumanit dhe Sorosit. Është mirë që më në fund Gaz Bardhi zgjodhi një palë. Sepse më të këqinjtë në këtë betejë ku luhet e sotmja dhe e nesërmja e të gjithë politikës shqiptare (jo vetëm e opozitës), janë ata të tipit “as mish as peshk”. Dhe Gaz Bardhi ka vite që është i tillë. Të paktën po fillon të zgjedhë më në fund, duke i dhënë mundësi që të jenë më të qartë edhe ata që e ftuan në Uashington”, shkruan ai. Shpifjet dhe thashethemet janë talenti dhe aftësia që ka zbuluar së fundmi Gazment Bardhi. Këtij personazhi që e shet veten për jurist, i janë errësuar sytë e arsyes dhe kërkon me çdo kusht, me shpifje, gënjeshtra, thashetheme, dhunë, furtunë, e deri në apokalips të vlerave të demokracisë, të mbajë në lojë Sali Berishën që e lanë amerikanët pa parti, pa vulë dhe pa sigël. Qëndrimi i tij kohët e fundit i la të gjithë pa gojë, jo vetëm opinionin publik shqiptar por edhe atë ndërkombëtar, pasi Bardhi ka shkëmbyer akuza të llahtarshme me Sali Berishën që kur amerikanët e futën në “listën e zezë” familjarisht me akuzat e korrupsionit madhor dhe minuesit të demokracisë. Gazment Bardhi nuk sulmoi vetëm Berishën, por edhe aleatin e tij Ilir Meta dhe besnikët e tij që i shkuan nga pas. Në fund për interesat e tij personale ai ka “gëlltitur” çdo akuzë. Ai nuk hëngri vetëm turpin me bukë, por i futi dhe një gotë verë nga prapa, sepse që kur është bashkuar me Berishën ka filluar të flasë përçart duke mohuar të gjitha sulmet e Berishës.