Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, u themelua në dhjetor të vitit 2019 me qëllim hetimin e korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar. SPAK-u, së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH, përbëjnë një strukturë të posaçme e cila disponon gjithë kompetencat dhe instrumentet për të përmbyllur hetimet pa nevojën e institucioneve të tjera ligjzbatuese, por edhe pse po bëhet një kohë e gjatë një pjesë e çështjeve të rëndësishme të korrupsionit në nivelet e larta ende nuk ka plasur. Hetimet për aferën “CEZ-DIA” të Ilir Metës dhe dosjen e “Haklajve” të Sali Berishës kanë një kohë të gjatë që po hetohen nga SPAK, por ende dosjet nuk janë çuar në Gjykatë. Gazeta “SOT” u interesua tek avokati Idajet Beqiri se çfarë ndodh në këtë situatë kur tejkalohen afatet e hetimeve. Idajet Beqiri thotë se kjo është një skemë e SPAK. Sipas tij, prokurorët specialë përdorin si metodë regjistrimi të dosjeve pa autor dhe në një rast të tillë afatet nuk ikin deri në momentin që e stigmatizon autorin e veprës penale edhe vetëm prej aty vazhdojnë afatet e tjera. “Problemi është që SPAK po luan me ato prova që i ka faktikisht, sepse kur fillon një çështje penale e regjistron atë me autor, ndërkohë që këtë e regjistroi pa autor dhe në një rast të tillë afatet nuk ikin deri në momentin që e stigmatizon autorin e veprës penale edhe vetëm prej aty vazhdojnë afatet e tjera”, u shpreh avokati.
Skema e SPAK
I pyetur se pse SPAK ndjek këtë mënyrë, sipas Idajet Beqirit është çështja e kohës. Ai sjell si rast kallëzimin e tij penal për dosjen e Haklajave, e cila njësoj si “CEZ-DIA” është regjistruar pa emër. “Që të fitojnë kohë, edhe në këtë mënyrë justifikon zvarritjet, i lë aty të zënë myk për kohë të gjatë. Në këtë situatë është edhe CEZ-DIA po ashtu edhe mjaft dosje të tjera si vrasjet e Haklajve ku Berisha është i dyshuari kryesor për ato vrasje. Këto dosje SPAK i ka në gjendje që në momentin e marrjes së kallëzimit penal nga Izet Haxhia gati 4 vite më parë, por nuk regjistrojnë emrin e personave që duhet të vihen nën hetim, pra të autorit dhe mua si avokat i palës së viktimave më thonë se janë ende në hetim sa herë që i pyes”, shprehet avokati.
Detajet brenda SPAK
Po ashtu avokati Idajet Beqiri thotë se SPAK i intereson kjo skemë, pasi dosja do një punë intensive, me orare të zgjatura edhe ata nuk duan të bëjnë një sakrificë të tillë për ta mbyllur ne afatin e duhur duke qenë se e kanë këtë mundësi të afatit kohor deri në ditën që regjistrojnë autorin, si dhe 9 muajve kohë të tjera pas kësaj që mund të kryesh hetimin. “I intereson sepse së pari ajo do një punë intensive, pra do që të punosh me orar pa orar sepse dosja ka punë brenda edhe ata nuk duan të bëjnë një sakrificë të tillë për ta mbyllur ne afatin e duhur duke qenë se e kanë këtë mundësi të afatit kohor deri në ditën që regjistrojnë autorin, si dhe 9 muajve kohë të tjera pas kësaj që mund të kryesh hetimin. Më pas nuk i justifikon më njeri. Së dyti edhe vet SPAK brenda byrosë së hetimit apo edhe vet prokurorëve ka plot element që bëjnë një lloj përllogaritje sesi do ecin çështjet qe kanë në duar, të merret vendimi për to njëherë. Pastaj zbutet situata edhe kundrejt tyre edhe presionet zvogëlohen, pra gjëra që nuk janë të natyrës objektive sepse shteti është shtet dhe nuk do t’ia dijë për frikërat nga krimi i organizuar apo politikanët e lidhur me krimin”, përfundon reagimin avokati Idajet Beqiri.