Gazeta “SOT” po sjell në vëmendje detaje të reja mbi një pak politik të heshtur mes PS, PD dhe ish-LSI-së për të shpëtuar Ilir Metën dhe politikanë të tjerë nga verifikimi nga ana e Autoritetit të Dosjeve, për lidhje të mundshme me ish Sigurimin e Shtetit. Edhe pse Kuvendi miratoi vitin e kaluar disa ndryshime në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit” pas një bashkimi votash mes mazhorancës socialiste dhe një pjese të opozitës, ndryshime që u fokusuan tek togfjalëshi “hapja e dosjeve”, asnjë gjë nuk ka ndodhur që prej asaj kohe. Socialistët dilnin çdo ditë nëpër media duke thënë se kishin gati ligjet për të nxjerrë Metën e Berishën nga politika. “PS prezanton edhe dy nisma të tjera për ndalimin e personave me lidhje në të shkuarën me ish-sigurimin famëkeq. Janë dy nisma, e para ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për integritetin e personave që zgjidhen dhe emërohen në funksione pulitke, ose ligi i dekriminalizimit dhe tjetra për partitë politike. E para parashikon ndalimin e personave për të marrë poste publike nëse vërtetohet lidhje me sigurimin e shtetit. Verifikimi kryhet në bazë të vetëdeklarimit dhe nëse rezulton i pavërtetë përveç humbjes për të qenë në poste publike personi ngarkohet me përgjegjësi penale. Nisma e dytë ajo për ndryshimin e në ligjin e partive ka të njëjtën qasje, pra nuk mund të jenë kryetar të Partive në sistemin demokratike ata që kanë qenë bashkëpunëtore të sigurimit. Këto dy nisma janë premisat e duhura ligjore që spiunët e regjimit të mos jenë më pjesë e asnjë posti publik”, shprehej PS për mediat. Por as Meta dhe as Berisha nuk pësuan gjë. Ligji për hapjen e dosjeve hyri në fuqi në dhjetorin e 2022 dhe prej gati 1 viti nuk ka asnjë lëvizje për të zbuluar dosjen e Metës. Si duket Rama e ndjen veten shumë mirë për sa kohë Meta e Berisha janë përballë tij. Këta të tre politikanë po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë. Si me skandalet e tjera që janë mbyllur pa zhurmë dhe ka vetëm debat publik sa për t’ju hedhur hi syve shqiptarëve.
Si nisi debati sërish për spiunët?
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes një dosje referuar në Kuvend, hodhi poshtë certifikatat e pastërtisë së figurës së Ilir Metës nga komisionet Mezini dhe Bezhani, duke e implikuar në ish Sigurimin e Shtetit. Sipas Autoritetit, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar edhe shokun e tij, Filip Talo. Pas këtij informacioni, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla doli në një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera tha se rasti ishte tronditës dhe Kuvendi duhet të reagonte patjetër. Ajo thirri kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i informoi mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I. M, si edhe shprehu gatishmërinë për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë. Ndërkaq, Ilir Meta ka mohuar që të jetë ai bashkëpunëtori i ish Sigurimit të Shtetit, duket hedhur poshtë informacionin e Autoritetit të Dosjeve. “Në atë kohë kam qenë vetëm Sekretar i Rinisë së Fakultetit të Ekonomisë. Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj. Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj. Ilir Meta ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij”, tha Meta. Ilir Meta kallëzoi penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve me pretendimin se kishin falsifikuar dosjen, duke e implikuar atë. Ligji u bë gati për ta zhdukur nga politika, por gjithçka u ndërpre në mes.
Politika pakt të heshtur
Meta edhe Berisha me votimin e ligjit, do t’iu duhej të largoheshin nga politika, pasi njëri ka qenë funksionar i lartë në PPSH, ndërsa tjetri bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Në rastin e Berishës, që i shkon për shtat edhe Metës, ka qenë ish-sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ai i cili ka bllokuar nismën, duke nxjerrë si kleçkë një rekomandim të Komisionit të Venecias. Këtë ndihmë ai e ka zbuluar në Komisionin e Ligjeve pak muaj më parë. Më konkretisht, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, zbuloi një letër të delegacionit të BE në Tiranë, që i kërkon ligjeve që kjo paketë ndryshimesh të jetë në përputhje të plotë me parime e vendosura nga Komisioni i Venecias. Nisur nga letra që mban firmën e ambasadores Christiane Hohmann, Bardhi tha në atë kohë se Kuvendi duhet t’i drejtohet për marrje opinion Komisionit të Venecias, duke e bllokuar dhe dërguar në “Kalendat greke” këtë nismë. Pra, Bardhi nuk ka bërë gjë tjetër, veçse është vënë në shërbim të komunistit Sali Berisha dhe fuksit Ilir Metaj, “Ju keni marrë një letër nga delegacioni i BE që të merrni parasysh raportet e Komisionit të Venecias, si në 2019 ashtu edhe për nismën e Vettingut në politikë. Ndaj unë them t’i drejtohemi për marrje opinion komisionit të Venecias”, deklaroi Bardhi.
Rama: Kaosi në Kuvend prej hallit me drejtësinë, kanë humbur kontrollin
Kryeministri Edi Rama komentoi ditën e djeshme nga Shkodra dhe situatën në të cilën ndodhet PD duke hequr një paralele me ndikimet që ka sjellë. Rama nënvizoi se PS duhet të mësojë nga gabimet e kundërshtarit. “Në mbyllje dua ti kthehem edhe njëherë Bashkisë Shkodër që ka të bëjë me mënyrën si duhet ta shohim PS në këto kohë. Ajo që po ndodh me atë partinë tjetër që është ndarë në copa dhe çika dhe do ndahet edhe më shumë ne na jep një mesazh shumë të qartë që ne duhet të kujdesemi që të bashkojmë sa më shumë njerëzit e zakonshëm. Shkodra është shembulli se si dhe pse ndarja nga lart poshtë me kast me këmbëngulje dhe me cinizmin e njerëzve të zakonshëm dhe vendosja e barrikadave në çdo lagje në çdo dardhë duke i ndarë njerëzit tanët dhe të tyret është komplet në dëm të njerëzve të vetë. Nga kjo ndarje në Shkodër kush përfitoi, qyteti që e pësoi duke e besuar fatkeqësisht këtë lloj qasje politike dhe ja ku është edhe partia e ushqeu këtë qasje. Të dyja edhe qyteti edhe partia që e ushqeu këtë qasje janë pasqyrë e faktit që këtë e pësuan vetëm njerëzit ata që e besuan dhe ata që nuk e besuan por nuk kishin se çfarë të bënin tjetër”, u shpreh Rama. Duke nënvizuar faktin se kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci është demokrat, kryeministri Edi Rama nuk kurseu një batutë në Asamblenë e PS. Ai tha se Beci nuk e ka marrë ende teserën e PS. “Beneti s’e ka marrë akoma teserën dhe s’ka për ta marrë po s’ja dha Elisa me zor. Po ia dha Elisa me zor do e marrë ta fusë në sirtar dhe t’i thotë Elisës kur të ikë e ke te zyra ime. S’ka problem kështu do jetë. Beneti mund të mos e marrë teserën por nga ne nuk ndahet më. Kemi marrë një shqiptar të zotin më shumë jashtë mureve tona.”, tha Rama.