Partia Socialiste pritet të përfshihet nga një valë ndryshimesh dhe shkarkimesh, ku më të rrezikuar janë ata zyrtarët të lartë, sidomos drejtuesit politikë në të 12 qarqet që kanë dëshmuar se kanë performancë të dobët apo janë “dembelë” dhe kanë llogari të hapura me drejtësinë. Megjithëse ka fituar 3 mandate, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë pak ditë më parë se ai asnjëherë nuk kënaqet me veten, punët e qeverisë dhe të partisë. Kryesocialisti paralajmëroi një fitore shembullore në zgjedhjet e 2025 krahasuar me të gjithë proceset e shkuara zgjedhore. E për ta arritur këtë, mesazhi që i përçoi Asamblesë përmes skanimit të çdo qelize të PS në bazë ishte i qartë. Organizatat Socialiste duhet të vetë-korrigjohen sa më shpejt në aspektet që lidhen me anëtarësinë fiktive, mospërputhjet mes partisë dhe elektoratit, shtimi grave dhe vajzave në parti, të hequrit dorë nga një parti e mbyllur dhe me një prezencë të shtuar të organizatave në komunitet. Kritikat e artikuluara ndaj të tijve ishin një paralajmërim se Partia Socialiste nuk mund të flejë e qetë mbi dafina si pasojë e asaj çfarë po ndodh në kampin Berisha-Basha-Bardhi. Në disa takime, Rama ka pranuar autokritikën sa teknike dhe politike të disa prej anëtarëve të Asamblesë që nuk kishin punuar sa duhet. Të tjerët jo aktivë dhe larg pritshmërie të skuadrës Rama, do ta mësojnë fatin e tyre mbase në asamblenë e ardhshme me 16 Marsit, ku nuk përjashtohen ndryshime jo vetëm në nivel drejtuesish politik në qarqe.
Prapaskenat
Por teksa jemi disa ditë larg mbledhjes së Asamblesë, gazet “SOT”, ka mësuar se Rama pritet të bëjë përmbysje në nivel drejtuesish politik të qarqeve të PS, ku pritet largimi i Niko Peleshit, Belinda Ballukut dhe Damian Gjiknurit, si dhe zhvendosja e Taulant Ballës dhe afrimi i Erion Braçes, Benet Becit dhe Pjerin Ndreut. Më konkretisht Blendi Klosi nga Vlora pritet atë shkojë në Qarkun e Beratit. Ndërsa Bledi Çuçi nga Berati në Vlorë. Ulsi Manja nga drejtues politik i Qarkut Lezhë prite të rikthehet në Dibër, duke zëvendësuar Belinda Ballukun që ka llogari të hapura në SPAK. Ndërkohë edhe Niko Peleshi duke qenë se ka punë me drejtësinë, pritet të largohet nga si drejtues politik i Partisë Socialiste dhe mund të zëvendësohet nga Elisa Spiropali. Kjo e fundit do t’ia lërë vendin e saj në Shkodër kryebashkiakut Benet Beci. Ndërkaq, vendin e lënë bosh nga Manja në Lezhë si drejtues politik, pritet ta zërë kryebashkiaku Pjerin Ndreu. Sakaq, Damian Gjiknuri që ka llogari të hapura me Prokurorinë e Posaçme, pritet të largohet si drejtues politik i Elbasanit dhe vendin e tij do ta zërë Taulant Balla. Zoti Balla pritet që të zëvendësohet në Fier nga Erion Braçe. Megjithatë të gjithë këto janë aludime dhe thashetheme mediatike dhe mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodh më konkretisht, duke qenë se kryeministri Edi Rama është njeri i surprizave.
Rama: Të bëjmë vetëkritikë meqë s’jemi të sfiduar
Ndërkohë për të treguar se e ka seriozisht dhe se “ka ndezur motorët” e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të diel në një takim me organizatat e Partisë Socialiste në Lezhë. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve të PS-së kryesocialisti e vuri theksin te hapja e partisë. “Partia Socialiste duhet të provojë që është e hapur për të gjithë.” Përgjegjësia e PS, nënvizoi Rama është që ta bëjë të pakthyeshëm progresin e bërë në drejtësi, në rang ndërkombëtar apo në ekonomi. “Partia Socialiste ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Për çfarë e bëjmë ne këtë proces”, deklaroi ai. Më tej Rama theksoi se duhet bërë vetëkritikë dhe vetëpërmirësim në kushtet kur, sipas tij, nuk janë të sfiduar nga një kundërshtar. “Ne e bëjmë këtë proces sepse për mua, them që duhet ta bëjmë me shumë vetëdije vetëkritikën tonë dhe vetëpërmirësimin tonë në kushtet kur ne nuk jemi të sfiduar nga një kundërshtar përballë”, nënvizoi Rama.