Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka hedhur hije dyshimi tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ku sipas tij Rrumbullaku me mbrojtjen që po i bën ngjarjes e nxjerr të duket si bashkëpunëtor. Ai shtoi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka gënjyer kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm kur i ka deklaruar se sistemi TIMS nuk është kopjuar. “Unë kam pasur prej vitesh një konsideratë shumë të lartë për zotin Rrumbullaku, polic karriere, por nuk do të doja të isha në vendin e zotit Rrumbullaku deri në gushtin e vitit të kaluar. Mënyra dhe forma si ai vazhdon ta mbrojë atë ngjarje aq të shëmtuar për të gjithë Policinë e Shtetit më ngjan sikur ai është bashkëpunëtor, bashkëfajtor dhe duhet të japë dorëheqjen. Kush është ai person që futet nga rruga brenda ambienteve të një objekti të rëndësisë së veçantë dhe futet në sistemet tona të sigurisë ku ka sekret shtetëror dhe tepër sekret, dy nivele të sistemeve. Kush e lejon këtë? Kjo është përgjegjësi direkte e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili ka gënjyer dhe ministrin e brendshëm dhe kryeministrin, pasi u ka thënë që sistemi nuk është prekur. Të dy sot ndihen të gënjyer këta, edhe kryeministri dhe ministri i Brendshëm se ato deklarime janë në bazë të një informacione që ky ka çuar në zyrat e tyre, ku i ka thënë nuk ka asgjë”, tha Karamuço. Vec kësaj ai ka analizuar skemën si Ervin Muça, drejtori i IT-së, në Policinë e Shtetit, ka ndërhyrë në sistemin TIMS.
Si Ervin Muça eksportoi të dhënat e sistemit TIMS?
Karamuço në analizën e bërë tregoi se ekspertiza vijon dhe do të shihet se cilët janë personat që janë selektuar dhe kërkuar në TIMS për të shkuar më pas te urdhëruesit. Sipas ekspertit, çështja do të zbardhet, madje ata që kanë ndërhyrë në sistem nuk e kanë menduar se do të angazhoheshin amerikanët. “Partnerët amerikanë kanë dhuruar laboratorin e fjalës së fundit të ekspertizës teknologjike në SPAK dhe SPAK-u nëpërmjet specialistëve, disa dhe të ardhur nga Amerika ka dhënë certifikimin e një fakti juridik, i cili është mbajtur i fshehur për 8 muaj. Është vërtetuar ndërhyrja në sistem dhe eksporti i të dhënave të TIMS. Duhet parë se ky është një hetim që po vazhdon. Gjej rastin të falenderoj prokuroren e çështjes Anisa Qilimi, ka pasur shumë presione, i kanë thënë çoje në laboratorin e Policisë Shkencore, të Policisë së Shtetit, që ta mbyllnin. U ka thënë jo dhe e çoi në laboratorin më serioz, atë të SPAK-ut dhe e shpëtoi këtë dosje, e ka nxjerrë në dritë. Këta shpresonin që ta mbyllnin këtë çështje. Hetimi vazhdon se kë ke selektuar ti kur ke ndërhyrë në TIMS, ke selektuar njerëz aty. E thotë prokurorja dhe do dalë kjo. Do dali kush e ka urdhëruar, do dali dhe në Komision Hetimor”, u shpreh Karamuço. Mes tjerash, eksperti i kriminalistikës shtoi se ata që po fshehin të dhënat, që sipas tij nuk janë shkatërruar, do të shohin ditë të zeza, pasi në ato të dhëna ka shtetas amerikanë që kanë hyrë dhe kanë dalë në vendin tonë.
Paralajmërimi
Karamuço tregoi gjithashtu se ka të dhëna të cilat po fshihen, por do të dalin në drite shumë shpejt. Sipas tij, të gjitha veprimet që kryhen bëhen me një leje paraprake nga personat që janë në gradë më lartë. “Ka diçka, të gjitha veprimet që kryhen nga një drejtor drejtorie bëhen me një leje paraprake të drejtorëve dhe me një memo shpjeguese. Është shtet ky. Ku janë të dhënat? Janë shkatërruar, janë shitur brenda Shqipërisë, janë shitur jashtë? Komisioni hetimor ka një të dhënë për një 1 milion eurosh. Se çfarë është ky 1 milion eurosh, do e zbulojë Prokuroria në vijim të hetimeve që po kryhen. Ditë shumë të zeza do të vijnë për ata persona që i posedojnë aktualisht ato të dhëna. Ato të dhëna nuk janë shkatërruar. Atë që e kanë marrë përsipër, ta bëjnë këtë që nuk është vetëm shteti shqiptar por janë ata të tjerët, aleatët më të fuqishëm që kemi. Ata do e marrin prapë atë të dhënë. Aty brenda ka të dhëna që shtetas amerikanë kanë hyrë dhe kanë dalë dhe këtë nuk ta falin. Do të vij një ditë që do thonë përse e morëm”, tha Karamuço.