Mesa duket “ethet” për kryeministrin Rama për dosjen “McGonigal” sapo kanë filluar. Ditën e djeshme u konfirmua me zë dhe figurë nga Drejtori i FBI-së, Christopher Wray se dy dosjet e tij penale po thellohen edhe më shumë. Teksa ishte i pranishëm në Komisionin e Mbikëqyrjes së Gjyqësorit në Senat, për të dëshmuar për një seri çështjesh, ligjvënësit amerikanë u interesuan për të mësuar për skandalin e Charles McGonigal. Senatori Sheldon Whitehouse e pyeti nëse ka pasur një hetim të pavarur, përtej hetimit të gjyqësorit, në lidhje me këtë skandal. Ëray konfirmoi se Inspektori i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë është ai angazhuar në këtë hetim. “Doja të flisja me ju në lidhje me Charles McGonigal sot. Ai është një agjent i FBI, që është interesant në dy drejtime. Së pari, ai ka pranuar fajin për sa i përket akuzës për një faturë të padeklaruar prej 225 mijë dollarësh nga një shtetas i huaj dhe ai pret dënimin për krimet që ka pranuar në shkurtin që vjen. Gjëja e dytë interesante është se ai ka drejtuar zyrën e kundërzbulimit në Nju Jork gjatë kohës që raportohej gjerësisht se agjentët e FBI-së në Nju Jork dhe ish-prokurori i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, po i bënin presion drejtorit Comey për të ndërhyrë në fushatën e Hillary Clinton dhe për ta dëmtuar, diçka që ne për fat të keq e dimë se Comey e bëri me konferenca për shtyp që dhunuan rregullat dhe procedurat e Departamentit të Drejtësisë. Pra, eksperienca ime është se kur dikush është në periudhën përpara dënimit për një çështje penale, kjo është një kohë shumë e mirë për të marrë informacione prej tyre, dhe bashkëpunim prej tyre. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me zyrën në terren të Nju Jorkut gjatë asaj periudhe, por dua të di se a ka pasur një hetim të pavarur nëse kanë ndodhur mashtrime më FBI gjatë kësaj periudhe në detyrë. Nuk kam marrë asnjë konfirmim se ka ndodhur diçka e tillë. Marrëveshja e pranimit të fajit nuk reflekton asnjë shenjë bashkëpunimi jashtë kësaj marrëveshje. Nuk kam qenë në gjendje nëse Inspektori i Përgjithshëm po e sheh këtë çështje. Çfarë dini për këtë çështje?”, ishte pyetja e senatorit.
Si po zbërthehet nga drejtësia amerikane McGonigal?
Christopher Wray u shpreh hapur se drejtësia amerikane po “zbërthen” McGonigalin. “Së pari, e vlerësoj që po e ngrini këtë çështje. Kam disa gjëra për të thënë. E para, divizioni ynë i kundërzbulimit është ai që ka zbuluar shkeljet e McGonigal, e ka ndjekur atë dhe e ka arrestuar. Ne jemi shumë të fokusuar në përpjekjet për të përcaktuar në të gjithë mënyrat që imagjinoni ju se cilat mund të jenë gjërat që ai ka ndikuar gjatë sjelljes abuzive të tij. E dyta, mendoj se janë dy zyra prokurorësh të përfshira, ajo e Nju Jorkut dhe Distrikti i Kolumbias. Pra, janë dy çështje, në fazën e paradënimit dhe bashkëpunimi i tij mund të jetë potencialisht i përshtatshëm. Nuk mund të jemi sa larg do shkojmë këtu, por mund t’u them se ne kemi angazhuar Inspektorin e Përgjithshëm sepse donim të kuptonim përmasat e vërteta të asaj se çfarë ka bërë zoti McGonigal dhe se çfarë di”, tha ai. Pra në këtë situatë rëndohen edhe më shumë pozitat e kryeministri Rama. Ish-agjenti i FBI ka pranuar se ka marrë 225 mijë dollarë nga Agron Nezaj dhe se ka takuar Edi Ramën. Por në hetimet që po zhvillon drejtësia amerikane, McGonigal mund të tregojë më shumë detaje nga vizitat në Tiranë, takimet, bisedat e fshehta, etj. Ndoshta dosja nuk do bëhet publike por të dhënat janë aty dhe kryeministri Edi Rama në momentin që do dalë nga ajo zyrë, nëse nuk ndiqet penalisht, nuk është çudi të ketë fatinë e Berishës. Kujtojmë se gjyqi i radhës është më 14 dhjetor, ndërsa për dosjen shqiptare ai do të paraqitet në shkurt.