Në situatën aktuale qeveria shqiptare ndodhet në një moment depresiv, ku një pjesë e qeverisë rri me sytë nga SPAK, ndërkohë që pjesa tjetër ndihet e terrorizuar nga fati i kolegëve. Pikërisht skandalet dhe çështjet e nxehta të abuzimeve dhe vjedhjeve në dhjetëra milionë euro e kanë detyruar kryeministrin Rama të bëjë lëvizje në qeveri, me shpresën se ato mund të krijojnë perceptimin se tani diçka po ndryshon dhe kohës së keqpërdorimeve po i vjen fundi, por ofensiva e Prokurorisë së Posaçme nuk po ndalet dhe po shkon deri te kryeministri, i cili i ka vetë llogaritë e hapura me drejtësinë, si me çështjen “McGonigal”, por edhe me inceneratorët. Ministra, deputetë, kryebashkiakë apo dhe zyrtarë të lartë janë pas hekurave. SPAK po çon në kolaps mazhorancën dhe po e detyron që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Sigurisht që aktorët kryesorë të politikës nuk mund të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme me kryeministrin Edi Rama në pushtet, pasi do të konsiderohej një rrezik potencial për votat. Madje as amerikanët nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Nuk përjashtohet as mundësia e një qeverie teknike me bazë të gjerë. PS-PD zyrtare bashkojnë forcat dhe kryeministër mund të zgjidhet një figurë politike, me profil të moderuar dhe që ka konsensusin më të madh, pasi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025 janë shumë afër.
Presioni nga opozita
Pas arrestimeve në niveleve të larta nga SPAK në mazhorancë, opozita ka shtuar thirrjet për qeveri teknike. Në fundjavë ishte deputeti Luçiano Boçi gjatë një takimi në Fier, i cili u shpreh se nuk mjafton thjesht të themi të vërtetat ndaj Ramës, por duhet të nisim të komunikojmë, të ndërtojmë PD në çdo cep, në çdo vend, të trokasim në çdo derë, në çdo zemër, për ti dhënë dorën dhe besën çdo shqiptari se lufta jonë është luftë për ta, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e vendit. Ai tha se ne duhet të ngremë qytetarin në atë piedestalin që meriton, të kthejmë shpresën në këtë vend, të mbështesim të rinjtë, fermerët që të dashurojnë punën e tokën, ti ofrojmë shqiptarëve një qeverisje të mirë, të mbështesim moshën e tretë, që ata të mos vuajnë për të marrë shërbimet. “Ne duhet të ofrojmë kontratën me qytetarët. Jemi në një luftë të 3-fishtë, kemi 11 vite që përballemi me skalionet e krimit të organizuar dhe atij politik. Rama e ka vjedhur, e ka blerë, e ka pushkatuar votën dhe ne kemi krijuar bindjen dhe kemi përcaktuar qëllimin: të arrijmë një qeveri teknike dhe të bëjmë një reformë zgjedhore që garanton votën e lirë”, tha Boçi. Ai tha dhe pak ditë më parë se kjo çështje është diskutuar edhe me faktorin ndërkombëtar dhe sipas tij, ka edhe një dakordësi nga ana e tyre se kjo gjë duhet realizuar. Boçi tha se vetëm në këtë formë mund të ketë garanci fillestare të votës së shqiptarëve, shoqëruar më pas edhe me ndërhyrjet dhe adresimet e tjera. “Tani po hyjmë në detaje teknike, për të cilat nuk jam kompetenti për këtë gjë. Ka rëndësi që diskutohet në PD që Rama të ikë njëherë e mirë. Të realizohet qeveria teknike dhe rruga e realizimit përmes Parlamentit, apo qeveri teknike e marrëveshjes politike, forma bipartizane, nuk ka rëndësi fare. E rëndësishme është që të kemi një qeveri teknike që është përgjegjëse për procesin zgjedhor. Ideja e qeverisë teknike është e biseduar me ndërkombëtarët dhe ka një dakordësi nga ana e tyre që duhet realizuar, sepse vetëm në këtë lloj forme mund të ketë një garanci fillestare të votës së shqiptarëve, më pas shoqëruar edhe me ndërhyrjet e tjera, adresimet e të gjitha vërejtjeve që ka dhënë OSBE-ODIHR, por edhe me pasurimin e masave penalizuese, me qëllim për të ruajtur drejtësinë e votës. Ajo që gjithmonë mungon, por edhe që ekziston gjithmonë në politikë është koha. Kur jemi pak më shumë se 1 vit para zgjedhjeve, besoj se koha është e mjaftueshme, gongu i ndryshimeve bie 6 muaj para zgjedhjeve. Janë 6 muaj të artë, ku mund të bëhen këto ndryshime. Sinjalet nga PS për qeveri teknike gjithmonë janë të zbehta, është një parti hermetike dhe nuk ka zëra që mund të transmetojnë ide. I vetmi zë që artikulon vendimet është zëri i kryeministrit”, tha Boçi.