Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka uruar dje 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa mes rreshtave ka lëshuar mesazhe të forta për të politikën dhe zyrtarët e përfshirë në afera kriminale dhe korruptive, duke futur kështu në ankth gjithë politikën shqiptare. Sot që flasim në Shqipëri janë disa personazhe “VIP” që janë shpallur “non grata” nga SHBA-të, listë kjo që kryesohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, që sipas Departamentit Amerikën të Shtetit dhe administratës Binden është përfshirë në korrupsion dhe minim të demokracisë. Herë pas here zyrtarët e SHBA, si zv/ndihmësi Gabriel Escobar, kanë apeluar që drejtësia në Shqipëri të hetojë personat e shpallur “non grata”. Por ky vendim i amerikanëve nuk ka ndikuar tek drejtësia (Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit) dhe veçanërisht tek Sali Berisha, për shkak se ky i fundit vijon i qetë aktivitetin politik, duke i sfiduar hapur ata. Mirëpo, teksa autoritet shqiptare kanë “mbyllur sytë”, duke mos nisur hetime ndaj Berishës, referuar vendimit të DASH, i cili u pasua njëjtë edhe nga Britania e Madhe, një mesazh të fortë ka bërë dje presidenti Joe Biden dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të cilët kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare të thellojnë luftën ndaj korrupsionit, duke lënë të nënkuptuar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë, në mënyrë që të çojnë përpara këtë betejë. Shqipëri është në monitorim të rreptë nga Brukseli për integrimit, pasi janë hapur kapitujt 34 dhe 24 që kanë lidhje me konsolidimin e shtetit ligjor dhe dhënies fund të pandëshkueshmërisë sa i takon goditjes ndaj korrupsionit dhe krimit, kusht ky kryesor nga të cilat varen negociatat. Kështu kjo lëvizje e amerikanëve, që lënë të nënkuptohet se mund të ofrojnë për palën shqiptare çdo asistent dhe bashkëpunojnë ngushtësisht për shkak se vendi jonë është “në rrethin e ferrit” nga kushtet evropiane, është një kambanë alarmin për Sali Berishën e shpallur non grata”, si i përfshirë në korrupsion. Pra, nëse e lexojmë me kujdes mesazhin, sinjalet janë se po ngushtohet laku për Sali Berishën, pasi trinomi SHBA-BE-Shqipëri, pritet të çojnë përpara luftën kundër korrupsionit dhe krimit, teksa në finale çdo kush që është përfshirë në zullume do t’i duhet të japë llogari para drejtësisë.
Mesazhi i Biden dhe Blinken
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, përmes një mesazhi dërguar Presidentit Bajram Begaj uroi dje Shqipërinë dhe popullin shqiptar me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit. Në mesazhin e Presidentit Biden, ndër të tjera, theksohej se SHBA do mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt BE dhe se sipas tij, Uashingtoni pret të thellojë partneritetin për luftën ndaj korrupsionit. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa fillojmë shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, pres me padurim të thellojmë partneritetin tonë edhe më tej, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike”, shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij. Ndërkohë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony J. Blinken përcolli një mesazh urimi ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, teksa njësoj si presidenti Joe Biden vuri theksin tek lufta kundër korrupsionit. “Ne urojmë Shqipërinë për arritjen e hapjes të negociatave me BE në korrik dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur përgjatë rrugës suaj transatlantike. Së bashku, po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji ndërsa çojmë përpara agjendën tonë të përbashkët klimatike për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike”, shkruan ndër të tjera sekretari Blinken.