Për sociologun dhe analistin Ergys Mërtiri kalimi i deputetit të Partisë së Lirisë, Agron Çela te PS-ja tregon se politika është e kapur dhe ky është lajm i keq për demokracinë.
Mërtiri tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se xhuvelizmi është bërë normë dhe votuesi nuk ekziston fare
“Që të marrësh vota, duhet të kesh kredenciale morale te votuesit. Nëse bën këto kapërcime, që në aspektin politik nuk shfaqin ndonjë perspektivë morale, pra ti nuk ke shkuar te Rama se është më i miri në skenën politike shqiptare, paske kuptuar që je rreshtuar gabim dhe partia jote nuk është në të drejtën, por është partia në pushtet. Pyetja është si arrin ky ta fitojë elektoratin në kushtet kur kur bën këto lloj kapërcimesh. Këtu kuptohet që influencat këtu janë të një natyre tjetër dhe jo politike, në kuptimin elektoral të fjalës, të besueshmërisë që ke te votuesit, por janë të një natyre influencash, shpeshherë korruptive, me futje njerëzish nëpër punë, nëpër poste kyçe. Kjo është bërë normale në Shqipëri. Jemi habitur në fillim me Xhuvelin, me xhuvelizmin që e merr votën nga njëri kamp dhe e çon te pushteti, por xhuvelizmi këtu është bërë normë.
Kemi bërë që janë bërë gjithandej kapërcime, nga LSI-ja janë bërë shpesh, te PDIU-ja, nga PS-ja në PD dhe anasjelltas, kemi edhe brenda PD-së që ai kalon nga Foltorja te krahu tjetër. Është normalizuar politika pa principe, pa parime dhe norma morale. Pra unë jam këtu për interes dhe interesat e mia janë një herë nga njëri krah dhe pastaj nga krahu tjetër.
Këtu politika është e kapur dhe gjithçka është e kapshme dhe ky është lajm i keq për demokracinë. Këtu duket se votuesi nuk ekziston, është lolo, është i manipulueshëm, apo nuk ka zgjedhje fare. Këtu nuk ka votime”-tha Mërtiri.