Rithemelimi i Sali Berishës dhe Partia e Lirisë së Ilir Metës kanë protestuar dje para Bashkisë së Tiranës, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi sipas tyre, është i korruptuar dhe inkriminuar. Protesta e “kamikazëve” të Sali Berishës dhe Ilir Metës nisi në orën 11:00, ndërsa ra në sy fakti se ajo u braktis edhe nga vetë militantët, njëjtë si një javë më parë, ndërkohë që degjeneroi edhe në dhunë. Protestuesit hodhën molotov, tymuese dhe mollë e tentuan të heqin gardhin metalik për t’u futur me forcë në institucion, duke u përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake. Në protestë nuk munguan mesazhet politike për lirimin e Berishës, ndërsa e tubimit i printe vajza e tij, Argita Malltezi, si dhe djali i Fahri Balliut, Tedi Blushi, Sali Lushaj dhe dhëndri i socialistit, Artan Shkreli, Belind Këlliçi. Molotovët u hodhën dhe zjarri u ndez pikërisht në momentin kur Këlliçi mbante fjalë para qytetarëve të mbledhur te bashkia. Thirrjet për të përshkallëzuar përplasjen erdhën edhe nga megafoni i protestës. “Ne do të nxjerrim nga bashkia prej leckash, grabitës bëhu gati shko në SPAK, merr me vete shefin tënd”, tha Këlliçi. Ndërkohë militantët agresivë të Sali Berishës nuk kanë kursyer as efektivët e policisë duke hedhur drejt tyre molotov. Nëse nuk do të ishte reagimi i shpejtë i një punonjësi të policisë, protesta mund të ishte kthyer në tragjedi. Gjithashtu anëtarët e Rithemelimit në Këshillin Bashkiak tentuan të dorëzonin në zyrën e protokollit kërkesën për mbledhje urgjente, por në mesin e përplasjeve në protestë, dera kryesore e bashkisë qëndroi e mbyllur.
Veliaj thumbon Berishën
Por sa i takon protestës dje reagoi në rrjetet sociale edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Teksa publikoi pamje të dhunës së militantëve të thirrur nga Argita Berisha ndaj policëve, kryebashkiaku Erion Veliaj shkruan se skenat e ’97 nuk kanë vend në Tiranën e 2024-ës. Kryebashkiaku i Tiranës thotë më tej se ka problem të protestosh dhe kur je pinjoll i Saliut e Fahriut që e dogjën këtë vend. “Asllan Shyti shmangu djegien e kolegeve e te vetes! As e njoh, as me njeh. Shkoi ne pune me koleget e policisë jashtë, si koleget e Bashkisë brenda! Nuk ka problem te protestosh dhe kur je pinjoll i Saliut e Fahriut qe e dogjën këtë vend! E drejta jote! Por ka shume problem kur kërkon te vazhdosh te djegësh për te kompensuar votat e protestuesit qe s’te mbështesin. Ne Bashki punojnë njerëz qe nga koha e Kelmendit e Brojkes. Policet gjithashtu kane qene e do jene te shtetit. Skenat e ’97 nuk kane vend ne Tiranen e 2024-es! Asllanin e shokët i ruajti Zoti me ate reagim! Mirënjohje te gjithëve”, shkroi dje Veliaj.
Këlliçi: Nuk tërhiqemi deri në largimin e Veliajt nga Bashkia e Tiranës
Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Belind Këlliçi u shpreh se opozita do të protestojë sërish para Bashkisë së Tiranës. Përmes një shënimi të gjatë në rrjetet sociale, Këlliçi deklaron se akuzat që rëndojnë ndaj zyrtarëve të bashkisë dhe kryebashkiakut Veliaj nuk janë vetëm ato të dosjes “5D”. Këlliçi akuzon Veliajn edhe për shkatërrimin e banesave në disa lagje të kryeqytetit për t’i kthyer ato në sheshe ndërtimi si dhe katet pa leje te kullat që zyrtarët nuk i shohin. “Ndërsa zyra e propagandës nxjerr nga arkivi foto të vjetra të qytetit dhe ua shpërndan medieve të huaja për të shoqëruar shkrimet e paguara që tregojnë se Tirana është qyteti që po shpërthen nga zhvillimi… Kjo hipokrizi, kjo vjedhje, kjo tallje me Tiranën duhet të marrë fund një orë e më parë. Falenderoj përzemërsisht qytetarët e Tiranës që dolën sot në protestën e thërritur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Opozita. Falenderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për qëndresën e tyre epike 7 vjeçare dhe për faktin që banditët e strehuar në bashki, kanë nisur ti kallëzojnë në SPAK që para 3 vitesh, më janar të vitit 2021, kur kallëzuan vjedhjen përmes Tirana DC. Javën tjetër shihemi në protestën e radhës. Ne nuk tërhiqemi pa larguar nga zyra kryebashkiakun dhe kryehajdutin e Tiranës, pronarin faktik të inceneratorit dhe të organizatës 5D, Erion Veliajn. O sot, o kurrë”, shkroi Këlliçi.