Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka bërë dje një deklaratë shumë të fortë, teksa zbuloi se kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka marrë një mesazh kërcënues nga një zyrtar i lartë. Zoti Sula ishte i ftuar dje në një studio televizive, ku ndalur tek ky lajm “bombastik”, theksoi se priten zhvillime në ditët në vijim. “Drejtuesi i SPAK-ut, kur erdhi në Komisionin e Ligjeve e tha në mënyrë të drejtpërdrejtë, nuk kemi nevojë për asgjë në kuadër ligjor, na lini kështu siç jemi, mos na pengoni. Mos prit që unë ta them kush ka dërguar mesazhin kërcënues ndal Altin Dumanin, por do kemi zhvillime të tjera”, deklaroi ai. Më tej Sula është pyetur nëse bëhet fjalë për një politikan të shpallur në kërkim. “Aludohet për Arben Ndokën, nuk është e vërtetë. Njerëz të caktuar me fuqi të fortë ekonomike po tentojnë për të bërë të pamundurën për ta penguar punën e SPAK për ti kërcënuar dhe penguar. Kjo është e qartë, unë e kam thënë, e vlerësoj Altin Dumanin dhe prokurorët e tjerë që kanë marrë këtë punë të vështirë”, u shpreh ai. Ndërkohë Sula theksoi se nuk mund të japë shumë shpjegime, ndërsa shtoi se indiciet janë të rrezikshme. “Nuk jap shpjegime se e dëmtoj gjënë, por indiciet që them janë të rrezikshme, SPAK duhet ta pengojë. Politika ka shumë për ta mbrojtur, mjafton të distancohet nga elementë të krimit, ka politikanë të cilët bashkëpunojnë me krimin”, tha ai.
Amnistia Penale dhe rezoluta anti-korrupsion
Nga ana tjetër, deputeti demokrat, Dashnor Sula u shpreh i penduar që ka votuar ligjin për amnistinë penale, duke dalë kështu hapur kundër paktit Rama-Berisha (Partia Socialiste dhe Rithemelimi), pasi sipas tij, shumë subjekte të SPAK e GJKKO që ishin dënuar për korrupsion. “Kam bërë gabim që votova ligjin për amnistinë penale, u artikulua sikur nuk do liroheshin të dënuarit nga GJKKO, por u liruan të dënuarit për korrupsion. Është e trishtueshme që sot një pushtet tjetër si drejtësia, do duhet të sjellin ndryshime në politikë”, theksoi Sula. Ndër të tjera, deputeti demokrat, Dashnor Sula, i cili votoi kundër projekt rezolutës së PS nënkuptoi se ka pasur një marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës. “Shqetësimi është i madh edhe nga ndërkombëtarët, po të shikosh që qoftë mazhoranca qoftë opozita kanë sulm frontal ndaj SPAK. Një ndër argumentet që rrëzohet kauza e mazhorancës është kjo, parlamenti ka të vetmin mjet efikas që në këto 20 vite, janë komisionet hetimore, këta e shkatërruan ligjin për komisionet hetimore. Deligjimitimi që bën opozita është gabim. Opozita ashtu siç ndodhi marrëveshja që kam qenë kundra, interesi i opozitës, duhet të marrë pjesë në komision, nëse nuk merr pjesë në komision opozita dhe nuk e pengon mazhorancën dhe nëse ka tendencë të mazhorancës për të penguar, varet nga vota që ka opozita. Nga qëndrimi i opozitës do dali, unë nuk bëj kompromis dhe nëse e shikoj që do preken themelet e reformës në drejtësi për të tjerat jam i hapur”, nënvizoi deputeti demokrat, Dashnor Sula.