Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Arben Ristani ka denoncuar projektin e Portit të Durrësit duke e cilësuar atë një mega-aferë të qeverisë Rama.
Ristani u shpreh në një deklaratë nga selia blu se ajo fillimisht u paraqit si investim i Emirateve të Bashkuara ndërsa sipas tij më pas janë prezantuar dy kompani që supozohet të qëndrojnë pas saj.
Sipas tij Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.
“U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë.
Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes”, tha Ristani.
Deklarata e plotë e Arben Ristanit:
Edi Rama i është rikthyer megaaferës së projektit të Portit të Durrësit, duke dëshmuar se askush nuk mund t’ia ndalë dorën në vesin e vjedhjes.
Megafera e portit të Durrësit ka kaluar në tri faza:
Në fillim u paraqit si një investim strategjik i kompanisë së famshme Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emmar”.
Më pas, u fol për një tërheqje të Emaar-it dhe, në fund, u prezantua një kompani tjetër, kësaj radhe offshore, e arabit Muhamed el Alabbar.
E vetmja gjë, strategjike e këtij investimi, është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë.
Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.
Fakti është, se rreth 1 milion metra katror i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliard dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi.
Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.
Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE.
Ne i bëjmë thirrje kompanisë, cilado qoftë ajo, online apo offshore, që të tërhiqet nga ky projekt abuziv dhe korruptiv.
Qeveritë e një vendi janë të përkohshme, ndërsa interesat strategjike, prona publike, interesi kombëtar janë të përjetshëm.
U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë.
Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes.
Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shteti shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit.