Liderët e opozitës Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët drejtojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 majit vazhdojnë përpjekjet e tyre për të goditur PD zyrtare të drejtuar nga Alibeaj. Ditën e djeshme, juristët përfaqësues të kësaj aleance dorëzuan në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën kundër vendimit të Kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili nuk pranoi që të hiqen logot/simbolet e partive dhe koalicioneve nga fletët e votimit të kandidatëve për kryetarë bashkie. Celibashi ua ka lënë në dorë të vetë partive pjesëmarrëse në këto zgjedhje nëse duan të vendosin simbolet e tyre përfaqësuese. Për këtë çështje, dhe PD zyrtare e Alibeajt i është drejtuar KAS për të marrë përgjigje përfundimtare. Pak ditë më parë, kryetari i KQZ Celibashi nuk shënoi emrin e kryetarit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit, i cili është Ilir Meta në fletët e votimit. Ky rast është ndjekur për koalicionet, dhe jo për partitë politike. PS dhe PD zyrtare e kanë kontestuar këtë veprim të Celibashit si precedent i rrezikshëm për zgjedhjet e ardhshme.
Berisha dhe Meta, të frikësuar nga “non grata” dhe akuzat për spiun
Në këtë situatë të krijuar, ish-kryeministri Berisha dhe ish-presidenti Meta po bëjnë gjithçka për të reduktuar votat e demokratëve për PD zyrtare, e cila u regjistrua me emrin dhe logon e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Berisha dhe Meta i frikësohen faktit se demokratët do të identifikohen me PD e Alibeajt nga logoja e partisë, si dhe për statusin “non grata” të ish-kryeministrit dhe për akuzat ish-presidenti ka qenë ish-bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit, ç’ka mund të penalizojnë suksesin e tyre në këto zgjedhje. Meta po përpiqet që të çojë votat e demokratëve drejt koalicionit të tij me Berishën, pasi mbetet një figurë e anatemuar nga anëtarësia e partisë më të madhe opozitare pasi në 2013 ndryshoi kah duke i dhënë pushtetin Edi Ramës dhe PS. Edhe pse sipas sondazheve, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka më shumë mbështetës se PD zyrtare, përsëri votat e demokratëve të Alibeajt janë të rëndësishme për bashkimin e opozitës dhe paraqitjen bindëse në këto zgjedhje lokale, ku PS shihet dukshëm fituese në shumicën e bashkive.
Arsyetimet e juristëve të “Bashkë Fitojmë”: Nuk jemi në zgjedhje parlamentare
Në kërkesën drejtuar KAS, juristët e aleancës “Bashkë Fitojmë” arsyetojnë me 3 argumente se përse duhet hequr logoja e partive dhe koalicioneve nga fletët e votimit për kryetarë bashkie. Avokatët shprehën se këto nuk janë zgjedhje politike parlamentare, por lokale, ku e rëndësishme është zgjedhja fituese e kryebashkiakëve, jo e forcave politike. Më tej, juristët e Berishës dhe Metës pretendojnë se duhet të ndiqet precedenti i kaluar, ku në zgjedhjet lokale, nuk janë vendosur emrat e partive dhe koalicioneve politike në fletët e votimit për kandidatët për kryebashkiakë. “Së pari jemi përpara zgjedhjeve të pushtetit vendor, ku qytetarët shqiptarë do të zgjedhin kryetarin e tyre të bashkisë respektive, dhe jo kryetarin e ndonjë partie politike. Së dyti, nuk jemi përpara zgjedhjeve të përgjithshme ku kandidatët identifikohen kryesisht me partinë apo koalicionin që i ka propozuar me listë shumë emërore. Së treti, praktika e KQZ për zgjedhjet e kaluara për fletën e votimit për kandidatët për kryetar bashkie ka qenë e tillë që nuk ka pasur logo partie apo koalicioni”, shkruhet në dokument.
Meta: S’ka rëndësi çfarë vendos KQZ, e dinë dhe Rama me ramarucët e tij
Në konferencën për shtyp, kryetari i Partisë së Lirisë dhe aleati i Sali Berishës me “Foltoren”, Ilir Meta u përgjigj shkurt lidhur me faktin se përse KQZ nuk e ka vendosur në fletët e votimit emrin e tij si kryetar koalicioni. Ish-presidenti tha se kjo është një gjë e parëndësishme dhe pa interes. “S’ka interes së çfarë vendos KQZ. Të gjithë e dinë shumë mirë, dhe Rama dhe ramarucët nuk i shmangen dot së vërtetës”, tha Meta.
PD e Alibeajt ankim në KAS ndaj Celibashit: I bëri qokë Berishës!
Kujtojmë që PD zyrtare 2 ditë më parë kallëzoi KQZ në KAS për mosvendosjen e të dhënave identifikuese të kryetarit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletët e votimit për kryetarë bashkie, që do përdoren në zgjedhjet lokale të 14 majit. Juristi i “PD së vulës” Indrit Sefa akuzoi Celibashin se ka shkelur Kodin Zgjedhor. Sipas tij, veprimi i Celibashit është i paprecedentë, pasi në zgjedhjet e kaluara parlamentare, partitë politike dhe koalicionet vendoseshin në fletët e votimit bashkë me emrin e kryetarëve përkatës. Sefa akuzoi gjithashtu kryekomisionerin e zgjedhjeve se po favorizon sërish Sali Berishën dhe Ilir Metën.
I biri u akuzua si organizator i dhunës ndaj Medi Isenit, reagon Sali Lushaj: Më kanë përdhosur varret e vëllezërve
Teksa Stresi është ende në kërkim dhe Noizy pritet të ekstradohet në Kosovë, heshtjen për sherrin e madh të ndodhur...
Lexo më shumë