Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj, tha se maxhoranca dhe opozita kanë qenë dakord që më herët që ligji për komisionet hetimore duhet riparë.
Në një intervistë televizive, Felaj u shpreh se Komisionet hetimore do i afrohen më shumë rolit të ri kushtetues me ligjin e ri dhe do të jenë instrumenta për të gjitha palët.
Ajo theksoi se kur të diskutohet në Komision projektligji i maxhorancës për Komisionet Hetimore, do të merren parasysh edhe propozimet e opozitës.
“Kemi depozituar që dje, kështu që ky projektligj do të ndjekë filtrin që kërkon rregullorja për çdo projekt-ligj të thjeshtë. Më herët Spaho dhe Tabaku kanë depozituar një draft të ngjashëm, për ndryshime në ligjin për komisionet hetimore. Në momentin që do të diskutohet ligji ynë në Komision, do të merren parasysh edhe propozimet e opozitës.
Ftesa jonë është për këtë moment, që duket se është një moment final, pasi ne kemi pasur shumë kohë për të diskutuar për një draft final për këtë projektligj. Maxhoranca dhe opozita kemi qenë dakord që ligji për Komisionet Hetimore duhet riparë.
Vendimmarrja e Konferencës së Kryetarëve i është nënshtruar votimit edhe në seancën plenare pasuese dhe Kuvendi ka rënë dakord për ngritjen e një komisioni Ad HOC me përbërje të barabartë të anëtarëve nga maxhoranca dhe opozita. Komisionet Hetimore do të jenë instrumenta për të gjitha palët. Sot jemi në maxhorancë, nesër mund të jemi opozitë”, tha Felaj.