Ndërhyrja e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës për të zgjidhur ngërçin në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, prodhoi rezultatin e parë dhe uli sërish në tryezë opozitën e mazhorancën. Lehtë brenda pak minutash, mazhoranca dhe opozita ranë dakord për 2 pikat që prodhuan ngërçin për disa javë në komision, plani i hetimit dhe kërkesat për informacion. “I kemi sheshuar të gjitha çështjet, problematikën që mendonim se ishte më parë. Në varësi të hapit numër 2 mund të ketë edhe kërkesa të tjera shtesë”, tha dje kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi. Më pas fjalën e mori nënkryetari i komisionit, deputeti i PS, Plarent Ndreca. “Kemi diskutuar mbi gjithë pikat e planit të hetimit, është dakordësuar në parim 6 nga 7 pikat e planit”, tha Plarent Ndreca. Megjithatë e vetmja pikë për të cilën nuk pati konsensus ishte kërkesa e PS që hetimi parlamentar për koncesionet në shëndetësi të shtrihet që nga 2009, kohë kur vendi qeverisej qeveria Berisha, duke shkaktuar debat. “Ne vlerësojmë që kontrata e sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate. Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata. Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës”, deklaroi nënkryetari Plarent Ndreca. Po ashtu një sugjerimi pati edhe anëtari socialiste i komisionit, Petro Koçi. “Duhet ta shqyrtojmë çështjen nga rrënjët, apo ti lëmë, duke komprometuar hetimin si një proces që kërkon më shumë të ndëshkojë atë që ka marrë vendimin për koncesionin, se sa thelbin e çështjes. Ne si grup i mazhorancës i qëndrojmë përcaktimit tonë për të shqyrtuar çështjen nga rrënjët”, tha deputeti i PS, Petro Koçi. Por opozita nuk ra dakord me këtë propozim të PS, duke thënë se dalin jashtë objektit të hetimit që është miratuar nga Kuvendi. “Ky është diskutim pa vlerë, për të humbur kohën e komisionit për të hetuar çështjet. Ne kemi kërkuar hetimin për dy kontrata të zbatuara nga qeveria pas vitit 2013 kur ka ardhur në qeverisje. Të kërkosh para kësaj periudhe është të fusësh punën e komisionit në qorrsokak”, tha deputeti demokrat Edmond Spaho. Po ashtu, qëndrimi mbajti edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili. “Nuk ka dëshirë të hidhet dritë për mënyrën si ky koncesion u zbatua. Zgjatja e periudhës është pakuptim për dy arsye. Rrimë te ky objekt që ka votuat kuvendi, nëse ka tema të tjera të ngremë një komision tjetër. Kjo nuk është serioze dhe është një mënyrë tjetër që të humbasim nja 2 jave të tjera. Kjo është të tallesh. Serioziteti dhe ai vendim që është marrë në sallën e Kuvendit”, tha Petrit Vasili. Ndërkohë ashpër reagoi edhe deputeti opozitar, Saimir Korreshi. “S’mund të dalim jashtë objektit. Kemi vajtur në Kuvend me një objekt që është miratuar, nëse doni ta ndërpresim shkojmë në Kuvend dhe e çojmë që në kohën e Zogut. Problematika është ca ka firmosur Kuvendi, nuk e vendosim ne”, tha Saimir Korreshi. Komisioni Hetimor i Shëndetësisë do të mblidhet sërish të martën për këtë kërkesë të PS, ndërsa prej javësh palët nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë fakt për dy koncesionet e sterilizimit dhe check-up pasi debati mes tyre ngeci punën e komisionit.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë