Komisioni i Reformës Zgjedhore u mblodh dje online. Vota e diasporës vazhdon të përplasë PD-PS, të cilat ende janë larg zgjidhjes sesi duhet gjetur mënyra për të mundësuar votimin e shqiptarëve në vendet që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Dy bashkëkryetarët e komisionit Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj u përplasën ashpër në mbledhjen e radhës të Komisionit. Gjiknuri tha se kërkohet që për diasporën të ketë regjistër paralel. Sipas tij, PS është që të jetë i integruar në regjistrin e gjendjes civile. “Më vjen keq se ju keni aq shumë votues sa ju vjedhin shumë. Sidomos partia jote ka aq shumë sa do dy ditë për të votuar. Këta duan një shtet paralel. Për diasporën të ketë regjistër paralel. Ne jemi që të jetë i integruar në regjistrin e gjendjes civile. Të pyesim ndërkombëtarët që thonë se duhet të jetë një regjistër unik. Qëndrimi im nuk ndryshon”, tha ai. Ndërsa, Enkelejd Alibeaj tha se PS se do votën e diasporës. “Nuk ka regjistër paralel e shtet paralel, asgjë. Ta marr si qëndrim final se nuk doni votën e diasporës”, tha ai.
KQZ propozon depolitizim të pjesshëm të komisionarëve
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar depolitizim të pjesshëm të komisionerëve në QV dhe KZAZ. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha dje në Komisionin e Reformës Zgjedhore se KQZ propozon që në mesin e komisionerëve përveç përfaqësuesve të partive politike të ketë përfaqësues edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Po ashtu, Celibashi thotë se fjala e fundit sa i takon aspektit teknik t’i besohej KQZ. “Funksionimi i Komisioneve Zgjedhore të dyta e të treta. Do të kemi njerëz nga partitë politike apo do funksionojmë ndryshe? Ne kemi probleme që vijnë nga mënyra sesi janë të ndërtuara komisionet e QV apo KZAZ. Mendoj që është pak herët për ti larguar tërësisht partitë politike nga administrimi zgjedhor. KQZ ka një lloj kredibiliteti deri diku të pranuar, të besueshëm nga i gjithë spektri politik, pse jo në komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta të mos kishim një organizim ku të jenë të pranishëm partitë politike, por fjala e fundit në aspektin teknik në nivelet e komisionit të QV dhe KZAZ t’i besohej KQZ dhe në çdo lloj rrethane të organizimit duhet të jetë kusht që kush është komisioner, të jetë i trajnuar dhe certifikuar”, tha Celibashi.
Celibashi: Adresoni vendimet e Kushtetueses
Sakaq, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, raportoi dje online në Komisionin e Reformës Zgjedhore propozimet e KQZ për disa ndryshime Kodin Zgjedhor. Celibashi e fokusoi fjalën e tij në dy problematika që në fakt janë ngritur disa herë nga KQZ, që kanë të bëjnë me dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese që urdhëron votimin e emigrantëve dhe rishikimin e kufirit prej 10 mijë votash për mandatin. Celibashi theksoi se këto dy vendime duhet të reflektohen në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.“KQZ është një institucion që tashmë kë një konfigurim të ndryshëm nga ajo ca ne jemi mësuar ta shohim më parë. Sikurse kam bërë me dije edhe në letrën dërguar kryetarëve të partive politike, nevojë për të diskutuar dhe adresuar dy vendimet e GJK që kanë të bëjnë i pari me votimin e emigrantëve dhe i dyti me shfuqizimin e dispozitës së kodit zgjedhor që ka të bëjë me kufirin prej 10 mijë votash për mandatin. Unë kam konsideruar nevojën për ta sjellë në vëmendjen tuaj. Pa i hyrë detajeve, po paraqes një listë të aspekteve të ndryshimeve në kod që duhet të adresohen”, tha Celibashi. Po ashtu, Celibashi tha se duhet shikuar edhe mundësia për votimin e rreth 30 mijë personave që e kanë të pamundur të paraqiten në Qendrat e Votimit. “Kemi sjellë në vëmendjen tuaj çështjen e sigurimit të së drejtës së votës për një kategori që nuk shikojnë dot në QV, do vazhdojmë ti lëmë pa votuar apo të krijojmë një mundësi që ata të votojnë, duke siguruar fshehtësinë e votës. Mendoj se është një çështje që duhet të adresohet, janë rreth 30 mijë votues shqiptarë që nuk e kanë të mundur të paraqiten në QV. Po të vazhdojmë që të kemi këtë situatë apo do e ndryshojmë?”, tha Celibashi.