Shteti shqiptar ka nisur përgatitjet për t’u përballur në Arbitrazh Ndërkombëtar me kompaninë e përpunimit të hidrokarbureve “Phoenix Petroleum Gas”. Sipas njoftimit të Avokaturës së Shtetit, në datë 5 qershor është hapur gara për përzgjedhjen e avokatit/studios së avokatisë shqiptare ose të huaj që do mbrojë shtetin tonë në përballje me këtë kompani. Edhe pse në faqen zyrtare të ASH nuk saktësohet se cila është pala paditëse, referuar lajmeve të fundit në mediat shqiptare për arbitrazhet, por dhe nga “oligarkia.al” konfirmohet se ballafaqimi juridik ndërkombëtar i shtetit tonë do të jetë me këtë kompani. Afati i fundit i aplikimeve është data 13 qershor, ora 12:30. “Phoenix Petroleum Gas” kërkon dëmshpërblim 60 milionë euro për prishje të njëanshme të kontratës nga ana qeverisë socialiste në vitin 2017 për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në Amonicë të Vlorës. Prishja e tenderit në fjalë nxori në dritë shkelje të rënda ligjore nga ish-Ministri i Energjisë e Industrisë, ish-Ministri i Infrastrukturës e Energjisë, Damian Gjiknuri (sot Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste) dhe ish-drejtori i Albpetrolit, Endri Puka. Asnjëherë të dy nuk u morën të pandehur e gjykuan, pavarësisht shkelje të mëdha që u gjetën nga auditi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në 25 janar 2022.
Njoftimi i Avokaturës së Shtetit
Në mbështetje të nenit 18, pika 2, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 893, datë 18.11.2020 “Për përcaktimin e procedurave dhe të kritereve për kontraktimin e pagesën e avokatëve/studiove të avokatisë, ekspertëve apo shërbimeve të tjera ndihmëse dhe mënyra e pagesës”, komisioni i ngritur për zhvillimin e procedurës të kontraktimit me Urdhrin nr. 289, datë 05.06.2023 të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, ju njofton për fillimin e procedurës së kontraktimit e përzgjedhjes së avokatit/studios së avokatisë vendase ose të huaj, dhe ju fton të paraqisni interesin tuaj së bashku me ofertën përkatëse për të marrë pjesë në këtë procedurë me detajet si më poshtë vijon: “Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar sipas rregullave të UNCITRAL” Oferta duhet të depozitohen pranë Zyrës së Protokollit të Avokaturës së Shtetit, me adresë Rruga “Abdi Toptani” Ndërtesa. 5, Kati 4, Tiranë, Shqipëri, deri në datën 13.06.2023 ora 12:30 CET.
Konflikti mes palëve, Gjiknuri urdhëroi Albpetrolin në 2017 të prishte kontratën
Në shkurt të vitit 2013, qeveria miratoi marrëveshjen ndërmjet kompanisë së saj shtetërore “Albpetrol” dhe “Phoenix Petroleum Gas” për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet e naftës në Amonicë, Drashovicë e Pekisht-Murriz si dhe në ato të gazit në Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Karnë. 4 vite më vonë, me urdhër të ish-ministrit të Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Albpetrol e prishi marrëveshjen e koncesionit, me pretendimin se “Phoenix Petroleum” nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës dhe kishte krijuar detyrime të mëdha financiare ndaj shtetit. Pas prishjes së kontratës, vendburimet u morën sërish në zotërimin e Albpetrol. Ky veprim u konsiderua si i paligjshëm nga “Phoenix”. Vendimi për të shtetëzuar sërish vendburimet e naftës dhe gazit në atë kohë çoi dhe në një përplasje institucionale mes Albpetrol dhe Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë nga njëra anë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nga ana tjetër. Kjo e dyta kundërshtoi veprimet e Albpetrol për shtetëzimin e vendburimeve si të paligjshme.
Pronarët e “Phoenix Petroleum” i morën Shqipërisë 12.5 mln euro në 2020
“Phoenix Petroleum” u themelua në 2011 nga shoqëritë “Otto Al” dhe “Albanian Energy Consortium” si dhe një shtetas gjerman i quajtur Jurgen Weise. Pas dy shoqërive të para qëndrojnë shqiptarët Naim Kasa dhe Isuf Berberi. Me kalimin e viteve, kompania ka ndërruar disa herë pronësi, por brenda të njëjtit grup. Aktualisht ajo rezulton me status të pezulluar dhe pronari i vetëm i saj është Isuf Berberi me 100% të aksioneve. I njëjti grup personash ka dhe një histori tjetër arbitrazhi me shtetin shqiptar për vendburimet e Cakranit dhe Gorishtit. Këto vendburime fillimisht iu dhanë kompanisë “Stream Oil”, por më pas ndërruan disa herë pronësi dhe përfunduan në pronësi tek “GBC Oil” me pronar Naim Kasën. Edhe këto burime u shtetëzuan nga “Albpetrol” për mospërmbushje të kushteve të kontratës. Por, “GBC Oil” e paditi Shqipërinë në arbitrazh dhe në vitin 2020 gjykata vendosi që Shqipëria duhet ta kompensonte kompaninë me 12.5 milionë dollarë.
Arbitrazhet në “modë”, rasti “Becchetti” hapi dyert, “gropa” mbi 1 mld euro
Pasi ish-pronari “Agon Channel”, Francesco Becchetti fitoi 110 milionë euro dëmshpërblim në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të Investimeve në Bankën Botërore (ICSID) kundër Shqipërisë në 5 prill të këtij viti, po vërshojnë me radhë paditë e disa kompanive të huaja ndaj shtetit tonë për prishje kontratash koncesionare në mënyrë abuzive nga qeveritë e kryeministrit Edi Rama. Disa prej tyre janë: “Ivicom Holding” për termocentralin e Zëmblakut kërkon 150 milionë euro kompensim, “EMS Shipping&Trading GmbH” për Terminalin Lindor të Portit të Durrësit 200-300 milionë euro për shkak të projektit “Durrës Marina dhe Jahtet” 2.2 miliardë euro, etj. Arbitrazhet janë një tjetër damkë e madhe e zezë e kësaj qeverisjeje, e cila ka rrezik të shkaktojë mbi 1 miliard euro dëm buxhetit ekonomik me abuzimet skandaloze me koncesionet dhe anulimet e tyre. Avokatura e Shtetit akuzohet se bashkëpunon në emër të qeverisë me këto palë paditëse për të ndarë në fund fitimet e parave që këto kompani i fitojnë në Arbitrazhe kundër Shqipërisë.