Xhoana Vraniçi
“Odiseja’” e Bashkisë së Himarës që nisi prej 12 majit të 2023 kur u prangos teksa blinte vota Fredi Beleri duket se brenda gushtit do të marrë fund. Pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) e shpalli fajtor kryebashkiakun e zgjedhur me vendim të formës së prerë, duke e dënuar me 2 vite burg për blerje votash, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të enjten mandatin e tij. Kjo lëvizje e KQZ vjen pak ditë pasi kreu i FRESH në Himarë i dërgoi një letër kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që të kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të Kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ajo që pritet është shpallja e vakancës në bashkinë e Himarës, gjë që do të detyrojë Presidentin e Republikës Bajram Begaj të shpallë datën e re të zgjedhjeve. Kreu i shtetit sipas Kodit Zgjedhor menjëherë pas njoftimit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës. Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua në flagrancë teksa bënte pazare për votat vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit të 2023. Ai i fitoi zgjedhjet nga burgu me një diferencë të lehtë votash, më pak se 20 vota, por për shkak të arrestit nuk mundi të ulej asnjë ditë në karrigen e kryebashkiakut dhe as të bënte betimin. Mandatin vijoi ta mbante kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro deri më 23 mars, kur po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK pas një kallëzimi që Fredi Beleri kishte bërë për të për pronat në Himarë. Më pas detyrën e drejtimit të bashkisë e mori përkohësisht Blerina Bala ndërsa aktualisht Himara drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë Arqile Bollano.
Deklarata e Fredi Belerit për Associated Press
Sakaq kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, duke theksuar ndër të tjera se zgjedhja e tij si eurodeputet “do të ndihmojë në vënien në qendër të vëmendjes mbi një problem madhor me të cilin përballet Shqipëria, që është shteti i së drejtës”. “Këtu, gjyqësori është krahu i gjatë i politikës,” shtoi ai. “Unë mendoj se këto probleme duhet të vihen në pah – mungesa e respektit për të drejtat e pakicës etnike greke, siç është e drejta e pronës … dhe për t’u qeverisur nga njerëzit që ai zgjedh. Nuk kisha ndërmend të hyja në politikë në Greqi, ishte për shkak të nevojës për të nxjerrë në pah këtë problem të madh,” tha Beleri, i cili theksoi se “kushdo që më njeh e di me siguri se do të preferoja të isha kryetar bashkie. Beleri u shpreh se beson se në qendër të çështjes së tij janë “interesat e mëdha financiare për sa i përket zhvillimit turistik. Por është gjithashtu se kryeministri shqiptar nuk dëshiron që popullsia etnike greke të marrë pjesë në atë prosperitet,”, u shpreh Beleri gjatë intervistës.
“Shpirtrat binjakë”, Çiljeta ndan foton e rrallë me Albanin
Çiljeta Xhilaga është një figurë e njohur e showbiz-it shqiptar dhe një këngëtare tepër e dashur. Mirëpo u bë kohë...
Lexo më shumë