Analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Spahiu foli për fatin e zi që e pret ish-presidentin Meta, shkërmoqjen e ish-LSI, sot Partia e Lirisë (PL) dhe pazari i pistë Rama-Berisha-Meta. Ndër të tjera, ai thekson, se është gjithmonë loja e Edi Ramës që lë gjithmonë dy porta, një portë gjysmë marrëveshje me Ilir Metën dhe një portë nëqoftëse Meta nuk i qëndron marrëveshjes për ta izoluar dhe për ta eliminuar politikisht. Sipas tij, taktika e Edi Ramës është ti çmend këta, njërin sipër tarracës tjetri sipër paraleleve, ti degradoj publikisht. Po ashtu, juristi i njohur, Kreshnik Spahiu thekson gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman se metoda që kryeministri Edi Rama e përdor me gjithë kundërshtarët e tij politikisht, ia ka arritur me Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe t’i mbaj ata si kundërshtar të vetë politik për t’i thënë ndërkombëtarëve ose më zgjidhni mua ose ndryshe do vijnë këta dy të çmendurit në politikë.
-Zoti Spahiu, Ilir Meta ka njoftuar se Partisë së Lirisë ka hyrë në një fazë riorganizimi, teksa i ka hapur luftë nepotizmit dhe ka paralajmëruar se ky subjekt politik nuk do të ketë kryetarë, por do të ketë president. Si e shikoni këtë lëvizje të Ilir Metës?
Mendoj që qoftë zoti Meta, qoftë LSI-ja nuk përbëjnë më faktor politik në Shqipëri, është një grupim tërësisht në shkrirje. Duhet të kemi parasysh që ishte një forcë politike me 20 deputetë nga zgjedhjet e 2017-ës dhe ndonëse kishte kryetarin e saj president të shtetit, u katandis me 3 deputetë. Pra ndonëse Ilir Meta ishte president nga një parti me 20 deputetë përfundoi në 3 deputetë. Sot që Ilir Meta nuk është as president dhe është askushi, kjo parti nuk ka as perspektivë në zgjedhjet e 2025-ës dhe shkon drejt shkrirjes. Nëse Sali Berisha nuk e fut në koalicion kjo parti nuk ekziston më, këta ekzistojnë vetëm se Berisha i ka shfrytëzuar logon e tyre për të qenë në koalicion në zgjedhjet e fundit lokale. Ilir Meta tashmë ka humbur dhe mbështetjen e familjes, po ta shikoni domethënë jo 300 Vojo Kush po as 3 familjarë nuk janë më në mbështetje të asaj partie kanë mbetur një grupim i cili absolutisht në asnjë qytet të Shqipërisë nuk nxjerr më deputetë. Aq më tepër nuk është më “King maker”. Ta dini mirë që Tom Doshi është faktor më i fortë, më i fuqishëm dhe me më shumë vota sesa Ilir Meta në çdo cep të Shqipërisë po ta krahasosh, ndonëse ai nuk del kurrë në media, ky del 10 herë në ditë përsëri përbën më shumë elektorat Tom Doshi sesa Ilir Meta.
-Si e keni parë përplasjen me drejtësinë ?
Ilir Meta mendoj që do të ketë një fat më shumë më të keq se Berisha, qoftë politikisht, qoftë juridikisht, mendoj që Ilir Meta nuk do të lejohet të kandidojë në zgjedhjet e 2025-ës për shkak të ligjit të dosjeve një, dhe për shkak se do të jetë në hetim, nën akuzë. Për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe për shkak të ligjit lustrimit të dosjeve do të ketë dy pengesa ligjore.
-Ai është në sirtar dhe pavarësisht shpejtësisë që mazhoranca e nisi deri tani nuk ka treguar asnjë provë në fakt duke i bërë një aktakuzë vetes së vet për atë “uragan” që ngriti dhe urgjencë për të ndryshuar ligjin e duke kërkuar dhe nisma ne parlament deri tani ku ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nuk ka asgjë për këtë çështje?
Sepse është gjithmonë loja e Edi Ramës. Rama lë gjithmonë dy porta, një portë gjysmë marrëveshje me Ilir Metën dhe një portë në qoftë se Meta nuk i qëndron marrëveshjes për ta izoluar dhe për ta eliminuar politikisht. Pra taktika e Edi Ramës është ti çmend këta, njërin sipër tarracës, tjetri sipër paraleleve, ti degradoj publikisht. Kjo është metodë që ai e përdor me gjithë kundërshtarët e tij politikisht, ia ka arritur me Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe ti mbaj ata si kundërshtar të vetë politik për ti thënë ndërkombëtarëve ose më zgjidhni mua ose ndryshe do vijnë këta dy të çmendurit në politikë. Edi Rama ua mban dosjen në sirtar qoftë njërit qoftë tjetrit gjë që tregon që kontrollon gjithë mekanizmin kushtetues, juridik, politik dhe çdo gjë tjetër në Shqipëri. Edi Ramës i duhet kjo taktikë me një këmbë këtej më një këmbë andej dhe i intereson, po t’ia vini re i detyron këta që edhe në familje të krijojnë probleme, pra e gjitha është një lojë e pushtetit.
-Pra këta kanë të drejtë kur thonë se drejtësia kontrollohet nga Rama?
Po, aq sa kanë të drejtë që ne të themi që në qoftë se Rama kontrollon drejtësinë i bën një favor Berishës dhe Ramës që nuk i arreston. Pra pikërisht unë po them atë gjë që thonë këta, i bindur dhe unë si këta që në qoftë se këta kanë të drejtë atëherë Rama po i favorizon që i lë të lirë të dy.
-Po por zoti Berisha është në “arrest shtëpie”…
Sikur të ishin të gjithë tjerët me arrest shtëpie në korrupsion pasiv atëherë situata do të ishte një dështim dhe jo reformë në drejtësi. Ne konsiderojmë që ka sukses në reformën në drejtësi sepse të gjithë zyrtarët e tjerë janë në arrest me burg apo janë në kërkim. Nëse do të ishin në arrest shtëpie çdokush do të kishte luksin që të korruptohej në vend. Ilir Meta e ka mbyllur ciklin e vet në politik, çdo tentativë për të qëndruar në politikë e Ramës, e Berishës dhe e Metës, është një jetëgjatësi për Edi Ramën dhe është një fat i keq për të gjithë ne shqiptarët që Rama të vazhdoj të jetë kryeministër për shkak sepse improvizon mbajtjen e këtyre të dyve si kundërshtar. Në politikë fuqia dhe forca matet me rezultat zgjedhor, edhe unë mund të them që jam më i fort se kurrë por në qoftë se do të masësh forcën si politikan, rezultati i fundit i 14 Majit tregoi që Shqipëria “u ngjyros” mavi, që do të thotë vetëm 6 fshatra të Shqipërisë u fituan nga demokratët sepse PS-ja fitoi të gjitha bashkitë në Shqipëri i la vetëm 6 provinca dhe ia la vetë, i mori bastionet i mori Tropojën i mori Kukësin i mori Shkodrën i mori Kamzën i mori Bathoren i mori çdo cep, i la vetëm 6 provinca dhe ato ia la vetë që të quhet pluralizëm politik. Unë mendoj që Berisha dhe Meta janë të mbaruar politikisht. Ata do ekzistojnë për sa kohë të jetë gjallë Edi Rama dhe anasjelltas, për sa kohë të jetë gjallë Berisha me Ilir Metën, Edi Rama do jetë kryeministër. Pra kjo është loja e përcaktuar e establishmentit politik në Shqipëri. Forca dhe fuqia e socialistëve është që sot dominojnë njësoj si Enver Hoxha apo Ramiz Alia me disa rripa transmisioni që kishin frontin demokratik, rininë komuniste, i quanin ato si lëvizje pluraliste në periudhën e komunizmit ashtu dhe PS-ja dhe Edi Rama i kanë shndërruar forcat opozitare në drejtori të pushtetit dhe për shkak të fuqisë ekonomike, mediatike, ndërkombëtare që kanë i kanë i kanë ç’faktorizuar totalisht dhe nga ana tjetër nuk lënë as PD- në zyrtare që të forcohet sepse përçarja ka shkuar aq në themel sa minojnë mundësitë që PD-ja si një aset kombëtar, si aseti i dytë kombëtar politik në vend, të mos mundet të organizohet se i mbajnë faktor politik. Imagjino tani merren me konferencë shtypi të Ilir Metës se çfarë do bëj në familje, se çfarë do bëj në parti, çfarë është LSI-ja. LSI-ja është një parti më 3 deputet sot që nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen politike. Pse mediat duhet të merren 24 orë me LSI-në? Gjë që nuk përbën asnjë faktor se çfarë bën brenda partisë, ai mund organizojë të bëj president, kryetar po kjo është çështje partie. Edhe detyrë e Ramës dhe e pushtetit është të faktorizojë ato forca politike që ka interes dhe të ç’faktorizojë ato nga të cilat rrezikon. Sot PD-ja zyrtare dhe të gjitha forcat e reja politike minohen dhe sabotohen nga pushteti dhe nga marrëveshja e rithemelimit me partinë socialiste. Marrëveshja e Berishës me Ramën dhe me Metën është shekullore, vetëm kush është i verbër nuk di ta shoh, vetëm kush është i shurdhër nuk e dëgjon domethënë, janë te çmendur ata që e kuptojnë që ka një marrëveshje establishmenti për ti shkatërruar të gjithë këto faktorë.
Intervistoi: Rigels Seliman