Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste televizive, juristi Spahiu tregoi skandalin që ka detyruar amerikanët të vendosin “bllokadë” për Edi Ramën në SHBA, ndërsa zbuloi edhe 3 emrat “VIP” që nëse SPAK i arreston do përmbushë ultimatumin e ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Ndërkohë juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Reformën Zgjedhore nuk mund ta bëjnë shkatërruesit e sistemit zgjedhor, që sipas tij, janë kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sipas Spahiut, Reformën Zgjedhore duhet ta bëjë populli përmes një referendumi, pas një debati publik një vjeçar. Më tej ai theksoi gjithashtu se partitë e vjetra politike duhet të ulin qepenat dhe të bëhet një revolucion ideologjik, në mënyrë që të ketë ndryshim në Shqipëri.
-Zoti Spahiu, keni një koment sa i përket fotos së deputetëve Gazment Bardhi dhe Damian Gjiknuri në Mëngjesin e Lutjeve në SHBA?
Deputetët e PD dhe PS kanë ngelur jashtë sallës kryesore dhe kanë shkuar në një hotel dhe e kanë parë nga ekrani. Ne kemi krijuar një mënyrë abuzive dhe e përdorin Amerikën, qoftë edhe një foto. Këta ishin fundi i kavallit dhe nuk kishin një përfaqësi të lartë diplomatik, se di si gjejnë kohë për të humbur për disa tryeza, por sot teknologjia dhe interneti kanë bërë që edhe shkëmbimet e takimet të mos jesh si para 20 vitesh, kur duhet që të shkoje atje fizikisht. Një pjesë e takimet janë thjesht për një konsum të brendshëm politik për të bindur militantët e vet dhe për ti treguar atyre se këta kanë marrëdhënie të mira me SHBA. Shtëpia e Bardhë ka vite në fakt që nuk pret asnjë zyrtar nga Shqipëria. Kur SHBA i është dashur Berishës atëherë ajo ishte perëndia, ndërsa kur e kritikoi, i ka shpallur luftë. Kontaktet pa kufi degraduan në marrëdhëniet me McGonigal, ata janë bindur se liderët politikë abuzojnë dhe për këtë kanë krijuar një lloj distance. Marrëdhëniet me vendin i mbajnë shumë të mira, por liderët politikë i mbajnë larg.
– Duke qenë se politika zien nga debati për Reformën Zgjedhore, pjesë e së cilës është edhe votimi i emigrantëve. Mendon se vota e diasporës do të realizohet në këto zgjedhje?
Këtë e ç’bën ç’rrënjosja e sistemit politik. Nuk është e mjaftueshme drejtësia. Historia tregon se sikur t’i fusësh të gjithë ministrat në burg, vijnë ata të tjerët dhe vijojnë në të njëjtën mënyrë. Këto parti janë të blera nga oligarkët. Keni parë ndonjë kryetar partie të dalë e të përmendë emrat e 10 biznesmenëve më të fuqishëm në Shqipëri? Nëse partitë e vjetra politike nuk ulin qepenat, të bëhet një revolucion ideologjik, nuk mund të ketë ndryshim. A mundet disa të burgosur të bëjnë reformë në drejtësi? Sigurisht që jo. Ne kërkojmë reformë zgjedhore nga ata që i kanë shkatërruar zgjedhjet në Shqipëri. Kush mund ta bëjë këtë reformë, ata që e kanë shkatërruar, apo ata që nuk kanë qenë pjesë e këtij sistemi elektoral. Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha, këto parti parlamentare kanë qenë pjesë e ndërtimit të sistemit të vjedhjes dhe blerjes së votës. Duke ngritur një sistem elektoral për të shkatërruar partitë e vogla politike dhe për të mos njohur votën e shqiptarëve në diasporë. Reformën Zgjedhore mund ta realizojë vetëm populli përmes një referendumi. Këto parti i hoqën të drejtën e votës emigrantëve. Nëse këta do njohin votën e diasporës unë nuk dal më në media. Nuk besoj që deri në 2025 do njihet vota e tyre. Ka një përqindje të shqiptarëve që se kuptojnë se këta ditën bëjnë sikur zihen dhe natën flenë me njëri-tjetrin. Unë them se vet socialistët janë të interesuar të mos kemi opozitë të re. Bardhi nuk është as tek njëra as tek tjetra, grupimi i tij do digjet sepse nuk kanë treguar besnikëri ndaj askujt, do jenë jashtë listës së foltores dhe jashtë PD zyrtare.
-Sipas jush, vota e diasporës do sillte disbalancë në politikë?
Po, sepse këta nuk e gjejnë dot dhe nuk e blejnë dot atë votë. Nuk mund të shkojnë në Kanada, nuk shkojnë dot në Australi dhe të gjejnë shqiptarët kudo që janë. Këta kanë qëndruar në pushtet nga njerëzit që janë të izoluar, që janë në skamje, u shkojnë në fshatra i premtojnë për investime ose i fusin në ndonjë punë dhe u marrin votën. Pastaj ai që ka votuar PD ndër vite vazhdon edhe voton PD, ai që ka votuar PS vazhdon voton PS.
-Raporti i “Transparency International” që doli pak ditë më parë, nuk ishte parë që nga 2016, kur nisi reforma në drejtësi dhe perceptimi i qytetarëve është pro organeve të drejtësisë. Është bërë punë vërtetë nga ana e SPAK sipas jush?
Unë kam punuar për këtë organizatë dhe e njoh mirë metodologjinë që realizohet projekti. Nuk mund të jetë matës perfekt i korrupsionit, pasi renditen 180 shtete dhe është e pamundur që të kemi një kalkulim perfekt, por nuk ka asnjë studim më të mirë se ai. Janë afro 13 burime, në fakt si Banka Botërore, BERZH, por këtë herë burime janë marr edhe nga përfaqësuesit e biznesit. Kam pasur mundësinë të flas nga afër me dy nga ekspertët kur filloi reforma në drejtësi. I pyeta se si e parashikonin ata se sa mund të ndryshonte Shqipëria nga reforma në drejtësi. Ekspertët e këtij sondazhi më kanë dhënë një përgjigje shumë interesante. Më thanë: Nuk mund të ketë një shet që ka klasë politike afrikane dhe drejtësi amerikane, qeverisje afrikane dhe sistem drejtësie amerikane. Merre të gjithë listën në 180 shtete, në ato nivele që është sistemi politik në nivel korruptiv në ato nivele ke dhe sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë, SPAK merr në shqyrtim 2 për qind të çështjeve që merr sistemi gjyqësor. Është e vështirë që ne të arrijmë një nivel të sistemit gjyqësor amerikan dhe qeverisjen ta mbajmë me disa afrikanë. Nëse nuk përmirësojmë sistemin politik, do të ngrejmë një kala rëre dhe të besojmë se kemi ngritur sistem amerikan. Unë hyj në kategorinë e atyre që e konsiderojë SPAK si një sukses historik me gjithë rezervat që mund të kem.
-Mendon se është thyer miti i pandëshkueshmërisë në Shqipëri?
Në vetvete ka 6 vite që ka nisur ky debat. Sot ata peshqit e mëdhenj që ka thënë kur ishte ambasador Donald Lu që duhet të kapen peshqit e mëdhenj, sot asnjë prej tyre nuk është në burg. Sa kohë Rama, Meta dhe Berisha nuk janë fajtor dhe bëjnë politik, unë them se ajo tabuja e pandëshkueshmërisë ende nuk është thyer. Kur ata të tre të jenë në bankën e të akuzuarve atëherë po.