Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori ka folur për aktualitetin politik, ambiciet e forcës së tij dhe situatën në qeveri dhe opozitë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Qori tregoi recetën që ai dhe partia që drejton ka për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti dhe oligarkinë ekonomike që mbështet shefin e mazhorancës qeverisëse. Po ashtu, politikani i njohur, Arlind Qori zbulon edhe dosjen që nëse hetohet siç duhet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) e çon kryeministrin Rama pas hekurave (në burg). Ndërkohë kreu i Lëvizjes Bashkë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta se janë kokë e këmbë të zhytur në vjedhje e abuzime.
-Zoti Qori, kohët e fundit është rritur numri i zyrtarëve të arrestuar për afera korruptive. Pse kjo përfshirje gjithnjë e në rritje e titullarëve në korrupsion?
Sepse në thelb Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara të Evropës, që do të thotë se numri i politikanëve të korruptuar dhe masa e korruptimit të tyre është tejet e lartë. Në këto kushte, unë jam i mendimit se numri i politikanëve që po përballen me drejtësinë është ende tejet i vogël krahasuar me përmasat e fenomenit të korrupsionit sistematik. Çka vihet re kohëve të fundit është që numri i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë e të mesëm të shtetit që po hetohen është në rritje. Po unë ende jam i pakënaqur me shtrirjen e hetimeve dhe shpejtësinë e pamjaftueshme të tyre. Nuk duhet ta heqim asnjëherë nga vëmendja faktin se në Shqipëri prej dekadash vidhet gjithçka: që nga jastëkët e fëmijëve në çerdhe deri të trualli në varreza. Dhe përgjegjësi kryesore për këtë fenomen kanë të gjithë kryeministrat, presidentët, ministrat dhe të tjerë pushtetarë shqiptarë që kanë qeverisur në 33 vitet e fundit.
-A duhet të mbajë përgjegjësi vetë kryeministri Edi Rama pasi shumë bashkëpunëtorë të tij, janë arrestuar apo janë nën hetim për korrupsion? A duhet të dorëhiqet?
Unë mendoj se sistemi i korrupsionit në Shqipëri e ka themelin lart, jo poshtë. Nuk mund të vjedhë drejtori pa lejen dhe hisen e ministrit. Nuk mund të vjedhë ministri pa lejen dhe hisen e kryeministrit. Ashtu sikundër nuk mund të financohet në mënyrë të paligjshme partia pa vendimin dhe vullnetin e kryetarit të saj dhe kryeministrit të vendit. Kësisoj kryeministrat, në këtë rast z. Rama, është përgjegjës për të gjitha metastazat e korrupsionit në qeverinë e tij. Unë kam bindjen se, për shembull, nëse skandali korruptiv i inceneratorëve hetohet në thellësinë dhe gjerësinë e duhur, Edi Rama do të dënohej për korrupsion.
-Sa të rëndësishëm e shikoni betejën kundër korrupsionit? A besoni ju te SPAK?
Unë mendoj se beteja kundër korrupsionit duhet bërë në dy fronte sepse vetëm kësisoj “armiku” do të rrethohej dhe mposhtej. Fronti i parë është ai i institucioneve të drejtësisë. Janë ata që hetojnë, zbulojnë fakte, ngrenë akuza, kryejnë një proces të rregullt gjyqësor dhe në fund japin dënimet e merituara sipas ligjit. Po që institucionet e drejtësisë ta bëjnë punën siç duhet, që të mos ndjejnë presionin e paligjshëm të pushtetit politik, duhet që shoqëria të organizohet si kundërpeshë ndaj ndikimit të pushtetit korruptiv. Kudo nëpër botë ku ka funksionuar lufta ndaj korrupsionit sistemor, shoqëria ka qenë aktore e fuqishme e protestave dhe kërkimit të llogarisë ndaj institucioneve dhe pushtetarëve të korruptuar. Detyra ime si qytetar dhe aktivist nuk është as të besoj verbërisht, as të anatemoj verbërisht, por të vlerësoj në tërësi dhe rast pas rasti veprimin e institucioneve, në këtë rast të SPAK-ut. Unë i vlerësoj pozitivisht disa prej hetimeve që po kryen SPAK-u, por ende pres që prej SPAK-ut të ngrihen akuza të plota (p.sh. jo thjesht për shpërdorim detyre, por edhe për korrupsion të mirëfilltë), si dhe këto akuza të ngrihen ndaj kujtdo, sado lart qoftë në hierarkinë e pushtetit. Unë pres që në muajt në vijim SPAK-u të ngrejë akuza për korrupsion për Edi Ramën dhe Erion Veliajn, si kokat qendrore dhe lokale të sistemit korruptiv në Shqipëri. Në këtë kuptim, vlerësimi im përfundimtar për punën e SPAK-ut nuk mund të jepet tani, por në fund të procesit.
-Sa shqetësues është fakti që mund të ketë një pazar mes Edi Ramës dhe grupit të Sali Berishës për rishikimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ngushtimin e zonave dhe kompetencave të strukturave të SPAK?
Nëse ndodh diçka e tillë, atëherë reforma në drejtësi ka marrë fund dhe bashkë me të edhe reputacioni i vendeve perëndimore që e kanë projektuar dhe mbështetur. SPAK-u nuk ka nevojë për kufizim kompetencash, përkundrazi ka nevojë për të pasur më shumë liri veprimi dhe hetimi. Korrupsioni në Shqipëri është futur në çdo pore të shtetit pasi themelohet nga lart-poshtë. Ndaj hetimi duhet të jetë i vazhdueshëm, i pavarur, i pandikuar dhe i guximshëm. Edhe fakti që personazhe famëkëqija si Edi Rama dhe Sali Berisha e çojnë nëpër mend kufizimin e veprimtarisë së SPAK-ut tregon se sa e dëmshme do të ishte një ndërhyrje e tillë.
-Si i shihni sulmet dhe presionet Sali Berishës, Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tyre ndaj drejtësisë së re?
Është tentativa e dëshpëruar e dy politikanëve të korruptuar që po përballen me drejtësinë. Problemi i SPAK-ut nuk është pse po heton Berishën dhe Metën, që në fakt duhen hetuar edhe më thellësisht, por pse ende nuk ka marrë në hetim Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Ndaj duhet kundërpesha shoqërore që përmenda pak më herët.
-Ndërkohë si i e patë paraqitjen e fundit të zonjës Fatime (e ëma e Monika Kryemadhit) në SPAK, ku pas daljes tha që është pyetur për çështjen e pallatit, diçka që është përmendur dhe nga zonja Kryemadhi, ku pretendoi se gjithçka e ka të faktuar me transaksione bankare. Çfarë po ndodh sipas këndvështrimit tuaj?
Nuk e njoh mjaftueshëm këtë çështje. Po ajo që mendoj se ndodh rëndom në Shqipëri, me gjasë edhe në këtë rast, është që familjarët e politikanëve kryesorë janë adjutantët e tyre në korrupsion. Dikush prindërit, një tjetër fëmijët, një i tretë bashkëshorten/in – të gjithë këta keqbërës me pushtet politik e kanë trajtuar pasurinë publike si plaçkë familjare. Ata sot mishërojnë trajtën më të degraduar të lumpenaristokracisë, një klikë të zhytur kokë e këmbë në vjedhje e abuzime.
-Cila është receta sipas jush për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti? Mendoni se në zgjedhjet e 2025 na presin surpriza të mëdha, apo Partia Socialiste mund të rrëmbejë sërish mandatin e katërt?
Receta për të rrëzuar Edi Ramën, klikën në pushtet dhe oligarkinë ekonomike që i mbështet është krijimi i një lëvizjeje të gjerë shoqërore që i kundërvihet me parime të forta keqqeverisjes. Lëvizja BASHKË synon të jetë katalizatorja e kësaj lëvizjeje që duhet dhe mund t’i kapërcejë kufijtë e një partie. Edi Rama rrëzohet duke punuar çdo ditë për themelimin dhe shëndoshjen e kundërtrupave të organizuar shoqërorë si p.sh. sindikata të reja e të fuqishme, unione studentore, bashkime njerëzish të profesioneve e veprimtarive të përafërta. Vetëm nga një pikëprerje e impulseve që vijnë nga shoqëria me organizime partiake që konkurrojnë elektoralisht, si p.sh. Lëvizja BASHKË, mund të mposhtet Rama. Fatkeqësisht është krijuar iluzioni sikur Rama është i pathyeshëm më 2025. Ky mendim i pasaktë është produkt i impotencës së partive të vjetra opozitare. Pakënaqësia në popull ka arritur kulmin. Duhet vetëm pak më shumë besim dhe organizim. Unë mendoj se në zgjedhjet e ardhshme partia e Edi Ramës nuk do të ketë shumicën parlamentare.
Intervistoi: Rigels Seliman