Drejtuesi i Nismës Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka e ka ndalur theksin tek vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë e paralajmëruar për t’u zhvilluar këtë javë, ofensivën e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë korruptuar dhe dosjeve “përvëluese” që duhet të hapen nga drejtësia e re, në të cilat dyshohet se janë përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Shabani teksa flet pa “doreza”, tregon ku fshihen lekët e vjedhura në aferën ‘CEZ-DIA’ ku është implikuar Ilir Meta, ndërkohë që zbardh edhe prapaskenat e vizitës së Blinken në Tiranë dhe emrat që duhet të arrestojë SPAK.
-Zoti Shabani, u bënë disa muaj që në Parlamentin, po shohim të njëjtat skena, tensioni e kaosi dhe së fundmi edhe në komisionin e Reformës Zgjedhore. Ju si e vlerësoni këtë situatë? Kush mendoni se e ka fajin lidhur me këtë situatë…
Padyshim që faji kryesor këtu nis me mënyrën se si po sillet mazhoranca qeverisëse në Parlament. Mohimi i të drejtës së opozitës për të ngritur komisione hetimore pamundëson kontrollin që ligjvënësi duhet të kryejë ndaj ekzekutivit, dhe akoma më keq kur mazhoranca e përdor fuqinë e numrave për ta vështirësuar këtë funksion duke kufizuar me ligj një të drejtë që garantohet nga kushtetuta. Megjithatë edhe grupi i foltores, sidomos për sa i përket komisionit të reformës zgjedhore nuk është se ndryshon shumë nga mazhoranca. Në vend që të dilnin me propozimet e tyre, ata e kanë fokusuar të gjithë betejën tek nevoja për tu ulur në tavolinë, pa treguar se si do ta përdorin votën e tyre në komision dhe më pas në seancën plenare, kur të votohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
-Megjithatë të jemi të sinqertë, sherret dhe akuzat për Reformën Zgjedhore duket se janë shou i radhës. Sa herë ka zgjedhje tentohet të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor dhe në fund bëhen disa ndryshime pa vlerë në fund. Sistemi zgjedhor nuk preket, ai i cili mund të sjellë ndryshim. Po ashtu është folur për votën e emigrantëve, votë e cila mundtë bëjë diferencë në zgjedhje. Por duket se as kjo nuk ka për të ndodhur. Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Luksemburg e bëri të qartë se vota e emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është e vështirë të realizohet. Shkak për kreun e qeverisë shqiptare lidhet me mungesën e të dhënave të plota të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Keni një koment dhe si do veproni ju si Nisma Thurje duke qenë se jeni partizanë dhe e keni pjesë të kauzës suaj votën e emigrantëve?
Në fakt ne si Nisma Thurje kemi dorëzuar në vitin 2020 një projektligj të plotë i cili garanton votën e shqiptarëve të diasporës, dhe transformon rrënjësisht sistemin zgjedhor. Një pjesë e madhe e propozimeve tona janë injoruar në atë kohë, dhe po injorohen edhe tani, megjithëse projektligji ynë u mbështet nga 50 mijë zgjedhës. Përsa i përket justifikimeve të Edi Ramës ato janë qesharake, pasi ishte pikërisht Rama që përdori paratë e buxhetit të shtetit për të ngritur një ministri diaspore që para një dekade. Nëse shqiptarët e diasporës nuk janë identifikuar dhe regjistruar në një regjistër, siç pretendon Rama, unë do pyesja çfarë u bë me paratë që u përdorën për këtë ministri? Çfarë pune bëjnë ambasadat tona dhe ministria e jashtme? Pse nuk i identifikojnë dhe regjistrojnë shqiptarët kudo që janë? Pra Edi Rama nuk mundet t’ia faturojë shqiptarëve një punë për të cilën ne kemi 10 vite që e paguajmë atë që ta bëjë.
-Ndërkohë raporti i “Transparency International” që doli pak ditë më parë, nuk ishte parë që nga 2016, kur nisi reforma në drejtësi dhe perceptimi i qytetarëve është pro organeve të drejtësisë. Është bërë punë vërtetë nga ana e SPAK sipas jush?
Për herë të parë në disa vite ne patëm një përmirësim në perceptimin publik mbi korrupsionin. Kjo korrespondon edhe me sondazhe të tjera që tregojnë rritjen e besimit të shqiptarëve tek drejtësia e re. Po të marrësh parasysh se sa shumë energji harxhojnë dinozaurët e politikës për t’i mbushur mendjen popullit që SPAK-u është i korruptuar, ky besim publik tek SPAK-u tregon që në fakt atyre nuk ua vë më njeri veshin dhe se shqiptarët e kuptojnë shumë mirë që rotacioni politik ka filluar.
-Mendon se është thyer miti i pandëshkueshmërisë në Shqipëri? A mund të flisni ju me emra kush duhet të shkojë me burg nga politikanët dhe kushdo që është përfshirë në afera korruptive dhe kriminale?
Padyshim që miti i pandëshkueshmërisë është thyer. Patjetër që mund të flas me emra: Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe partnerët e tyre që janë pasuruar përmes privatizimeve, skemave të PPP-ve dhe monopoleve në treg përfshi Samirin, Çetin, Vilmën dhe gjithë të tjerët pa përjashtim. Unë jam i bindur që ora e drejtësisë po vjen për këdo që e ka vjedhur këtë popull.
-Ndërkohë protestën e 20 shkurtit të thirrur nga Berisha dhe grupi i tij si e shihni. Pse ai po proteston…
Nuk e kam ndjekur fare, por besoj se edhe ne e dimë, edhe ai e di që ne e dimë, se për çfarë po proteston.
-Çfarë pret që të ndodh me dosjet që po hetohen në ngarkim të Ilir Metës, sikundër ashtë afera “CEZ-DIA” dhe ajo e lobimit në SHBA?
Pres drejtësi dhe uroj që të mos humbasim kohë. Mos harroni se sa vetë u detyruan të varin veten sepse nuk paguanin dot faturat e dritave. E gjithë kjo fushatë u justifikua me argumentin që të reduktonim ‘vjedhjen’ e energjisë, që bënte populli duke mos paguar faturat. Ndërkohë që lekët që ne kemi paguar për energjinë janë vjedhur dhe dërguar nëpër llogari off-shore. Prandaj drejtësia duhet ta zbardhë sa më parë këtë aferë dhe t’i rikthejë shqiptarëve pasurin që i është vjedhur.
-Po vizitën e Sekretarit Blinken ne Tirane si e shihni?
E shoh si një ngjarje pozitive për Shqipërinë. Është një konfirmim i partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe rëndësinë që shqiptarët kanë për SHBA-në. Mendoj se është gabim që këtë mbështetje të Amerikës t’ia njohim si meritë qeverisë, pasi ajo është mbështetje për popullin shqiptar më shumë se për politikanët shqiptarë.
Intervistoi: Rigels Seliman