Intervista që gazetarja Rudina Xhunga realizoi me gruan e ish-diktatorit Enver Hoxha ka bërë bujë jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe te individët me poste, qoftë gazetarë apo politikanë e njerëz nga arti.
Deputeti i PD, Gent Strazimiri, është shprehur i pakënaqur për mënyrën sesi është realizuar intervista dhe pyetjet që janë bërë, duke quajtur me një nënkuptim të dukshëm gazetaren një “hale komuniste”.
Statusi i plotë i Gent Strazimirit për Rudina Xhungën
“Nëse do të kisha qenë gazetar, dhe do të kisha patur nevojën përcëlluese të fiksoj intervistën e fundit të Nexhmije Hoxhës, mbase do kisha pranuar të mos e orientoja bisedën tek krimet që së bashku me të shoqin bënë për 46 vjet. Mbase do kisha pranuar që ajo ateiste e deklaruar, nevojën për një “rrëfim” të pasinqertë drejtuar viktimave të saj ta bënte përmes meje. Mbase për hatër të “scoop”, edhe do kisha pranuar që pyetjet ajo t’ia bënte vetes siç donte dhe kur donte por, jam i bindur minimalisht një pyetje si fëmijë “talloni”, që shoh se prindërit e mi janë më të bukur e të shëndetshëm sot 70 vjeçarë nga ç’ishin 20, 30 a 40 vjeçarë, do ia kisha bërë: Kur e shihje që ty dhe Enverit tënd (me shërbimet qeveritare në dispozicion, etj., etj., etj.), nuk ju dilte ta mbyllnit muajin me 27 mijë lekë, po një familje me 6-7 mijë lekë dhe 4, 5 a më shumë kalamaj si ia bënin për të mbyllur muajin “të lumtur e mirënjohës” ndaj partisë? Ose fjala vjen, kur u vendos talloni, nga sa kokrra vezë, kile mish apo vaj merrnit ti dhe Enveri tek ai “dyqani Bllokut, nga i cili shokët e udhëheqjes ktheheshin kokëulur pa marrë gjë … se nuk u dilte”? Të paktën kaq do e kisha bërë, thjesht për kuriozitet, edhe nëse do isha thjesht një hale’ komuniste… Por ç’të bëj që nuk jam gazetar…”, shkruan ai.