Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kuvendi i Shqipërisë u përfshi dje sërish nga kaosi, teksa përplasja me Gardën e Republikës, sherret, tymueset blu, portokalli, karriget pirg dhe flakët, dominuan seancën plenare. Grupi i Sali Berishës dhe i Gazment Bardhit përsëritën skenarin e kaosit edhe në seancën e djeshme, e cila nuk zgjati më shumë se 14 minuta, ndonëse ishte planifikuar një seancë ku do të diskutoheshin problematikat që shqetësojnë qytetarët. Për dy deputetët e Rithemelimit, Flamur Noka dhe Albana Vokshi, do të referohen materiale në SPAK, pasi ndezën tymuese, por dhe u vunë flakën letrave me të cilën donin të digjnin pirgun e karrigeve që kishin mbuluar foltore. Ndaj Nokës dhe Vokshit, janë ngritur dy akuza, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, për veprat penale të neneve 151 dhe 154 të Kodit Penal, dënohen nga gjobë deri në 5 vjet burg. Ndërkohë i pranishëm në Kuvend ishte dhe Sali Berisha, i cili vijon të refuzojë të zbatojë urdhrin e GJKKO-së për t’u paraqitur në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje” në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” pas së cilës dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndërtoi 19 kulla dhe sipas SPAK pati një fitim prej 5.4 mln euro.
Debatet dhe përplasjet, ja kronologjia
Megjithatë, si herën e kaluar deputetët e Rithemelimit shkuan në seancë 1 orë para nisjes dhe përplasja nisi në hyrje të sallës plenare kur deputetët e Rithemelimit kundërshtuan Gardën, e cila po ushtronte kontrolle në derë që të mos hynin mjete piroteknike, por duket që nuk ia dolën. Njësoj si seancën e kaluar, 20 nëntor, protagonist kryesor ishte Flamur Noka, një nga mbështetësit e fortë të Sali Berishës. Hodhi tymuese ngjyrë blu e portokalli dhe i vuri flakën një tufe me letra. Madje zoti Noka në një moment tentoi të hiqte dhe një prej ekraneve në Kuvend. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla përjashtoi duke i bërë thirrje: ‘Thirrini arsyes’. Por Noka nuk u dorëzua. Në një moment deputetja Elda Hoti u ul poshtë tavolinës të nxjerrë flakadanët të cilët u ndezën nga Albana Vokshi dhe u mbajtën nga Flamur Noka. Ndërsa deputeti i Kukësit Isuf Çela i dha Flamur Nokës një tufë me letra të cilave iu vu flaka dhe qëllimi ishte të digjnin foltoren e Parlamentit. Flamur Noka i hodhi letrat e ndezura mes karrigeve grumbull në foltore të mbledhura prej vetë opozitarëve në fillim të seancës me qëllim që mos linin deputetët të flisnin. Fatmirësisht ndërhyrja e menjëhershme e gardës bëri që ajo flaka të shuhej Me qëllim që të bllokonin vijimin e një seance normale plenare deputetët e Berishës godisnin tavolinat me qëllim që të mos dëgjohej fjala e socialistëve. Vetëm deputeti socialist Vullnet Sina dhe deputeti Petro Koçi mundën të mbanin fjalën mes kaosit dhe tymueseve. Ndërkohë pas kaosit vendin e deputetëve e zunë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët nisën mbledhjen e provave. Ndërkaq kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm dje në Kuvend. As kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili ndodhet në një tur në SHBA. Po ashtu, pati edhe debate mes deputetëve dhe jovetëm.
Ø Gazment Bardhi sulmon gardistët: Ca jeni ju. Kush jeni ju, 25 gardistë. Kush jeni ju që nuk lejoni deputetët me u fut në Kuvend, shko ore legen, shih ca keni bërë.
Ø Flamur Noka akuza Ballës: Do iu vijë fundi do ta shikoni, do iu shtypim si miza.
Ø Noka-Gardistit: Ik er pridhu mos mu afro. Ik er pirdhu, do më tregosh ti mua.
Ø Bardhi mbron Nokën: Mos e prek me dorë. Mos e prek me dorë.
Reagon Balla
Sakaq, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas tensioneve dhe kaosit të krijuar nga Rithemelimi në Kuvend, ku u ndezën flakë dhe tymuese. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla, teksa publikon videon ku deputeti Flamur Noka tenton t’i vërë zjarrin karrigeve pasi i ka vënë flakën disa letrave, dhe shprehet se Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat mund të dënohen deri në 5 vite burg. “Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg. Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrsesi, duke përfituar apo duke u fshehur pas imunitetit!”, shkroi Balla.
Bardhi i përgjigjet ministrit të Brendshëm
Nga ana tjetër, edhe deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Në një postim në “Facebook”, Bardhi theksoi se interesi i qytetarëve kërkon që aferat korruptive të Qeverisë Rama- Balla të hetohen, nga Parlamenti dhe nga drejtësia. “Edi Rama dhe Taulant Balla i kanë vënë zjarrin Shqipërisë prej 10 vitesh dhe e kanë shndërruar prej kohësh sallën e seancave plenare në një skenë krimi, ku kalohen ligje korruptive për të favorizuar përfaqësues të krimit të organizuar apo ortakët e tyre në biznes. Vetëm me kontratën e koncesionit të sterilizimit gjykata dhe prokuroria e posaçme kanë konstatuar se kanë vjedhur plot 60 milion euro. Boll u fshehët pas Gardës dhe boll u ankuat për protestën e opozitës në Parlament që shpreh mospajtimin me këto çështje. Interesi i qytetarëve e kërkon që aferat korruptive të Qeverisë Rama-Balla të hetohen, nga Parlamenti dhe nga drejtësia. Përmes mohimit të hetimit parlamentare, ju po kërkoni të shpëtoni nga transparenca dhe llogaridhënia, me besimin se do shpëtoni edhe nga drejtësia! Parlamenti nuk mund të jetë skenë krimi permanente ku ju miratoni ligje me porosi dhe më pas nuk lejoni opozitën të ushtrojë të drejtën e saj të kontrollit parlamentar mbi zbatimin e këtyre ligjeve. Kthimi në normalitet i Parlamentit kalon përmes respektimit të Kushtetutës. Në të kundërt, ju do ta vazhdoni ta trajtoni Kuvendin si sallë ku votoni për të pasuruar veten dhe varfëruar shqiptarët”, shkroi Bardhi.