Kryeministri Edi Rama menjëherë pas vizitë së figurës numër 2 të SHBA i adresoi një letër ku e falenderonte me shumë përulësi për vizitën e tij në tokën e shqipeve. Në shkresën e tij Edi Rama i deklaron me devocion zotit Blinken dëshirën e tij për luftën ndaj korrupsionit.
“Më lejoni të përfitoj nga ky rast për të riafirmuar angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara dhe synimet tona të përbashkëta për promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të mbështetur reformën shumë të nevojshme të shtetit të së drejtës si një bazë kritike e demokracisë shqiptare dhe një shtyllë jetike në përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin. Ne njohim gjithashtu rëndësinë e punës së bashku për të reformuar sektorë të tjerë kritikë të shoqërisë, të cilët janë thelbësorë për suksesin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE”, deklaron kryeministri shqiptar duke lëshuar një mesazh përulësie ndaj figurës numër 2 të shtetit amerikan.
Shumëkush e ka konsideruar këtë letër si një proces rutinor i një kryeministri pasi pret një vizitor në vendin e tij. Ajo që bie më shumë në sy në të gjithë paragrafët e mësipërm është devocioni i KM shqiptar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Pa i hyrë teorive konspirative dhe gjuhës diplomatike të zotit Blinken në raport me Edi Ramën, mesazhet që ai i përcolli ishin të qarta dhe të ashpra. Takimi i kreut të SPAK dhe mesazhet e qarta për luftën kundër korrupsionit, zbehnin qokën e Sekretarit të SHBA për kreyministrin shqiptar.
Mesazhet e ditëve të fundit për SPAK, kërcënimet e tij nëpër ansambletë socialiste dhe ngritja e ekipeve të punës për të vënë nën kontroll djallin që i ka dalë nga ferri deri te mbyllja e dyerve të zyrave ndaj hetuesve tregojnë se kryeministri shqiptar kishte vendosur të sabotonte drejtësinë e re të krijuar nga amerikanët. Kryeministri shqiptar prej kohësh e konsideronte drejtësinë e re si vepër të socialistëve, duke i mohuar haptazi investimin e padiskutueshëm amerikan. Nuk harrohet lufta e tij titanike për të vënë në krye të SPAK një njeri të tijin, duke sfiduar hapur kryediplomaten amerikane në Tiranë. Në një deklaratë të tijën të asaj kohe Edi Rama deklaroi se kreun e SPAK nuk do e zgjedhë asnjë i huaj, qoftë ky edhe amerikan.
Në këto kushte vizita e Blinken megjithëse u përcoll si një mesazh pozitiv për kryeministrin shqiptar, demonstroi qartazi një mesazh shumë të hidhur për vetë Edi Ramën.
Kush prek Spak është armiku i amerikanëve.
Sekretari i Shtetit nëpërmjet dy mesazheve të qarta në “X” konfirmoi qëndrimin amerikan se me drejtësinë e re nuk ka shaka. Dy mesazhe rrufe erdhën nga ambasada amerikane dhe sërish nga SHBA u lëshua një tjetër silur nga sekretari Blinken, ku bashkë me fotot e vizitës së “ngrohtë” në Tiranë u rinis një tjetër silur për luftën ndaj korrupsionit dhe mbështetjen për drejtësinë e re.
Vizita e Blinken në Shqipëri e përcolli shumë të qartë mesazhin për Edi Ramën. Spak, drejtësia dhe lufta kundër të korruptuarve.
Të tre këto komponentë janë minat me sahat të qeverisjes së Edi Ramës, që është një nga qeveritë më të korruptuara në planet, e cila ka në burg dhe hetim 70 përqind të qeverisë.
Letra që Edi Rama i përcolli Blinken ishte një nënshtrim pa kushte ndaj kërkesave amerikane. Në ato rreshta të shkruara me përulësi, Edi Rama pranon me zemër në dorë kapitullimin përpara SPAK, duke i deklaruar amerikanëve pranimin e verdiktit të tyre pavarësisht se kjo gje mund të koincidojë me një vetëvrasje politike të kryeministrit shqiptar. Letra e Edi Ramës drejtuar ndaj Blinken është një copypaste e letrës të një tjetër kryeministri në vitin e largët 1981.
“Shoku Enver, në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkruar me dorën tënde, ndër të tjera, më shkruaje: “Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe si ushtar besnik i tyre. Partia dhe populli do të jenë mirënjohës. Unë shoku yt i afërt i halleve dhe i fitoreve të përqafoj. Enver, 11 qershor 1981”.
Në një shënim që më dërgove më 28 tetor 1981, në lidhje me projektautokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementëve negativë në karakterin tim, se aty do të gjeja edhe arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte “… disa elementë negativë të karakterit (tim), që shfaqen shpeshherë në punën shumë të frytshme që bëj për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të”. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën”, deklaron Mehmet Shehu në letrën e tij duke pranuar vetëvrasjen për hir të dashurisë për Enver Hoxhën.
Shumë ujëra kanë kaluar por përmbajtja e letrave drejtuar më të fuqishmëve të kohërave, Enverit në vitin 1981 dhe sekretarit Blinken në 2024, duket se janë një deja vu. Mehmeti vrau veten për Enverin, Edi pranon të bëjë harakiri përpara kërkesave të Blinken, të cilat të çojnë de facto drejt vetëvrasjes.