Edvin Kulluri, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së i ftuar në një studio televizive, u shpreh se listat e hapura janë në të mirë të qytetarëve, ndërkohë që listat e mbyllura janë në të mirë të kryetarëve të partive politike.
Duke folur për reformën zgjedhore, Kulluri tha se është e nevojshme të kthehet barazia e votës.
Sipas Kullurit, grupi i Bardhit tashmë nuk ka asnjë mendim për këtë çështje dhe se presin Berishën të japë verdiktin e tij.
“Thelbi i çështjes është do kemi këtë sistem me lista të mbyllura që prodhon këtë parlament, do kemi sistem kushtetues që nuk rrëzon dot kryeministrin me mocion mosbesimi apo duhet një reformë kushtetuese ta kthejmë Shqipërinë nga një republikë kryeministrore në republikë parlamentare dhe t’i kthehemi normalitetit?
Është krizë që është prodhuar nga 2008. Ky është parlament i 3 kryetarëve të partive, nuk është parlament i qytetarëve. Do shqyrtojmë nëse propozimi ynë për lista të hapura i bën dëm qytetarëve apo i bën mirë? Listat e mbyllura i bëjnë mirë kryetarëve, listat e hapura i bëjnë mirë qytetarëve dhe ky dallim është i qartë se ti ke të drejtë të ushtrosh votën tënde parapëlqyese.
Duhet të shkojmë drejt barazisë së votës. Nuk mund të dalësh deputet në Vlorë me 7800 vota dhe në Tiranë duhen 12 mijë vota. Duhet të gjejmë një mekanizëm që çdo votë të jetë e barabartë tek kutia e votimit.
Ata nuk kanë folur asnjë fjalë për këtë gjë. Një pjesë e partive të vogla janë për lista të hapura.
Ata po nuk foli doktori nuk kanë asnjë mendim. Është e kotë t’i pyesësh ata, nuk kanë asnjë mendim. Kanë një vit që nuk kanë asnjë mendim për këtë çështje. Më gjeni një deklaratë të Bylykbashkit. Grupi i Bardhit nuk është dakord, kanë qenë para një viti, por tani nuk flasin më se varet se çfarë mendon doktori.”