Aksioni opozitar, reforma zgjedhore, raportet mes Qeveri-Presidencë, marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës, reforma në drejtësi dhe ngritja e SPAK, kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, shprehu bindjen se zgjidhja e krizës vjen vetëm me zgjedhje të parakohshme, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama s’ka rrugë tjetër veç largimit. Sipas zotit Boçi, mazhoranca po përdor çdo marifet për të dështuar reformën zgjedhore.
-Zoti Boçi, vitin që lamë pas Shqipëria u përball me një tërmet shumë të fortë në 26 nëntor. Si e shihni angazhimin e shtetit shqiptar për përballimin e situatës?
Tërmeti i rënë kishte përmasa apokaliptike për vendin tonë dhe shkaktoi qindra tragjedi familjare e personale, të cilat ende nuk kanë nisur të shërohen ndonëse koha e mjaftueshme ka rrjedhur. Ai zbuloi ndërkohë dhe përmasën e frikshme të mosekzistencës së shtetit dhe të paaftësisë totale të strukturave shtetërore për të përballuar situata të tilla emergjence. Numri i jetëve njerëzore të humbura ishte i lartë dhe po kështu dhe niveli i papërgjegjshmërisë ishte tepër i lartë. U ndërhy me shumë vonesë dhe në forma diletante dhe arkaike. Mjafton fakti që përballë kësaj tragjedie kryeministri hezitonte të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, pasi ai dhe strukturat e drejtuara prej tij nuk e kishin idenë e asaj çka kishte ngjarë dhe njëherazi nuk shprehnin një shqetësim e angazhim real. Ishte ndihma e plotë e Kosovës e fqinjëve dhe e disa vendeve europiane ajo që si të thuash “shpëtoi situatën” dhe kështu tepër të rënduar nga ana e pasojave. Solidariteti dhe humanizmi qytetar, zbehën plotësisht dhe rrëzuan dhe atë pjesë të propagandës, e cila mëtonte të shpallte hero Ramën dhe turrën e tij të njerëzve skenaristë dhe regjisorë të një klounade të shpifur. Më të shpifurën që kanë prodhuar ndonjëherë regjimet në Shqipëri. Gjithçka ishte dhe mbetet ende dhe sot kaotike. Situata vazhdon të jetë pa rrugëdalje për të dëmtuarit, pa fajtorë realë të pasojave të shkaktuara që mund të ishin shmangur, të cilët qëndrojnë ende në zyrat e ngrohta lokale dhe qendrore dhe japin dhe urdhëra për të mbyllur aferat e veta personale dhe krimet ndërtimore të realizuara në vite rresht, pa një fund të prekshëm real shpresëdhënës, për ata qindra e mijëra që kanë humbur çdo gjë e çdo investim të jetës së tyre. Asnjë lloj transparence nuk ekziston për donacionet e dhëna dhe braktisja shtetërore është ulëritëse.
-Megjithatë në kuadër të tërmetit të 26 nëntorit që la pas një tragjedi të madhe, kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë që politikanët në Shqipëri të bëhen bashkë për të mirën e vendit. Si e shihni ftesën e tij drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha?
E mira e një vendi nuk është një koncept abstrakt e aq më tepër nuk është një rreckë që sa herë t’i duhet Ramës ta veshë atë për të impresionuar opinionin publik. E mira është pasojë dhe shkak i shumë veprimeve dhe nuk mund të gërmohet e të gjendet në mes të fatkeqësisë që na ka gjetur për t’u përdorur më pas si varkë shpëtimi për të keqen politike që na ka rënë në qafë e që drejton sot vendin. Forcat politike nuk bashkohen me akte deklamative për të mirën, por bashkohen me mënyrën si sillen me vendin, me njerëzit, me ligjet, me Kushtetutën. E mira kështu është vektor i shumë akteve dhe i sjelljeve. E mira e vendit nuk është as mbjellja me krim e drogë e tij, as shtyrja e njerëzve drejt braktisjes së vendit, as korrupsioni e hajdutëria galopante, as rrëmbimi me lezet koncensionar i djersës dhe i mundit të qytetarëve e as demontimi i demokracisë. Ftesa ishte një lojë e ulët politike e Ramës me qëllim krijimin e një tymnaje për mbulimin e përgjegjësisë së tij direkte në krimin ndërtimor dhe urban, që u evidentua me pasojat e tërmetit dhe për të nxitur një debat politik të panevojshëm në një kohë kur njerëzit kishin e kanë nevojë për veprime konkrete ndihmëse e financuese nga qeverisja.
-A mendoni se gjatë vitit 2020 do të gjendet konsensusi mes palëve politike, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike? Dhe nëse po, kush është zgjidhja?
Ajo që 2020 parashtron si domosdoshmëri të pranuar nga të gjithë, tashmë dhe nga faktori ndërkombëtar, është zgjidhja e krizës politike. Dhe mekanizmi i kësaj zgjidhje në demokraci janë zgjedhjet. E përderisa është vënë një kusht i fortë, i cili kalon nëpërmjet reformës zgjedhore, atëherë diskutimet janë të tepërta dhe romanticitetet e konsensuseve janë krejt pa shije. Është e qartë si drita e diellit që Rama ka dështuar, Rama duhet të largohet, Rama nuk mund të vazhdojë më. Vendi është në krizë totale ekonomike politike, sociale e arsimore dhe për këtë ka vetëm një fajtor: qeverisja makute e një njeriu të shfazuar dhe krejt jashtë realitetit tronditës së një Shqipërie tani “me krye n’hi”, “sikur lisi i rrxuem përdhe”. Zgjedhjet e parakohshme janë çelësi i daljes nga kjo situatë krize e rrugë pa krye.
-Gjithashtu situata duket se është qetësuar edhe brenda opozitës. Ju i keni braktisur protestat, ndërkohë që jeni të paqartë sa i takon aksionit opozitar. Çfarë do sillni këtë vit ndryshe?
Situata është në vlim e sipër dhe aspak e qetësuar, apo më keq e mirëpranuar. Zemërimi i akumuluar mezi pret të shpërthejë në format e tij të shprehjes. Në sinkron të plotë me këtë, aksioni opozitar vazhdon të jetë intensiv dhe produktiv. Ka vazhduar me organizimin kapilar të strukturave dhe hapjen e partisë ndaj vlerave historike e aktuale qytetare. Po konkretizohet në shpalosjen e një programi politiko-ekonomik konkret, real e vizionar për të nxjerrë vendin nga kriza dhe si një kartë mirëbesimi midis PD dhe qytetarëve. Paralelisht nuk është hequr dorë nga demaskimi e denoncimi i megaaferave korruptive koncesionare, tenderuese e abuzuese si dhe me
sjelljen e argumenteve për simbiozën politikë-krim në kupolën e lartë të maxhorancës së sotme. Protestat nuk janë braktisur. Ato janë një mekanizëm mobilizues qytetar shumë i rëndësishëm dhe të cilat kanë format dhe kohën e vet të organizimit, varësisht me strategjitë që PD vendos të zbatojë dhe të cilat i nënshtrohen një vendimmarrje statutore rigoroze. Për PD ky vit është viti i ndërtimit të besimit të plotë të saj tek qytetarët për angazhimin e saj të gjithanshëm në të mirë të vendit dhe mirëqenies së njerëzve, vit i zgjedhjeve politike dhe i triumfit të saj politik.
-Po marrëdhëniet mes PD dhe LSI si janë?
Vazhdojnë të jenë korrekte dhe solide brenda një fronti i cili nuk rresht së bëri betejat e radhës për të mbrojtur demokracinë, Kushtetutën, për ta nxjerrë vendin nga llumi i Ramës dhe i krizës dhe për t’i dhënë qytetarëve shpresë për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë.
-Por tërmeti ka sjellë një farë qetësie edhe në marrëdhëniet mes qeverisë dhe Presidencës. Mazhoranca shtyhu afatet e komisionit hetimor me 4 muaj, ndërsa presidenti Ilir Meta ka anuluar tubimin e parashikuar për t’u mbajtur. A mendoni se edhe mes këtyre palëve do të vendoset një farë konsensusi?
Është një paqe e rremë pasi nuk mund të ketë paqe nën shkeljet kushtetuese dhe nën hijen e luftës që po bën mazhoranca për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Pastaj nuk mund të flasësh për konsensus midis një institucioni siç është Presidenca dhe një sqote politike siç është mazhoranca. Përplasja vazhdon të jetë e ashpër, ndonëse pa intonacione të drejtpërdrejta. Veprimet denoncuese të presidentit me fakte të pakundërshtueshme për mënyrën se si ka vepruar politikisht mazhoranca për të kapur reformën në drejtësi, nuk besoj se janë tërheqje. Përkundrazi janë një kalim nga faza e deklaratave në fazën e veprimeve. Kjo do të thotë që përplasja është shumëfishuar. Nga ana tjetër, mazhoranca në pamundësi ligjore për të shkarkuar presidentin zgjat afatet, jo si shenjë ulje tensioni, por si shenjë rritje presioni ndaj tij.
-Sidoqoftë, sulme dhe akuza në adresë të mazhorancës ka artikuluar edhe presidenti Meta. Madje, duket se më shumë z. Meta po bën rolin e opozitarit, se sa të kreut të shtetit. Keni një koment për këtë strategji që po ndjek z. Meta dhe a rrezikon që ai të nxjerrë jashtë loje opozitën?
Z. Meta është duke zbatuar pikë për pikë të drejtën dhe detyrimin që i parashikon dhe i njeh Kushtetuta e ligjet e vendit. Opozicionet e tij në mbrojtje të Kushtetutës nuk duhen interpretuar si opozitarizëm politik, por si sjellje të një presidenti në lartësinë e detyrës. Si një lëvizje e arsyeshme për të ndalur mosarsyen e një mazhorance e cila është turrur, nën inercinë e një treni të dalë nga shinat që synon të rrëmbejë e të diktojë çdo gjë. Në këtë kontekst nuk ka asnjë shqetësim opozitar për rolin e presidentit. Konvenencat në gjatësi vale me opozitën dhe veçanërisht me PD, për shqetësimet kapitale që lidhen me Kushtetutën, demokracinë e drejtësinë, dëshmojnë, jo një rol ekskluziv politik të rrëmbyer nga presidenti, por dëshmojnë fort, gjendjen alarmante të një shteti ligjor dhe demokratik të rrënuar dhe të marrë peng nga një kastë politiko-ekonomiko-kriminale, e cila duhet ndalur me çdo kusht.
-Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për miratimin e reformës zgjedhore. Mendoni se ajo do miratohet dhe do të jetë gjithëpërfshirëse, duke reflektuar në të edhe propozimet e PD?
Reforma është porta që të çon në zgjedhjet e parakohshme, sipas dhe kushteve të Bundestagut dhe gjithëpranimit nga faktori i ndërkombëtar. Për këtë arsye ka një investim politik të fortë nga ana e mazhorancës për ta dështuar atë me mijëra marifete. Me opozitën gjoja parlamentare që nuk përfaqëson asgjë, me provokime banale duke vënë në krye të komisioneve hajdutë të provuar me fakte votash, duke shtyrë afatet, duke mos përfillur propozimet opozitës, etj. Reforma si e tillë, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për të hedhur lumin, duhet të konsiderojë e të bëjë pjesë të ndryshimeve integrale propozimet tona, të cilat argumentojnë rrugën që të çon në garantimin e votës së lirë dhe të vërtetë të votuesit. Një reformë zgjedhore pa opozitën do të ishte një atentat ndaj votës së lirë dhe ndaj besimit të votuesit./Rigels Seliman