Rigels Seliman
Pavarësisht se janë bërë 6 muaj që kur Sali Berisha shkeli për herë të fundit në Parlament, përpara se Gjykata e Posaçme (GJKKO) të vendoste masën “arrest shtëpie”, atij nuk do t’i hiqet mandati i deputetit. Në Konferencën e Kryetarëve të mbajtur sot me dyer të mbyllura ku diskutua mundësia e heqjes së mandatit të Berishës, Partia Socialiste ka vendosur të mos marrë asnjë vendim. Ka qenë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ajo e cila ka thënë se pas këshillimit me njohësit e Kushtetutës, masa e arrestit në shtëpi nuk konsiderohet mungesë pa arsye në Kuvend. “Dua t’i japim fund spekulimeve. Qenia e një personi nën këtë masë nuk mund të konsiderohet si mungesë pa arsye në Kuvend. Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës”, mësohet të ketë thënë Nikolla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Por ky vendim i kryeparlamentares Lindita Nikolla duket se është një dopjo standard. Javën që shkoi u bënë fiks 6 muaj që Berisha nuk shkel në Kuvend dhe Kushtetuta përcakton fare qartë se një deputet humbet mandatin kur mungon për 6 muaj rresht pa arsye. Berisha është në “arrest shtëpie” dhe nuk i është lejuar të marrë pjesë në seancat plenare. Ndërkohë mbi të njëjtin përcaktim Lindita Nikolla nxitoi t’i hiqte mandatin Arben Ahmetajt. Kjo do të thotë se jemi përpara një pazari Rama-Berisha, pasi ndryshe nga rasti i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, Nikolla konfirmoi të paprekshëm mandatin e deputetit të kreut të Partisë Demokratike.
Bardhi mbron Berishën
Ndërkohë të njëjtën gjë, e konfirmoi edhe kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. “Sot Kryetarja e Kuvendit, lexoi drejt Kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës, Sali Berisha. Strukturat ligjore te kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye”, deklaroi ai para mediave dje pas mbledhjes së . Mini-fitoren, Bardhi e shoqëroi edhe me një kërkesë. “Ne kërkuam që zotit Berisha, ne përputhje me kushtetutën t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë me seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare. Në mënyrë arbitrare i pengohet ushtrimi i mandatit të deputetit”, nënvizoi Bardhi. Kujtojmë se Sali Berisha preku Kuvendin për herë të fundit më 21 dhjetor të vitit të shkuar, ditë kur Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë vendosjes së tij në arrest shtëpie, ndërsa i pezulloi edhe rrogën e deputetit e dietat. Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit, nën hetim për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Reagon Gjikondi
Nga ana tjetër, për juristen e njohur, Brizida Gjikondi, është e shëmtuar dhe e pamoralshme që Sali Berisha të vazhdojë të ushtrojë mandatin e deputetit edhe pse ndodhet në “arrest shtëpie”. Teksa ishte e ftuara dje në një studio televizive, zonja Gjikondi u shpreh se vetëm nga ligji i dekriminalizimit, Berisha nuk duhet të ishte pjesë e Kuvendit. Sipas saj, Berisha nuk ofron gjë tjetër veç se modelin e mosbindjes ndaj shtetit të së drejtës. “E shëmtuar dhe pa moral. Të shikosh ligjin për dekriminalizimin, që në nenet e para të tij, ai si personazh nuk duhet të ishte më pjesë e parlamentit të Shqipërisë. Që në momentin që ai është në arrest shtëpie, për shkak të mosbindjes së tij progresive ndaj strukturave të drejtësisë shqiptare, mund të ishte në gjendje të lirë, por çdo gjë ka qenë pasojë e injorimit dhe poshtërimit që i ka bërë institucioneve të drejtësisë shqiptare, dhe me ligjërime, me sjellje, duke ofruar model kriminal për të gjithë qytetarët shqiptarë, modelin e mosbindjes ndaj shtetit të së drejtës. Berisha merr rrogën, merr rrogën çdo muaj. T’i jepnin edhe dietat. Reforma në drejtësi, ka qenë një domosdoshmëri jetike dhe nuk mund të mburret, nëse duan ta vazhdojnë udhëtimin që kanë nisur, ta vazhdojnë siç e nisën”, deklaroi dje Gjikondi.