Presioni amerikan dhe denoncimi i bërë nga gazeta “SOT” duket se kanë zmbrapsur kryeministrin Edi Rama dhe kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, pasi Kuvendi po shkon drejt shkarkimit të Gazment Bardhit dhe pranimit të Lulzim Bashës si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Deri tani ka pasur një kakofoni dhe zvarritje se kush është kryetar i grupit demokrat. Por duket se zyra juridike e Kuvendit ka dhënë verdiktin pas një shtyrjeje të gjatë që ligjërisht grupi parlamentar i PD në Parlament me kryetar Lulzim Bashën dhe të komanduar në këtë pozicion Flutura Açkën, të mos jetë ai që pretendon Gazment Bardhi. Pas kësaj ky i fundit ka shpërthyer dje në sulme e akuza përpara gazetarëve, duke thënë se kryeministri Edi Rama po “emëron opozitën”, çka indirekt ka dhënë sinjale se ai dhe Berisha janë deputetë të thjeshtë dhe se kanë vetëm “çelësat e kashtës” në duart e tyra të pista. “Ka një rregullore të qartë të Parlamentit. Sa kohë ka rregulla të shkruara ato duhet të zbatohen. Kush merr përsipër të shkelë rregullat për të krijuar opozitë të rremë në parlament, duhet të marrë përsipër pasojat. E kuptoj që interesi i mazhorancës do të ishte që dikush që për një vit e gjysmë nuk ka qenë në parlament të jetë. Taulant Balla e ka njohur Lulzim Bashën si kryetar të opozitës, i ka vënë punonjës garde për ta ruajtur. Prokurorëve që iu rrezikohet jeta nuk sigurohen, ndërkohë që Bashës i ka vënë punonjës garde. Opozita është e fokusuar në betejë me Edi Ramën”, deklaroi dje Bardhi para mediave pas takimit me deputetët që e mbështesin atë dhe ata të “Foltores”.
Reagon Berisha
Ndërkohë pas Bardhit, edhe kreu i “Foltores”, Sali Berisha foli dje me të njëjtën gjuhë si ai, duke konfirmuar të dy se tashmë së bashku me deputetët që i ndjekin nuk kanë grup parlamentar ligjorë në Parlament. Duke folur në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së deputetëve demokratë, ish-kryeministri Berisha i shpallur “non-grata” nga Londra dhe Uashingtoni, theksoi se në fokus të takimit ishin reforma zgjedhore dhe komisioni i kësaj reforme, për të cilin kanë kërkuar ndryshim të përbërjes. Sipas Berishës, Rama po përgatit një atentat ndaj pluralizmit, duke tentuar që të emërojë përfaqësuesit e opozitës. “I diskredituar ndërkombëtarisht, nuk pranon një diskutim të hapur dhe jashtëzakonisht shqetësuese të krijuar nga Beogradi dhe Rusia. Nga ana tjetër ka dhëna se ai po përgatit atentatin më të rëndë në historinë 32-vjeçare të pluralizmit, po përgatite për të marrë votat që t’i emëroj opozitës përfaqësuesit të saj. Opozita është e vendosur të qëndroj në mbrojte të të gjithë atyre. Në mbledhje u diskutua dhe çështjet e rendit e ditës. Ishte një mbledhje shumë e frytshme”, deklaroi ai. Po ashtu, Berisha shtoi se ata (“Foltorja+grupi i Bardhit) kanë ekspertët më të mirë për Reformën Zgjedhore. “Ne kemi një draft për Reformën Zgjedhore. Kemi propozime të shumta. Kemi raportin e fundit të OSBE-ODIHR, i cili pikë të parë ka ndëshkimin e dhunimit masiv të zgjedhjeve. Kemi specialistët më të mirë në këtë fushë, por kjo nuk i pëlqen Edi Ramës. Nga Edi Rama nuk njeh ligj nuk njeh kod moral, nuk njeh kushtetutë dhe nuk njeh asnjë normë. Interesi i Ramës është pushteti absolut. Mos të bojkotohet parlamenti të vijojë betejën e gjithë anshme”, nënvizoi Berisha.