Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me demokratët e degës nr 6 në Tiranë. Sipas Bashës, kjo kohë reflektimi i ka shërbyer atij për të parë edhe më qartë se sistemi politik ka degraduar. Madje në statusin e tij në rrjetet sociale, Basha thekson se sherret, akuzat, gjuha e urrejtjes nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka vendi. Ai shprehet se më shumë se 70% të qytetarëve e kanë refuzuar këtë sistem politik. “Mirënjohje për punën dhe sakrificat e demokratëve të Degës nr.6 në Tiranë. E pranova me kënaqësi ftesën e tyre për një bashkëbisedim të hapur mbi shqetësimet që të gjithë ne si qytetarë dhe demokratë bashkëndajmë sot. Kjo kohë reflektimi më shërbeu të shihja edhe më qartë sesi ky sistem politik ka degraduar në një shfaqje që ka në qendër hallet e pak politikanëve, jo problemet e qytetarëve. Sherret, akuzat, gjuha e urrejtjes nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka vendi. Më shumë se 70% të qytetarëve e kanë refuzuar këtë sistem politik, që nuk ofron asnjë zgjidhje për shqetësimet e përditshme të shqiptarëve. Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në punët e vendit, një alternativë që pasqyron aspiratat e njerëzve, i dëgjon dhe fuqizon ata. Partia Demokratike mund të sjellë këtë ndryshim, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, shkruan Basha.
Romeo dhe Heidi janë celebruar në fshehtësi? Aktori bën deklaratën e papritur
Romeo Veshaj dhe Heidi Baci janë duke jetuar lidhjen e tyre të dashurisë pas përfundimit të eksperiencën në Big Brother...
Lexo më shumë