Sipas burimeve nga policia e qarkullimit rrugor, punonjësit e këtij shërbimi janë vënë në siklet në kryerjen e detyrës, mbasi kanë humbur kontrollin ndaj makinave pa dokumente, ose makinave në kërkim e nën vëzhgim. Ka nisur fushata elektorale dhe shumë mjete të tilla, afro 300 në Tiranë e në rrethe, kanë nisur të maskohen pas posterëve të PD, duke qarkulluar me flamujt e partisë në pushtet. Me targa false e pa targa, me mungesë dokumentesh, makina të vjedhura e me probleme ligjore, kanë nisur të mbushin këto ditë rrugët e Tiranës, duke qarkulluar si mjete të fushatës, kur në fakt nuk janë mjete që kanë lidhje me PD. Por policët rrugorë, nuk kanë asnjë tagër e asnjë urdhër të ndalojnë këto makina. Për më tepër, që duke parë në xhamat e tyre flamujt e PD dhe fotografinë e Sali Berishës, ata nuk guxojnë t’i ndalin, përkundrazi, siç kemi parë edhe vetë dje në Tiranë, policët i përshëndesin me dy gishta lartë dhe i lejojnë të ecin me shpejtësi , me bori e me sirena zhurmuese. Ky është një shqetësim i madh për policinë kriminale, mbasi ajo nuk ka mundur të gjejë gjuhën e bashkëpunimit me policinë rrugore e cila nuk ka asnjë urdhër konkret me shkrim e as me gojë, që të ndaloj këtë kontingjent makinash elektorale. Tirana është mbushur me makina elektorale me logot dhe flamujt e PD dhe ato qarkullojnë krejt të lira, paçka se policia rrugore dhe ajo kriminale e dinë mirë, që ato janë makina me probleme. Shteti e ka humbur krejt kontrollin mbi qarkullimin rrugor këto ditë, ndërkohë që policët po spastrohen e po seleksionohen, duke u zëvendësuar me besnikë të partisë në pushtet e të ministrit Flamur Noka.