Ish-kryeministri Sali Berisha i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe nga sot është në kushtet e humbjes së mandatit. Këtë të premte që shkoi u bënë fiks 6 muaj që ai nuk shkel në Kuvend dhe Kushtetuta përcakton fare qartë se një deputet humbet mandatin kur mungon për 6 muaj rresht pa arsye. Konkretisht Në nenin 71 të Kushtetutës shkruhet se, deputeti e humbet mandatin kur mungon mbi 6 muaj rresht pa arsye në seancat e Kuvendit. Sipas konstitucionalisitit të njohur, Sokol Azizaj, Kushtetuta prevalon, por në rastin kur nuk ka vendim të formës së prerë, në lojë hyn Rregullorja e Kuvendit. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive këtë fundjavë, juristi Azizaj theksoi se në momentin kur Kuvendi nuk është shprehur brenda afatit të caktuar lidhur me arrestin e deputetit, bëhet e pamundur ndërprerja e mandatit. “Ndërprerja e mandatit në këtë rast mund të bëhet për shkak të masës së sigurimit, por masës së sigurimit të arrestit, jo parashikuar në Kushtetutë, por në rregulloren e Kuvendit, nuk ka vënë në lëvizje Komisionin e Mandateve dhe Rregullores së Kuvendit brenda dy ditëve. Në këto kushte nuk mund t’ia ndërpresësh sipas rregullores”, deklaroi Azizaj. Ndërsa juristi Jordan Daci që ndodhej në të njëjtën studio me zotin Azizaj, thotë se mungesa e Sali Berishës është me arsye dhe duke iu referuar Kushtetutës nuk mund t’i hiqet mandati. “Sa kohë nuk bëhet fjalë për një vendim përfundimtar të tij, por vetëm për një masë sigurie e cila bazohet në prezumimin e pafajësisë, për mua mungesat janë me arsye. Për rrjedhojë nuk mund të jetë subjekt i heqjes së mandatit për shkak të mungesës sepse kjo mungesë është e arsyetuar”, theksoi Daci. Por juristët bashkohen në pikën ku palët mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen në fjalë. Interpretimi i nenit 71 të Kushtetutës si dhe rregullorja e Kuvendit mund të sjellë përplasjen e radhës mes mazhorancës dhe opozitës, pasi socialistët do të kërkojnë heqjen e mandatit të ish-kryeministrit, ndërsa opozita do të këmbëngul që lideri i saj të vijojë të jetë pjesë e Kuvendit. Kujtojmë se Berisha është në “arrest shtëpie” dhe nuk i është lejuar të marrë pjesë në seancat plenare. Ndërkohë mbi të njëjtin përcaktim Lindita Nikolla nxitoi t’i hiqte mandatin Arben Ahmetajt. Kështu që tani duket se topi është në portën e Ramës dhe Nikollës. A do të zbatojë kryeministri dhe kryeparlamentarja Kushtetutën, apo do të vijojë me nderet ndaj Berishës, duke sfiduar hapur amerikanët, kjo mbetet të shihet.
Reagon Berisha
Por masa e arrestit të shtëpisë që mund t’i djegë edhe mandatin e deputetit, duket se nuk po kapërdihet dot nga Sali Berisha, i cili dje ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. Duke folur dje para mbështetësve të tij nga ballkoni i shtëpisë ku qëndron i izoluar, Berisha theksoi se ai po mbahet “në arrest shtëpie sepse Altin mercenari me urdhër të Ramës, po heton oponencat për projektet e Libenskinit”. “Kjo betejë është vendimtare për të ndalur turravrapin e kësaj diktature të bazuar në aleancën e Edi Ramës me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Sot Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe botë në të cilin falë mercenarëve me Skrapin e partisë, tre drejtuesit kryesorë të partive kryesore opozitare janë në ‘arrest shtëpie’, hetim, apo ndjekje penale. Gjithçka në kundërshtim flagrant me çdo standard dhe ligj të një vendi të lirë. Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie sepse Altin mercenari i Edi Ramës, me urdhër të këtij të fundit u deklaron shqiptarëve se ai duhet të rrijë në arrest shtëpie, sepse po heton oponencat për projektet e Libenskinit. Ky amoral dhe i pafytyrë, ky hajdut i 99% justifikon arrestin e shtëpisë me oponencat, apo me ndërtimin e shkallëve të sigurisë në pallate. Ky hajdut i zhveshur nga çdo normë dhe standard, me një urrejtje për opozitën, mendon se do i shpëtojë ndëshkimit që meriton. Ndaj dhe kalon si lake pengmarrës gjithashtu, nga zyra në zyrë, duke kërkuar ndryshimin e kushtetutës sepse ai ka frikë dhe tmerr nga krimet që ka kryer. Ai çdo natë kalon në ankthe dhe e di çfarë e pret. Jeton në ëndrrat se Ulsiu, krimineli elektoral Ulsi Rama, krimineli elektoral, Edi Rama, kryehajduti i vendit Edi Rama dhe kriminelë të tjerë, si nder për amnistinë dhe mbylljen e dosjeve do ti zgjasin mandatin këtij banditi në krye të Skrapit. Miqtë e mi! Mos harroni asnjëherë mashtrimin e tij të paskrupullt dhe të turpshëm se deklaronte në KLP se ai ka përveshur llërët, se ka aq shumë punë dhe nuk ka hetues, një mashtrues ordiner. Dhjetë herë më i ndershëm është seriali killeri i tij kushëri, Dumani tjetër që ky i shet dosjen pasi rrëfehet për krimet që ka kryer”, deklaroi dje Berisha.