Presidenti i nderit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipërisë, Mark Crawford denoncoi Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknurin se mashtroi Kongresin Amerikan në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me zotërimin e burimeve të naftës në Shqipëri nga rusët, por më pas dha lejen për shpime kërkimi nafte në 2018 në zonat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë për kompaninë “Transoil Group”, e cila është e lidhur me gjigantin rus të energjisë “Gazprom”.Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri zbuloi për emisionin e pavarur investigativ “Narativ” se personi që kishte mundësuar këtë skemë manipuluese ishte ish-shefi i kundërzbulimit të FBI në Nju Jork, Charles McGonigal, i cili po gjykohet tashmë në SHBA për lidhje me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe akuzohet se ka përfituar 225 mijë dollarë nga persona afër kryeministrit Edi Rama për të hetuar çështjen e lotimit rus në Partinë Demokratike. Gjatë emisionit “Narativ” të drejtuar nga producenti Zev Shalev, Crawford denoncoi se vetë McGonigal përfituan direkt nga kërkimi për naftë në zonat Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë duke shfrytëzuar lidhjet me “Gazprom”.
Crawford: Dizdari iu ankua ‘Gazprom’, u tha se mund ta zgjidhte vetë problemin
Crawford zbuloi në “Narativ” se Shefqet Dizdari, bashkëaksioner me Charles McGonigal në një studio këshilluese juridike në Shqipëri dhe përfaqësues i kompanisë “Transoil Group” iu drejtua me letër “Gazprom” që të mos ndërhynte me kompanitë serbe dhe austriake “NIS” dhe “Jurimex Kommerz Tranzit Ges”, pasi “Transoil Group” përfaqësonte “Gazpromin” në Shqipëri. “Në letrën e Shefqet Dizdarit, i cili i shkruan kompanisë ‘Gazprom’, thuhet: ‘Hej djema, ju rusët po tentoni të merrni fushat përmes lidhjeve tuaja në Austri. Pse po e bëni këtë, kur ne jemi përfaqësuesit tuaj këtu. Pse përdorni të tjerët, kur ne jemi përfaqësuesit zyrtarë të ‘Gazprom’. Ky është Dizdari që më vonë del si partner me McGonigal, Rossinin dhe Personin A, Agron Neza”, tha Crawford.
Crawford: McGonigal bashkëpunoi me qeverinë për të ‘pastruar’ naftën ruse
Marrja e zonave naftëmbajtëse nga kompani të lidhur me “Gazprom” është ndikuar dhe nga ish-zyrtari i FBI, Charles McGonigal. Sipas Crawford, ky i fundit dhe shteti shqiptar u angazhuan të mbulonin gjurmët se nafta ruse e dërguar në Shqipëri në fakt vinte nga shtete të tjera. Presidenti i Nderit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, iu referua dhe sekuestrimit të anijes çisternë me 22.500 ton naftë ruse nga Liberia në muajin shkurt në Portin e Durrësit. “Gjatë vizitave të shumta në Shqipëri, agjenti i lartë i FBI, Charles McGonigal kultivoi një marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Kjo rezultoi në një ryshfet prej 225 mijë dollarësh, paguar për McGonigal. Më pas, erdhi skema që synonte të ‘pastronte’ naftën ruse, duke e maskuar si naftë nga vendet e tjera. Kur muajin e kaluar u kap një cisternë me naftë me flamur libian me naftë ruse të sanksionuar në Shqipëri, pati spekulime se mund të jetë përfshirë McGonigal”, vazhdoi më tej Crawford.
Crawford: Gjiknuri mashtroi në SHBA, ua dha naftën kompanive të ‘Gazprom’
Skandali me puset e naftës në Shqipëri u realizua dhe me kontributin e Damian Gjiknurit, aktualisht eksponent i lartë në PS dhe ish-ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas Mark Crawford. Ai akuzoi ish-ministrin socialist se mashtroi në 2018 kur shkoi në Kongresin Amerikan duke paralajmëruar amerikanët nga rreziku i depërtimit të biznesmenëve rusë në Shqipëri, por nga ana tjetër firmosi dhënien e lejes për të kryer shpime në zonat naftëmbajtëse për kompanitë “NIS” dhe “Jurimex”, të lidhura drejt përdrejt me “Gazprom”. Crawford shton se Gjiknuri e dekoroi me medalje Charles McGonigal, i cili së bashku me Agron Nezën, Shefqet Dizdarin, Mark Rossinin përfituan nga marrja e lejes për të kryer kërkime për naftë në Shqipëri. “Ministri i Energjisë shkoi në SHBA në shkurt të vitit 2018 dhe i tha Kongresit amerikan se duhet të kemi kujdes me rusët. Pra, përfundoi duke u thënë amerikanëve: ‘hej bëni kujdes me rusët’, dhe më pas kthehet dhe ia jep fushat e naftës kësaj firme. Në këtë kohë McGonigal kishte dalë në pension në FBI dhe kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në një nga këto rastet, madje mori një medalje nga Ministri i Energjisë, që u postua në Facebook, për shërbimin e tij ndaj vendit. Më pas formuan një kompani në Shqipëri, McGonigal si anëtar menaxhues, me Rossinin, Nezën dhe Dizdarin. Dhe në fakt i morën fushat e naftës”, deklaroi më tej ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.