Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, drejtoi sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, ku u diskutuan dhe u miratuan dy projektligje të rëndësishme si ai për nxitjen e punësimit dhe për zejtarinë.
Në fjalën e tij, Veliaj falenderoi anëtarët e KKP-së për punën dhe bashkëpunimin në dy vjet, duke renditur disa nga reformat që ka ndërmarrë MMSR përgjatë këtyre 18 muaj qeverisje. Ai përmendi reformën e pensioneve, e cila për herë të parë theu tavanin 240 mijë lekë dhe bëri të mundur që sot pensionistët të marrin pensione deri në 40 për qind më të larta.
Po ashtu, Veliaj e cilësoi një premtim të mbajtur uljen e moshës së daljes në pension për më shumë se 3800 minatorë, nga 60 në 55 vjeç. Duke qëndruar te çështja e pensioneve, ai vuri në dukje edhe vendosjen e një pensioni social për ata persona, që për arsye të ndryshme nuk plotësojnë vitet minimale të punës, të marrin një pension social.
“Më vjen mirë që për 5 mijë gjyshër dhe gjyshe, falë edhe ndihmës e këmbënguljes së sindikatave dhe komunitetit të punonjësve në Këshillin Kombëtar të Punës, arritëm të fusim për herë të parë elementin e pensionit social dhe besoj se kjo frymë do të vazhdojë me reformën e pensioneve nën mbikëqyrjen e Këshillit”, theksoi ministri Veliaj. Më tej, ai theksoi se falë punës së qeverisë dhe gjithë aktorëve që punuan në ndërgjegjësimin e bizneseve dhe punëmarrësve, u hapën ose u zbardhën 93 mijë vende të reja pune, të cilat derdhin kontributet në sigurimet shoqërore.
“Kur bëmë takimin tonë të parë në Shqipëri, kishte 600 mijë pensionistë dhe 560 mijë punëtorë që paguanin kontribute për 600 mijë pensionistë. Sot, teksa unë lë stafetën e këtij Këshilli Kombëtar të Punës, kemi 650 mijë punonjës që paguajnë për 600 mijë pensionistë. Pra, kthyem raportin ku kemi më shumë njerëz në punë dhe më pak njerëz në pension”, u shpreh Veliaj.
Sa i takon politikave nxitëse të punësimit, ai vuri në dukje dy aspekte: njëra që ka të bëjë me hapjen e 10 zyrave të reja të punës dhe e dyta, me rritjen deri në 4.5 milion dollarë të Fondit të Nxitjes së Punësimit. “Është një histori suksesi edhe hapja e 10 zyrave të punës në bashkëpunim me biznesin. Vitin e kaluar, në zyrat e punës aplikuan rreth 81 mijë vetë dhe 1 në 3 persona ka arritur të gjejë një punë”, vijoi ai.
Një tjetër arritje, sipas Veliaj u shënua edhe në fushën e arsimit profesional, ku numri i nxënësve të regjistruar në shtator 2014 u rrit me afro 40 për qind.
“Më vjen mirë që KKP, bizneset dhe sindikatat morën vendimin e duhur që bordet e shkollave tona profesionale të menaxhohen nga bizneset, nga njerëz që mund të sigurojnë praktikat në punë dhe njerëz që mund të sjellin teknologjinë më të fundit”, tha Veliaj.
Ai e mbylli fjalën e tij me ndryshimet e Kodin të Punës, të cilat sipas tij e bëjnë atë një Kod të standardeve europiane, duke ofruar më shumë garanci dhe mbrojtje për punëmarrësit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatave shprehën mirënjohje për bashkëpunimin që kanë pasur gjatë këtyre 18 muajve të fundit me MMSR-në. Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Punës vlerësoi mjaft pozitivisht gjithë përvojën dhe bashkëpunimin që ka pasur gjatë gjithë kësaj kohe me ministrin Veliaj.
Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, renditi si arritje reformat që MMSR ka ndërmarrë e që prekin qytetarët në përgjithësi dhe punëtorët në veçanti. Ai theksoi se gjatë këtyre muajve që KKP drejtohet nga Veliaj, ka marrë një rëndësi tjetër, duke bërë që problemet dhe shqetësimet e sindikatave të dëgjohen.
Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, vlerësoi bashkëpunimin dhe punën që është bërë në Këshillin Kombëtar të Punës nën drejtimin e ministrit Veliaj, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë reformën e pensioneve dhe premtimin e mbajtur për uljen e moshës së daljes në pension për minatorët.
“Dua t’iu falenderoj veçanërisht për premtimin që ju mbajtët për realizimin e zotimit për pensionet e minatorëve të nëntokës. Ky është një vendim historik”, tha Kalaja.