Elmas Bogdani
Gjykata e Posaçme shtyu për më 11 korrik, ora 10:00, seancën për informacion 2-mujor në ngarkim të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion pasiv si pjesë e një hetimi gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Kjo është dhe dita kur Partia Demokratike e drejtuar tashmë edhe me vulë e sigël nga Sali Berisha ka thirrur protestën kombëtare. Deri më tani mbështetësit e “non gratës” kanë paralajmëruar destabilitet nëse nuk lirohet Berisha. I fundit që paralajmëroi trazira ishte ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka. “Stabilitet Shqipëria pa zgjidhje politike nuk do të ketë. Ta harrojë Edi Rama se mund të gëzojë karrigen e sulltanit të Surrelit pa i dhënë zgjidhje situatës politike në vend”, deklaroi ai.
Çfarë pritet të ndodhë më 11 korrik?
Në seancën e djeshme, pritej që Prokuroria e Posaçme t’i komunikonte avokatëve përfundimin ose shtyrjen e hetimeve me 3 muaj të tjerë, pasi përfundoi afati i hetimeve për privatizimin e ish klubit sportiv Partizani, por avokatët pritet të përsërisin kërkesën e tyre për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, vendosur ndaj të dyve. Në një prononcim për mediat, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj është shprehur se hetimet për çështjen “Partizani” janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin. “Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve. Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin”, tha Gjokutaj. Më 18 qershor, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi të rrëzojë kërkesën e radhës të Sali Berishës e Jamarbër Malltezit për ndryshim të masës së sigurisë, duke i lënë sërish në “arrest shtëpie”. SPAK kërkon që Berisha të qëndrojë nën masën e sigurimit arrest në shtëpi, ndërkohë që avokatët kërkojnë ndryshim mase.
Çfarë rrezikon Berisha dhe Malltezi?
Për pastrimin e produkteve të veprës penale parashikohet 5-10 vite burg, ndërsa kur vepra kryhet në bashkëpunim dhe sjell pasoja të rënda siç është edhe rasti i tjetërsimit të ish-Kompleksit Sportiv Partizani, parashikohet një dënim jo më pak se 15 vjet me burgim. Në kallëzimin penal që Taulant Balla referoi në SPAK në vitin 2020, pretendohet se janë konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim, të falsifikimit të dokumenteve, pastrimit të të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale si dhe vepra penale e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Një pjesë të këtyre veprave penale janë parashkruar për shkak të kohës së gjatë të kryerjes së dyshuar të tyre, pasi operacioni abuziv për tjetërsimin e ish-Klubit Sportiv Partizani është finalizuar në tetor të vitin 2009. Pastrimi i produkteve të veprës penale është një vepër objekt i ligjit anti-mafia të vitit 2009, i cili parashikon që përveç dënimit të autorit të veprës penale, konfiskohet edhe pasuria që është produkt i veprës penale, në rastin konkret prona publike ish klubi Partizani. Sa i përket veprës penale për korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, akuza e vetme me të cilën mund të përballet Sali Berisha, parashikohet 4 deri në 12 vite burg. “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet”.
Lëvizjet e SPAK
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë vendosi vitin e kaluar nën sekuestro preventive 16 pasuri të paluajtshme të Malltezit, 6 llogari të tij bankare si dhe kuotat e kapitalit themeltar të tij në tre shoqëri. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro. Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi. Kompleksi sportiv Partizani me 26 mijë metër katrorë, pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, për të cilin hetuesit dyshojnë se iu hap rruga përmes korrupsionit pasiv e aktiv nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.