Analisti Arben Meçe është shprehur ditën e djeshme në një intervistë televizive se Sali Berisha nuk do të paraqitet asnjëherë përpara prokurorëve, pasi po konsumon procedurat. Sipas Meçes, Berisha nuk ka më forcë politike dhe po bën rolin e viktimës. “Fakti që Berisha nuk ka forcë politike të grumbullojë njerëz është bumerangu vetë. Në këtë rast, Berisha po luan me skemën e viktimës dhe si status politikë ka dështuar. Nuk do vej Berisha sepse në psikologjinë e tij, thyerja e hundës është një hap shumë i rëndë. Kot nuk ka dal edhe ajo shprehja ‘Jam Sali Berisha unë o budallenj’. Kështu Sali Berisha nuk do të paraqitet para prokurorëve. Ai po konsumon procedurat, u konsumua e para, e dyta, e treta, do konsumohet e katërta që është ‘arresti në shtëpi’. Të gjithë deputetët, ministrat, kryeministrat, e kanë për detyrë të paraqiten kur i thërret Gjykata e Posaçme. Ai thjesht e ka bërë detyrë te merret në pyetje, është çështje hetimi”, tha ai. Më tej, Meçe theksoi se me daljen e Argita Berishës në Kuvendin e Partisë Demokratike, Berisha ekspozojë trashëgimtarin e vetë. Sipas analistit, ai i tregoi demokratëve testamentin e vdekjes së tij politike. “Vetëm Kim Youngu në Kore sot paraqitet me motrën, pavarësisht se ai është lideri suprem, ai paraqitet me motrën. Tani çfarë na ndodhi, në kuvend ai paraqiti vajzën. Atëherë ekspozimi i Argitës në një instancë të lartë, do të thotë që i tregoj demokratëve testamentin e vdekjes politike. Në një farë mënyre ekspozojë trashëgimtarin e vetë. Madje, kam dëgjuar që Berishën do ta arrestojnë, por jo nuk arrestohet. Ai mund të ketë një masë arresti në shtëpi dhe ketë do ta thyej, jam i bindur”, përfundoi Meçe. Ai ka komentuar dhe kaosin e shkaktuar këtë të hënë në seancën plenare nga deputetët opozitarë që mbështesnin Sali Berishën. Madje, Flamur Noka dhe Albana Vokshi kanë ndezur flakadanë në Kuvend dhe si pasojë do të referohen në SPAK. Ai ka thënë se ky tension nuk përbën më një ngjarje, pasi është rast i përsëritur dhe nuk sjell asnjë rezultat politikë të drejtë. Sipas Meçes, është rasti që shteti t’i lërë në rrugën e vetë, pasi Berisha tani këtë mision ka dhe këto vendimmarje nuk janë serioze.