Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të mos fillojë një procedim penal ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve, pas kallëzimit të bërë disa javë më parë nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Përmes një njoftimi, Prokuroria bëri të ditur se duke nisur nga kallëzimi i Metës, por edhe bazën ligjore mbi të cilën ka operuar Autoriteti i Dosjeve, nuk ekzistojnë rrethanat e mjaftueshme për regjistrimin e procedimit penal, që lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale.
Pasi bëri kallëzimin, Meta sqaroi se kallëzimi është bërë për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i ka bërë ky institucion, ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ish-presidenti është politikani i lartë me inicialet I.M që prentendohet se figuron në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti i Dosjeve e përmend atë me emër dhe mbiemër në dokumentin që i drejtoi Kuvendit ku i kërkon gjithashtu të ndryshojë ligjin, pasi sipas tij nuk mund të verifikohen figurat politike të verifikuara një herë nga komisioni Mezini e Bezhani.
Meta si politikan i hershëm, ka certifikatë pastërtie, por nëse do të verifikohej prapë, thuhet në dokumentin drejtuar kuvendit, rezultati do të ishte ndryshe. Vetë ish-presidenti e quan këtë një lojë të motivuar politikisht.